Perla e Mesdheut do ende ca punë të vogla

Postuar në 11 Janar, 2020 13:26

Kemi hyrë në vitin 2020. Dhe përgatitjet për sezonin turistik kanë nisur. Zakoni i kësaj qeverie e do që përgatitja kryesore të jetë ajo me artilerinë e propagandës. Çdo fletushkë me ngjyra, çdo John dhe Cathy që shkruan mirë për pushimet personale në këtë vend shërbehen si bakllavaja e Shqipërisë që ndriçon e çudit.

Shqipëria është e bukur, ajo të mahnit, ajo të befason, ajo të magjeps, të bën për vete. Ajo është misterioze, interesante.

Sa herë do t’i dëgjojmë këto mufka! Kështu që nuk duhet të lodhemi. Duhet të pajtohemi me faktin e trishtë se funksionojmë keq si njerëz dhe nuk e shohim dot se jetojmë në një vend përrallash.

Ndaj të ndihmojmë veten dhe vendin të përmirësohet. Si faqe online po japim ndihmën tonë të parë. Në Sarandë kemi fotografuar këtë tub ngjyrë dyqani hidraulikesh që shkarkon në det. Valët e Jonit nuk të lënë të shohësh çfarë shkarkon ai tub që shfaqet aty si streha e ndonjë virusi të pleistocenit. Ngyrja e ujit mund të kompromentojë ndershëmrinë intelektuale dhe dashurinë e sinqertë për atdheun. Ndaj larg mendjen nga mendimet e këqija! Po themi që është një tub që mundet të paktën të mbulohet me beton, zhytet më thellë, apo fundi t’i pritet simetrikisht, t’i zmusohet gryka e qitjes.

Sepse në parajsë gjërat nuk e kanë lirinë për të qenë të shëmtuara.

Do të donim që ta ndanim këtë vëzhgim me shqiperiaqeduam.al, por tubi është kaq transparent në funksionin e tij. Ndaj mbetemi me shpresë se lungomarja e premtuar e Sarandës do të konsiderojë këtë problem.

s. zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.