A e kupton Beogradi gjuhën e dialogut për marrëveshje me Kosovën?

Postuar në 09 Shkurt, 2020 14:41
Jakup Krasniqi

 

Po bëhet një presion mbi politikën e Kosovës e jo mbi Beogradin i cili ka kohë që nuk e kupton as që donë ta kuptoj gjuhën e dialogut për të arritur marrëveshjen për normalizimin e marrëdhenieve me Kosovën. Vendimi për mbylljen e kufirit Kosovë – Serbi për mallrat serbe, ishte mjet politik për t’ju përgjigjur agresiviteteve të shumta politike, diplomatike dhe ekonomike që Serbia ushtronte kundër Kosovës. Me këtë veprim Kosova ka bërë vetëm një gabim, pse nuk e ka arsyetuar si e sa duhet këtë masë para Komunitetit Ndërkombëtar e sidomos para BE-së e SHBA-ve. Të gjitha përgjegjësitë tjera bien mbi Serbinë dhe politikat e saja agresive ndaj Republikës së Kosovës.

Kushdo në Europë e Botë e dinë që Serbia e pinjollëve të Millosheviqit, nuk e ka gatishmërinë që të të njoh Kosovën shtet të pavarur, sovran e demokratik. Serbia nuk ka treguar gatishmëri që të distancohet nga politikat e gjenocidit të përsëritura disa herë në shekullin XX, e sidomos nga politika e regjimit të Millosheviqit.

Fjalimi i Vuçiqit në Mitrovicë vitin e kaluar e konfirmon ketë që po e them. Ne, nuk duhet t’i japim zjarrmi çështjes se vazhdimit të dialogut, kur në Beogradin nuk ka shenja minimale për njohje e normalizim të marrëdhenieve me Shtetin e Pavarur të Kosovës.

Ky agresivitet që vije nga Serbia e shtron si domosdoshmëri edhe sot bashkimin e gjithë shqiptarëve rreth një Platforme të qartë politike të qeverisë son për të gjitha raportet me Serbinë. Mënyra se si është sjellur dje dhe si po sillet sot Serbia, nuk është duke lënë asnjë hapësirë për vazhdimin e dialogut. Këto sinjale nuk janë duke ardhur as nga politika e Brukselit i cili nuk është duke dhënë shenja që ne duhet t’ju besojmë. Mos liberalizimi i vizave për qytetarët tanë është shenjë mosbesimi! A nuk nxituam kot me demarkacionin e kufirit më Malin e Zi me premtimin për liberalizimin e vizave? Kjo gjendje e ky realitet i krijuar edhe 20 vjet pas gjenocidit serb mbi shqiptarët, do të duhej që dy shtetet shqiptare t’i obligonte që të nisin një fillim të ri, sidomos për zhvillim e siguri në nivel kombëtar! Politikat në Beograd janë rreziku më serioz për paqen në Ilirik.

Madje, mënyra se si janë zhvilluar bisedimet që sa vite nga pala jonë pa asnjë kujdes, pa asnjë strategji të përbashkët kombëtare për korrigjimin e kufirit, për demarkacionin, për shkëmbim territoresh etj. etj., ishte mënyrat më të këqija të veprimit politik. Gjuha ishte jo vetëm inferiore, por ishte nënshtruese dhe e qulltë e në ndonjë rast e mbështjellë me patriotizëm banal. Ajo gjuhë e komunikimit urgjentisht duhet të ndërpritet.

Konsideroj se të gjithë duhet ta kuptojmë se si loja me kufirin dhe kjo për normalizimit e marrëdhënieve më shtetin që ka qëndrim armiqësor të nivelit të lartë, nuk është pronë e asnjë individi, cilido qoftë ai! President,
Kryeministër apo ish Kryeministër që dorëzoi pushtetin apo cilitdo opozitar. Të gjithë duhet ta dinë se politikave që na ka sjellë në ketë gjendje, jo vetëm që nuk duhet t’ju besojmë, por as të bëjmë përpjekje të reja. Një fillim i ri është i domosdoshëm! E gjithë çështja është si ta gjejmë fillimin e ri?

E kemi thënë disa herë deri më tani dhe duhet ta përserisim se Serbia jo vetëm në luftërat e fundit në hapësirën e ish Jugosllavisë ka treguar se, ato politika nuk njohin gjuhë tjetër veç gjuhës së forcës! Kush nuk e ka kuptuar ketë, nga historia nuk ka mësuar gjë. E kush nuk mëson e pëson!

Dialog për njohje po, por vetëm kur ai zhvillohet në mes të barabartëve!

Çdo formë e dialogut politik pas verdiktit të GJND-së, do të jetë “dialog”, rezultati i dialogut do të jetë i njohuri!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.