E imagjinoni Berishën apo Ramën në këtë lloj incidenti?
Lulzim Basha ka qenë në një dhomë në një nga godinat e Qytetit “Studenti”. Kanë qenë njerëz të stafit të tij që kanë filmuar takimin me studentë. Në një moment në dhomë hyn një prej pjesëtarëve të administrimit të godinës dhe kërkon që z. Basha të dalë jashtë sepse ka hyrë pa leje. Zoti Basha e ka mediatizuar këtë përballje duke akuzuar qeverinë për mënyrën sesi vepron. Mediat e qeverisë kanë dy ditë që duan ta tallin kreun e PD-së për këtë që po bën dhe me një lloj fushate që ai ka nisur duke takuar njerëz të ndryshëm dhe duke dalë në rrugët e qytetit.
Kjo gazetari e qesëndisjes në të vërtetë është ilustrim i një militantizmi të plotë për arsye fare të qarta. Është e vërtetë se z. Basha doli shëtitje me një grua që mandej rezultoi se ka qenë e afërt e PD-së, është po ashtu e vërtetë se atë e shoqëronte në një dalje tjetër një nëpunës i KLSH-së. dhe këtu kemi të bëjmë me denoncimin e medias ndaj një lloj filmi politik. Por në Qytetin Studenti nuk kishte diçka të tillë. Tani, megjithë rezervat e natyrshme që të gjithë kanë për z. Basha një gjë duhet ta pranojmë: ai nuk përgatit dhe inskenon tubime masive dhe as kërkon përkujdesje të veçantë për nismat e veta publike. E imagjinoni dot që p.sh dikur Sali Berishës, apo Edi Ramës t’i dilte dikur një punonjëse godine e t’u kërkonte të dilnin jashtë?
Asnjëherë. Qoftë sepse më parë aty do kishin mësyrë stafet, qoftë sepse kundër punojëses apo punonjësit do të vërsuleshin truprojat.
Ndaj është mirë që incidentin në Qytetin Studenti ta shohim edhe për këtë anë spontane që zbardh një aspekt njerëzor politik të Bashës. I cili patjetër që është gënjeshtar i talentuar, është edhe një politikan pa bosht, nuk ka ide dhe nuk krijon dot frymë, por së paku nuk vuan nga ndonjë delir. I provuam delirantët në krye të vendit dhe partive dhe ja ku u katandisëm.
Nuk po themi që ta lëmë veten në duart e gënjeshtarëve, por të paktën normalen te politikanët ta vlerësojmë. Ishte aty, po fliste, erdhi dikush që po bërtiste dhe zotëria u vu në siklet. Në një vend ku huri dhe gangsterizmi janë metër suksesi, diskrecioni i z. Basha është për t’u shënuar. Të paktën nuk kemi përballë një ekstremist. Kjo duket. Pastaj vota, suksesi politik dhe mënyra sesi mund të drejtosh janë tjetër gjë.
Comments
Shkrim me permbajtje, me
Shkrim me permbajtje, me fakte, me argumente dhe neutral.
Add new comment