Ultimatumi për tarifat, politikë amerikane edhe për të rrëzuar Albin Kurtin

Postuar në 28 Shkurt, 2020 01:16
Skerdilajd Zaimi

 

Qeverisë së Kosovës i duhet të negociojë edhe brenda vetes për çështjen e tarifave ndaj mallrave serbe. Pak pasi Kryeministri Albin Kurti deklaroi heqjen e kushtëzuar të tyre, i Dërguari Special i Presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell shkruan në tuiter se një vendim i tillë nuk mjafton. Ai urdhëron se tarifat duhet të hiqen menjëherë dhe plotësisht dhe shton se 

z. Kurti po bën një gabim serioz. Kjo gjë iu bë e qartë z. Thaçi sot në Shtëpinë e Bardhë

Refleks i këtij presioni në rritje janë qëndrimet e aleatit të Kurtit në qeveri, LDK-së përmes kryetarit të saj, Isa Mustafa dhe zv.kryeministrit Avdullah Hoti. 

Besoj që nuk ka kohë për zgjidhje. Nuk ka rrugë të ndërmjetme për partneritetin me SHBA-në. Nuk mund të jemi kreativ as në listimin e pikave të ndryshme, as në parafrazimin e çështjeve me elokuencë. Ka marrë fund ajo. Duhet ta ndjekim një rrugë bashkë me ta, për ta forcuar sovranitetin tonë. Ndryshe, mbesim qeveri e izoluar, që nuk ka mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë

ka thënë Hoti në një intervistë televizive. 

Pra nuk ka më ekuivok: ShBA po dikton një kërkesë të panegociueshme në tavolinë dhe kërkon që ajo thjesht të pranohet. 

Pak ditë më parë i njëjti Richard Grenell kërkonte heqjen e tarifave duke u bërë qesharak teksa fliste për rritje të investimeve, ndërkohë që investime serbe në Kosovë nuk ka. Mënyra si po vepron ShBA jo vetëm është e lexueshme, por ajo në një farë mënyre është denoncuar nga një emër i gazetarisë britanike, Tim Judah, që apelit të Grenell në tuiter i është përgjigjur: 

Çfarë do të bëni nëse Kurti injoron kërkesën tuaj për joreciprocitet? E keni vënë në një pikë kritike duke i kërkuar për këtë, sepse nëse ai e pranon atë siç e kërkoni Ju, do të keni minuar autoritetin e tij dhe kredibilitetin pas më pak se dy javë në zyrë

Kurti nuk ka pranuar, por as ka refuzuar duke e lënë ShBA mesa duket pa një kartë që të vërë në lëvizje dialogun me Serbinë e cila pret heqjen e tarifës në mënyrë që Vuçiç të shpëtojë fytyrën e tij para serbëve. Tarifa kthehet kështu në një element të tejvlerësuar të një negociimi që ekspozon dobësi themelore të ShBA si udhëheqëse dialogu: ajo po përdor forcën dhe peshën e vet vetëm e vetëm për të diktuar vullnetin e vet. Të kujtojmë se pak kohë më parë një tjetër përfaqësues i ShBA, Mathew Palmer deklaronte se ShBA do të pranojë çdo marrëveshje që Serbia arrin me Kosovën dhe se ajo nuk ndërhyn. 

Sot po ndodh e kundërta. Ne kemi një palë, ShBA që ndjek politikë unilaterale edhe në raport me pjesën tjetër të Perëndimit, duke presuar në një vend që ka folur përherë pro saj. Ky moment ka rëndësi kritike për politikën perëndimore në Kosovë. Albin Kurti deklaroi dje se në këmbim të heqjes së tarifave në më hrë të kushtëzuar, Bashkimi Europian ka premtuar heqjen e vizave para samitit të muajit maj. 

Këtu pyetja që lind është: Po ShBA çfarë ofron përveç urdhërave

Dhe një tjetër pyetje shkon për ambasadoren e ShBA-ve në Tiranë, Yuri Kim dhe demagogjinë e saj diplomatike: 

Kjo është të zgjedhësh? Kjo quhet aleancë dhe partneritet? Sigurisht që siç tha kryeministri Rama, “për fat ne nuk na duhet të marrim vendimet e mëdha strategjike”, por ama për vendimet e vogla po. Na takon. Përndryshe këto krasitjet territoriale në emër të miqësisë strategjike Ballkani i ka parë edhe herë tjetër dhe e di fare mirë se çfarë janë.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Taksa 100% dhe qendrimi i palekundur i Ramushit, (po ne ate vije edhe Albini) vetem sa forcuan nacionalizmin serb dhe nuk e ofruan njohjen e Kosoves nga Serbia! Tani, para arrogances mesjetare e te padegjuar te ketij kaubojsit Grenell, pala kosovare ngelet e bukosur, pa fjale dhe vetem nis e leshon pe ne heshtje! Nwse pala kosovare do te kish patur me pare nje qendrim deri diku me te moderuar e me te argumentuar, tani do te dinte si ti pegjigjej edhe arogances feudale te Grenelit!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.