Sondazhi i besimit
Qeveria dhe mediat pranë saj njoftojnë se së shpejti mbahet konferenca e donatorëve për lehtësimin e pasojave nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Pritmëritë janë të larta dhe në fakt qeveria është entuziaste – me të drejtë – edhe për faktin se një konferencë e tillë po organizohet.
Duke uruar që të mblidhen sa më shumë para për njerëzit që kanë pësuar dëme, nuk mund të mos vihet në dukje një tjetër fakt i nxjerrë në media po këto ditë. Sipas disa të dhënave zyrtare qeveria mblodhi përmes portalit e-albania 65,720,146 lekë ose rreth 600 mijë euro nga 6190 persona.
Shifra përfaqëson një realitet besimi në shkallën më të ulët për qeverinë e cila nga ana tjetër mburret se ma fituar me 1 milionë shuplaka. Sigurisht në këtë shifër nuk përfshihen nëpunësit e administratës të cilëve u janë kërkuar donacione, por vetëm kontribut qytetarësh të thjeshtë. Kështu duket nga jashtë së paku.
Sido që ta interpretosh këtë situatë ajo vetëm për mirë nuk flet. Në krahasim janë sjellë shifrat e mbledhura nga fondacionet që janë shumë më të larta për të provuar se te qeveria besimi është në pikën më minimale. Dhe në të vërtetë, qytetarët shqiptarë, apo një pjesë e madhe e tyre kanë qenë syçelët për të mos besuar pseudorolin kundërshtues të opozitës, por ky frenim në donacione lidhet vetëm e vetëm me adresën e qeverisë. Dhe na dëshmon se aty ku z. Rama shet votën si investim për të ardhmen, mesa duket kemi një zgjedhje dëshpërimi.
Nuk ka qenë përherë kështu. Shqipëria ka qenë vend i aksioneve vullnetare që kanë qenë në një pjesë edhe mobilizime të sinqerta njerëzisht të zakonshëm që organizoheshin nga shteti. Por më tej, shqiptarët vetë nuk kamë munguar të kontribuojnë. Ne mbajmë mend sesi shqiptarët e Kosovës jepnin të famshmin 3% për arsimin ndaj një qeverie që vepronte në ilegalitet.
Ka edhe më. Shikojeni këtë kupon! Tregon se edhe gjatë Luftës, shqiptarët kontribuonin. Pra është çështje besimi dhe kjo duhet mbajtur parasysh. Çdo sondazh dhe sondazhier që del e luan me shifra në fakt po na ilustron orientimin e votës së dëshpërimit dhe jo delegimin e besimit që është vrarë. Dhe ky pështjellim situatash provon se çfarë rruge pa kryer është futur vendi.
Add new comment