Opozita bën më fund një punë. Sulmon listat e hapura dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor
Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha ka pranuar të hyjë në zgjedhje me kuadrin aktual ligjor për zgjedhjet. Më konkretisht, z. Basha nuk ka asnjë vërejtje për sistemin zgjedhor në fuqi duke këmbëngulur te dekriminalizimi dhe nevoja për garanci të mosshkeljes së ligjit. Paralelisht me këtë qëndrim, në mediat pranë PD-së ka nisur një sulm “analistësh” kundër idesë së listave të hapura. Arsyeja kryesore është kriminalizimi dhe korrupsioni që sjell aplikimi i listave të hapura përmes shndërrimit të garës në obsesion për rizgjedhje.
I këtij mendimi është edhe një opinionist me aktivitet në Kosovë si Adri Nurellari sjell për Euronews Albania përvojën e Kosovës si precedent i keq që nuk duhet ndjekur. Ndër të tjera Nurellari thotë:
…problemi kryesor që ka Shqipëria lidhet drejtpërdrejtë me procesin e numërimit dhe mendoj se votimi elektronik ka për të minimalizuar këtë problem dhe së treti duhet theksuar se për hir të së vërtetës sistemi që ne kemi pasur nuk ka qenë i keq. Ai ka pasur një defekt të vogël që mund të zgjidhej shumë lehtë që ishte votimi taktik, apo votimi strategjik, që mund të zgjidhej shumë lehtë në qoftë se nuk kishte dy vota por kishte vetëm një votë. Pra, ne kemi pasur një sistem miks dhe ku vota ishte vetëm një dhe mund ta zgjidhte problemin e votimit strategjik, dhe Dushkut që quhej atëhere
Mirëpo ky sistem miks që thotë z. Nurellari në pjesën e proporcionalit aplikonte lista të hapura dhe garë brenda vetë listës së partive. Pra nga njëra anë analisti në fjalë thotë se listat e hapura nuk sjell përmirësim, nga ana tjetër e sjell këtë praktikë si ilustrim pozitiv.
Këtu ka edhe një pasaktësi. Në vitin 2004, Partia Demokratike porpozoi unifikimin e votës për partinë me atë për kandidatin në mënyrë që të shmangej votimi taktik. Iu refuzua dhe në vitin 2005 z. Berisha u akuzua nga Fatos Nano se përdori certifikatat false për të vjedhur zgjedhjet. Kush ka qenë i azhornuar me ato zgjedhje e di shumë mirë se manovra kryesore u bë me tabelat e rezultateve të listave shumëemërore të Partisë Republikane. Pikërisht sepse kishte lista të hapura ku fitonte ai që kishte marrë më shumë vota, kandidatë të ndryshëm të kësaj partie, u informuan nga kryesia e saj për numrin e votave që kishin marrë kandidatët e saj në zona të caktuara. Duke qenë se z. Mediu dëshironte enturazhin e tij në Parlament, nisi loja e tabelave dhe korigjimit të tyre. Komisione vendore plotësonin gabim tabelat, kërkonin tabelë të re dhe aty shënonin numër të ri votash për kandidatin e interesuar në mënyrë që në renditjen në shkallë vendi të dilnin ata deputetë që donte kryetari. Ish-kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi kërkoi hetim administrativ, por kjo punë e mbyll aty.
Ky eksperiment dëshmon se nuk e kanë fajin listat e hapura, por kryetarët e partive. Le të imagjinojmë për një çast se dikush nga kandidatët e PR-së të merrte më shumë vota se kryetari. A nuk është ky një shkak për të vënë në pikëpyetje pozitën e tij?
Kësaj situate i dha zgjidhje Edi Rama. Që në vitin 2005, Fatmir Xhafa do të shprehje se të huajt kanë dhënë idenë e kalimit në një sistem proporcional rajonal që do të zhdukte pluralitetin e tepruar të Parlamentit. Dikush donte një politikë bipartizane dhe këtë e zgjidh sistemi elektoral. U kalua te listat e mbyllura dhe në sistem proporcional rajonal, edhe ky pa korrigjim kombëtar duke lënë jashtë pa përfaqësim rreth 200 mijë vota.
Është ky sistem që na solli dukurinë e kriminalizimit të Parlamentit. Dhe është ky sistem që na vuri para faktit të ri politik se për të hyrë në Parlament nuk të duhet ndikimi në komunitet, por firma e një njeriu të vetëm. Të sqarohemi; nuk ka sistem të keq dhe të mirë. Ka sisteme të përshtatshëm apo jo me stadin e zhvillimit të një vendi.
Frika e opozitarëve se listat e hapura sjellin probleme, në fakt është frikë e kryetarëve që humbasin të vetmin pushtet që kanë sot. Sepse të gjithë deputetët që përfliten për afera dhe prokurime, duhet të mbrojnë paranë e tyre brenda ekzistencës në një grup. Askush nuk kërkon të sfidojë lidershipin, por thjesht ta miklojë vazhdimisht atë.
Në një listë të hapur ka edhe garë, atë garë që nuk e do më kush në këtë vend. Sepse askush nuk e do çarjen e sistemit. Shikoni sesi mbahet larg Albin Kurti në Tiranë nga të gjithë. Jo sepse Albin Kurti vlen apo jo, do bëjë diçka më mirë apo më keq. Thjesht sepse përfaqëson shembullin e dikujt që krijohet vetë dhe sfidon establishmentin, i cili kupton dikur se nuk i vlejnë as paratë. Nga ana tjetër, Shqipëria ka një ligj të dekriminalizimit që rregullon problemin e depërtimit të personave me rekorde kriminale.
Në fund, të gjithë ata që shkruajnë pro listave të mbyllura, e dinë shumë mirë se po e bëjnë këtë duke lënë të përdoret “mendimi” i tyre nga koniunktura e një opozite dhe një shumice në krizë. Por nuk ka asnjë mendje të ftohtë, asnjë njeri që i intereson vetja dhe ky vend të pranojë si zgjidhje për të ardhmen listat magjike të darkave vonë para zgjedhjeve që i prezanton Lulzim Basha dhe Edi Rama, me persona që nuk i njeh kush, që hyjnë në parlament anonimë dhe dalin andej më të pasur, por sërish pa asnjë vlerë politike të shtuar. Pa folur pastaj për ata që qëndrojnë në fund të këtyre listave siç janë përfaqësuesit e opozitës së sotme parlamentare.
Ky është një projekt i përbashkët i dy apo tri partive që po vdesin sepse luajnë në tryezë jo më me ide, por me një projekt të vetëm: Vjedhjen.
Add new comment