E kupton kush politikën e z. Rama?
Albin Kurti është tanimë objektivi i ri i Tiranës zyrtare. Më saktë i kryeministrit të Shqipërisë. Duhet goditur, zhvlerësuar, diskredituar po qe e mundur. Mbi të duhet fituar. Për ç’arsye, cilën axhendë, kjo nuk është e qartë. Por ai është objekti i parë.
Mbi paraardhësin e tij, Ramush Haradinaj peshonte historia e luftës, por me të, kryeministri Rama dhe diuretikët e vet mediatikë vuri në përdorim lojën e diskrditimit në sferën intelektuale. Është një goditje poshtë brezit në fakt, por në politikë ndodh.
Me Kurti është më e vështirë. Manovra e parë ishte përplasja në konferencë për shtyp ku z. Rama donte të tregonte se ishte zot shtëpie. Sot z. Rama ka shpërndarë një status me një thënie të Walt Disney që apelon për punë, jo për fjalë. Me gjasë ky mesazh ishte për Albin Kurtin që sapo ka marrë detyrën.
Goditja klasike që përdor z. Rama është qorrsokaku sipas tij i antiamerikanizmit. Z. Kurti po konfrontohet me ShBA, kurse z. Rama nuk e bën këtë gabim. Me kaq shpresohet se populli e kupton se nga shkon historia.
Mirëpo në të gjithë këtë lëmsh ku më shumë dallohen mëritë sesa llogaritë, ne mund të kuptojmë disa gjëra. Kuptojmë p.sh se Haradinaj synonte elektoratin ndoshta me refuzimin e taksës, ndiqte një politikë të caktuar, edhe Thaçi shpresonte kredi të re politike nga ShBA si njeriu që arriti marrëveshjen, te Kurti kuptojmë arsye edhe ideore apo pragmatike pse e kundërshton heqjen e tarifës.
Por është thuajse e pamundur të kuptosh se çfarë bën z. Rama në këtë mes. Cilat janë synimet e tij, axhenda që ndjek dhe në fund të fundit si harmonizohen këto me politikën e jashtme të Shqipërisë?
Ne dimë dhe mund të kuptojmë edhe synimet e Vuçiçit, të Zaevit, madje edhe synimet e Gjukanoviçit që i ruhet shumë delirit ballkanik. Por ne nuk e deshifrojmë dot me lehtësi të ashtuquajturën politikë të Shqipërisë.
Askush prej nesh nuk e di se çfarë e bashkon z. Rama me Presidentin turk, Erdogan, as se çfarë e ndan kaq shumë kryeministrin e Shqipërisë me Athinën zyrtare saqë të mos mundësohet një vizitë. Askush nuk e kuptoi sulmin e z. Rama ndaj Donald Trump…
Sigurisht që në vendin tonë gjërat janë kaq banale në arsyen e tyre saqë në këtë errësirë nuk ka ndonjë gjë kriptike. Thjesht z. Rama ka kuptuar se dështimi mbulohet mirë me heshtje, sikundër dominimi i skenës së lajmit. Një herë me një foto, me sportistë dhe artistë, një herë në skenë me makinë me Erdoganin, njëherë me një çmim atje apo një ndeshje këtu, z. Rama synon të grishë kuriozitein e medias, ta peshkojë dhe provokojë atë. Kaq është edhe politika e tij mesa duket. Ndaj edhe në përballjet dhe debatet që zhvillohen për çështje të caktuara, flitet për atletet, prezencën ose jo të tij, dhe jompër atë çfarë u fol dhe firmos.
Sulmi ndaj Albin Kurtit synon pikërisht defaktorizimin e një figure që rivalizon, madje ka epërsi ndaj z. Rama sepse së pari tërheq rininë, nuk vuan nga ndonjë deficit retorik dhe as mangësi demagogjike dhe përmbi të gjitha ka një avantazh tjetër strategjik: z. Kurti nuk trashëgoi, uzurpoi apo vodhi karrigen e kryetarit të ndonjë partie. Ai krijoi një parti. Dhe në botën shqiptare që vuan nga myku akut politik, një gjë e tillë ngjall shpresë. Edhe pse ajo mund të jetë naive në ndonjë rast
Add new comment