Rusia dhe Kina bllokojnë rezolutën e SHBA për sulmet ndaj misioneve diplomatike
Rusia dhe Kina kanë bllokuar miratimin e një rezolute të propozuar nga SHBA dhe mbështetur nga 29 vende përmes të cilës dënohet sulmi i dhunshëm ndaj konsullatave dhe misioneve diplomatike. Të dyja vendet kanë shfrytëzuar të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, vendim që është dënuar publikisht nga SHBA.
Sipas përfaqësuesit kinez në OKB, ambasadorit Zhang Jun, miratimi i rezolutës ishte në axhendë por më pas ndodhën ngjarjet e 3 janarit në Baghdad ku pas një sulmi ajror mbeti vrarë gjenerali iranian, Qasem Soleimani.
Ka patur zhvillime sidomos aksioni i njëanshëm nga SHBA. Nëse Këshilli supozohet të bëjë diçka ai duhet të ketë mbulim për gjithçka
tha Jun.
Nga ana e vet ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia ka deklaruar se nuk mund të injorohet ajo që ndodhi në Baghdad më 3 janar. Vende të ndryshme e shohin sulmin ajror si shkelje të sovranitetit të një vendi të pavarur. SHBA mendon ndryshe dhe ka përcjellë qëndrimin e vet sipas të cilit nuk ka asgjë kontroverse në dënimin e sulmit ndaj misioneve diplomatike siç parashikon Konventa e Vjenës.
Add new comment