Fjalë, asgjë më shumë
Kryeministri Edi Rama ka folur sot në një forum për ekonominë ku raportohet që ai të ketë shprehur shqetësime për klimën e biznesit në vend. Autokritika ka qenë shfqaja e sotme, bashkë me premtimet që nuk mungojnë asnjëherë.
100 vjet më parë në datën 30 janar të 1920 kishim kongresin e Lushnjës që është një ngjarje shumë e rëndësishme në ndërtimin e shtetit tonë, një shteti që i ka gjithmonë sytë nga Perëndimi përsa i përket zhvillimit të vet.
Ky forum sot është modeluar si forumi i Delfit por ideja ime është që të përforcojmë këtë bashkëpunim me atë të Delfit dhe të përfitojmë dije dhe përvojë më shumë, dhe mbase të organizojmë hapa vijues…
tha ndër të tjera z. Rama.
Pak më tutje ai ka folur për sjelljen jo të mirë të administratës, ndonëse në vitin 2017 shpalli mandatin e dytë si mandat të reformës në adminisratë.
Më lejoni të flas për sfidat, duhet të përmirësojmë klimën e biznesit, sjelljen e administratës, kemi nevojë për të përmirësuar sidomos atë pjesë që lidhet me biznesin. Gjatë këtij viti do kemi rezultate të qënësishme në këtë drejtim.
Plani është që brenda 2020 të kemi 95 përqind të shërbimeve të dixhitalizuara, online që kështu ata që merren me biznes të mos shkojnë nëpër vende të aplikojnë për ata çfarë u duhen, pra gjithçka të transferohet në internet, kjo gjë do ndryshojë natyrën e komunikimit.
Përmes një vendimi të qeverisë vendosëm se të gjitha aplikimet duhet të marrin përgjigje brenda afatave ligjore, dhe për cdo shkelje do ketë gjobë për ata që e shkelin, ata do paguajnë nga xhepi për vonesat që u shkaktohen qytetarëve.
Hapi i dytë, në marrëdhënien me bizneset, programi i fiskalizimit që do sjellë rezultate brenda këtij viti, pra që të gjithë transaksionet të jenë transparente. Sot jemi larg kësaj, sepse ne skemi transparancë të transaksioneve nga biznesi në biznes, që do të thotë se ka shumë hije në këtë gjë.
Me programin e fiskalizmit do shohim çdo veprimtari në internet dhe do monitorohet, kjo do parandalojë edhe një masë të madhe keqbërje nga vetë administrata. Hapi i dytë është sistemi i gjurmimit e kërkimit, nga produktet e akcizës e produketet ushqimore, ujin e pijshëm e barnat. Çdo pikë karburanti që del nga rrjeti i shpërndarjes do gjurmohet. Këto janë lajme të mira dhe jam i lumtur se pas kaq shumë vitesh punë, jemi gati të marrim frytet e asaj që kemi krijuar. Gjithcka do ndryshojë situatën për korrupsionin, ryshfetet.
Janë fjalë, asgjë më shumë. Fatkeqësisht. Kryeministri improvizoi çdo gjë. Ai rekruton ekselentët prej vitesh në administratë, por ajo nuk funksionon. Përdori policinë për kuponin tatimor dhe sot po vetë na thotë se punët nuk shkojnë mirë. Flet për shërbimet online, por këtë gjë e bëri edhe në vitin 2017. Mburr fiskalizimin, por ndoshta nuk e di që me propozim të bërë në Komisionin e Ekonomisë, sistemi i kasave fiskale lihet në fuqi ende.
Çfarë duhet të bëjë më kjo qeveri për të na hedhur hi syve? Edhe sikur ta pranojmë se ajo ka vullnet real për të ndryshuar, për ta përmirësuar gjendjen që është e tillë prej kohësh, jo kur e pranon ajo, ne shohim se qeveria e tanishme, kreu i saj nuk kanë asnjë ide të besueshme në këtë drejtim. Zoti Rama është lëshuar personalisht drejt një “besimi të verbër” te teknologjia, po shndërrohet në një teknoman, apo teknofil, por ajo është instrument dhe jo qëllim. Ajo është ndihmë dhe jo parim pune. Sidomos në hartimin e politikave.
Sistemi korrupton, këtë fjalë na e ka përsëritur shpesh zotëria në fjalë. Epo po pranon atëherë që ai është në krye të një sistemi që nuk ka ndryshuar. Është i njëjti. Dhe në këtë kuptim ka udhëhequr një luftë, që ose ka qenë thjesht retorikë, ose të cilën nuk është i zoti ta fitojë.
Gjendja është keq dhe qeveria po e pranon vetë. Ato që duhet të ishin standarde, siç janë klima e biznesit, një farë etike në administratë, minimizimi I zhvatjes dhe klientelizmit, shpallen objektiva të një aksioni të ri. Çdo kryeministër tjetër do të turpërohej që pasi ka folur kaq shumë, kaq shpesh dhe kaq gjatë për reformat e shkëlqyera dhe transformuese që ka kryer, del dhe I kujton vetes atë që nuk ka dashur ta pranojë deri më sot nga të tjerët: që gjërat janë po aq keq sa kanë qenë. Dhe se ndryshimi ka qenë iluziv.
Janë fjalë këto që thotë kryeministri dhe për të tilla duhet t’i marrim të gjithë. Me fjalë nuk qeveriset, shtyhet një farë kohe. Asgjë më shumë. Fjalë që i merr era dhe këtë tashmë e ka kuptuar një pjesë e madhe e shoqërisë. Sidomos ajo që u zhgënjye si rrallë ndonjëherë nga një njeri që pati aq besim.
s.zaimi/ResPublica
Add new comment