Zgjerimi i BE-së, propozimi serb: Identifikim konkret i kapjes së shtetit në Ballkanin Perëndimor dhe heqja e vetos
Një grup qendrash studimore në Serbi kanë përgatitur një draft - propozim për Bashkimin Europian ndaj të cilit apelojnë që në titull për integrimin e Ballkanit Perëndimor, cilësuar si
Plotësim i Europës të së ardhmes
Materiali hapet me një vlerësim për situatën e tanishme në Bashkimin Europian, që sipas autorëve konfirmon se vetë Europa nuk ka për qenë e plotë dhe qëndrueshme pa integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky gjykim kërkon kuptim të ri nga ana e qendrave vendimmarrëse në Bruksel që shpesh janë peng i koniunkturave të brendshme.
Politika e integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor ndodhet në udhëkryq. Pavarësisht zotimit të anëtarëve të BE-së në samitin e Selanikut në vitin 2003, vetëm Kroacia ia ka dalë të anëtarësohet në vitin 2013
shkruhet në dokument.
Autorët vlerësojnë se bllokimi që iu bë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në samitin e tetorit 2019, ofron një mundësi të mirë për të rishikuar shumëçka. Në kuadër të propozimeve për ndryshimin e Metodologjisë së Zgjerimit, iniciuar nga Franca dhe pasuar nga vetë Komisioni Europian, organizatat serbe sugjerojnë që edhe vetë ballkanasit të bëhen pjesë e këtij debate europian që trajton edhe të ardhmen e tyre. Propozimi serb është organizuar në disa pika duke synuar të pajtojnë debatin e brendshëm europian me mbajtjen hapur të perspektivës reale europiane për vendet e rajonit tonë dhe moskufizimin e zgjerimit. Sipas këtij propozimi, integrimi europian mund të ecë paralelisht me reformat e brendshme të BE-së, duke theksuar se nuk ka arsye të qenësishme se pse këto dy procese mund të bllokojnë njëri-tjetrin.
Shtyrja në pafundësi e integrimit të Ballkanit Perëndimor pa u realizuar reformat e brendshme të BE-së, mund të minojë politikën e jashtme, politikën e sigurisë, autonominë strategjike dhe synimet gjeopolitike të BE-së
shkruajnë autorët.
Një tjetër pikë është nevoja që BE të përfshijë vendet tona në programet e vet si p.sh ai për klimën, më tej sugjerohet përmirësimi i sistemit të matjes së progresit për vendet e rajonit, rritje fondesh, rritje e rolit të BE-së në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve bilaterale në Ballkanin Perëndimor, një strategji të re promovimi dhe komunikimi. Pala serbe rekomandon për BE-në që në kuadër të reformës së brendshme të konsiderojë edhe dy elementë të tjera që në të vërtetë kanë rëndësi të madhe.
Së pari është identifikimi i elementëve konkretë të kapjes së shtetit në Ballkanin Perëndimor për të mos e lënë këtë aspekt si formë retorike kur adresohen çështjet e rajonit tonë.
Strategjia e Komisionit Europian për Ballkanin Perëndimor e shkurtit 2018, njeh se ka elemenët të kapjes së shtetit në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Raportet e KE-së, sidomos ato për vendet që janë më përpara si Mali i Zi dhe Serbia, shprehin shqetësim të madh për sundimin e ligjit dhe lirinë e medias. Megjithatë institucionet europiane druhen kur vjen puna në identifikimin konkret të shembujve të kapjes së shtetit dhe kapjes së mediave, që lejon qeveritë ballkanike të injorojnë një kriticizëm të tillë. Institucionet e BE-së duhet të krijojnë instrumente të tilla që do të njihnin realisht kapjen e shtetit dhe të medias në rajon, njohje që duhet të pasohet nga dënimi publik dhe veprime konkrete nga zyrtarë të BE-së. instrumente si p.sh raporti Priebe mbi sundimin e ligjit në Maqedoninë e Veriut janë provuar tashmë si të dobishëm në gjurmimin e kapjes së shtetit dhe kanë mundësuar që BE-ja të veprojë në përputhje me nevojat. Të tilla instrumente duhet të përdoren edhe në vende të tjera në rajon
sugjerojnë autorët serbë.
Ky është një rekomandim që në fakt në Shqipëri është artikuluar në formë tjetër dhe për synime krejt të tjera nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Ai ka folur madje edhe për shtetin e nëndheshëm në Shqipëri, që ka kooptuar edhe zyrtarë europianë. Mbetet spekullim një gjë e tillë, por e vërteta është se BE-ja ka qenë gjithë kohës inerte në distancimin nga akte të caktuara të qeverisë apo kanë heshtur për dënimin e korrupsionit të saj. Që ky propozim të ecë do të duhet që struktura e përfaqësimit të BE-së të ndryshojë dhe politika e re të zbatohet nga të tjerë në mënyrë që bashkëjetesa në “mëkat” mes BE-së dhe qeverive ballkanike të mos ketë më alibinë e sigurimit të stabilitetit, ndërkohë që po gërryen demokracinë.
Propozimi tjetër është prezantimi në BE i votimit me shumicë të cilësuar për çështjet që kanë të bëjnë me zgjerimin duke i dhënë rol më të madh Komisionit dhe duke i hapur rrugë të paktën votimit procedurial për kandidatët. Ky propozim mund të jetë një zgjidhje teknike e mirë që teksa lehtëson procedurat për vende si Shqipëria nuk cenon sovrantitetin vendimmarrës të vendeve anëtare. Autorët mendojnë se shumica e cilësuar në vend të konsensusit unanim heq mundësinë që vende të caktuara të përdorin procesin e pranimit në funksion të zgjidhjes së favorshme të çështjeve dypalëshe që mund të kenë me kandidatët.
Dokumenti është një përpjekje nga Beogradi që duket se kërkon të zgjidhë një dilemë serioze që e ka specifikë të vetën. Pra nevojën për sukses në procesin e integrimit europian ta përdorë për të neutralizuar dualizmin gjeopolitik që ka në raport me Rusinë. Në një plan më të gjerë ky raport, nëse do të dakordësohej apo plotësohej, do të kërkonte angazhim publik nga vendi ynë për të kapur audiencën europiane, por sesa të aftë jemi në këtë drejtim kjo mbetet e panjohur.
ResPublica
Add new comment