Kush do ta gëzojë "Shqipërinë e Gjeneratës tjetër"? 61% e të rinjve duan të ikin
Ikja e shqiptarëve nga vendi i tyre është një dukuri që shqetëson të gjithë rajonin tonë. Në konferencën e 16-të parlamentare rajonale për integrimin europian të shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizimit dhe Asocimit të Evropës Juglindore është vënë në dukje ky problem që është injoruar nga qeveria shqiptare.
Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, deklaroi ndër të tjera se 1/3 e popullsisë është larguar.
23% e të rinjve në rajon për momentin s’janë as në punë, as në shkollë as duke u trajnuar. Një shifër e konsiderueshme po të mendosh për atë çfarë do ndodhë për pak vite duke marrë parasysh mbushjen e administratës publike…Alarmante janë shifra të tjera ku të rinjtë në rajon në mënyrë të çuditshme bashkojnë bashkë dy shifra që për ne ishin gati surprizë me një saktësi matematikore të çuditshme. 61% e të rinjve në rajon janë pro integrimit evropian dhe shpresojnë se do i ndryshojë jetën. Por 61% e tyre janë gati të largohen nga vendi i tyre nëse kjo gjë nuk ndodh. Është analogji për të kuptuar se sa lart qëndron pritshmëria për integrimin dhe për të ndryshuar vendet tona dhe si qëndron ajo në raport për t’u larguar nga vendet nëse ky ndryshim nuk ndodh
tha ajo.
Ky realitet është në thelb një proces i heshtur emigrimi masiv dhe nëse nuk do t’i vihet ky emër mund të rezultojë që ata që vendosin të përfundojnë duke folur me vete. Në katër vitet e fundit, çështja e largimit nga vendi është ngritur në nivelin e një debate mediatik, por kryeministri personalisht e ka injoruar atë duke deklaruar se ikja lidhet me lirinë e lëvizjes.
Kjo është gjysma e së vërtetës sepse ikja në thelb është përherë zgjidhje, por jo zgjedhje në masën më të madhe. Nga ana tjetër qeveritë shqiptarë kanë dështuar në thithjen e të diplomuarve jashtë vendit që do të justifikonte deri diku këtë që thotë z. Rama. Dhe kanë dështuar sepse struktura ekonomike e Shqipërisë dhe klima për biznes këtu është në nivelet më të ulëta.
Ironia e sondazhit që sjell zonja Bregu sipas të cilit 61% e të rinjve duan të ikin qëndron në faktin se qeveria aktuale ka propaganduar me të madhe “Shqipërinë e gjeneratës tjetër”, pra se reformat që bëhen tani do t’i gëzojë brezi i ardhshëm. Mirëpo nëse lëvizja e popullsisë vazhdon në këtë drejtim gjenerata tjetër e Shqipërisë do të jenë pensionistët dhe mosha e mesme. Shqetësuese këtu është mënyra sesi qeveria mendon ta luftojë dukurinë: ajo sulmon dhe kundërsulmon titujt mediatikë, por jo problemin. Mjafton të lexosh sesi çdo javë Agjencia Telegrafike Shqiptare njofton numrin e të punësuarve nga Zyrat e Punës, pa dashur asnjëherë të zbardhë manovrat që bëhen pas atyre statistikave që nuk janë reale. Ose janë po aq reale sa shifra e 83 mijë të punësuarve që zoti Rama deklaronte tre vjet më parë, por që në fakt ishin të punësuar të formalizuar, pra që hynë në sistem.
Add new comment