Vetëvendosja nuk vendos dot për kryeministrin
Albin Kurti ka zhvilluar më në fund takimin e shumëpërfolur me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Takimi u përfol se ishte konsultativ, por në finale, pas 15 minutash diskutim të dy janë ndarë. Kreu i Vetëvendosjes ka nxituar të sqarojë natyrën e takimit, duke bërë të qartë se ai shte aty si pasojë e presionit publik.
Ky ishte një takim i shkurtër konsultativ pa efekte juridike lidhur me fazën e ardhshme të formimit të institucioneve. Presidenti kërkoi që ne ta bëjmë propozimin...për këtë kërkesë të presidentit do raportoj në kryesinë e VV-së
Pak përpara takimit i njëjti njeri publikoi listën e ministrave të vet duke e shpallur veten si kryeministër. Në këtë kuadër i kërkoi LDK-së që të dorëzojë listën e ministrave të vet. Është e qartë se z. Kurti nuk do të mandatohet si kryeministër pa një marrëveshje me LDK-në në mënyrë që të mos pengohet më pas në krijimin e qeverisë. Si forcë që vjen nga jashtë skemës tradicionale, është e qartë se mandatimi i tij nga Thaçi do të rriste pazarin nga LDK-ja deri në pikën që do të bëhej poshtërues. Të paktën këtë na përcjell frika e z. Kurti për të mos dal si propozim zyrtar për kryeministër.
Nga ana e vet Thaçi ka pasuar me ironi në Facebook duke bërë të qartë se i ka lanë Kurtit 48 orë kohë për të bërë propozimin e emrit të kryeministrit. Më pas vepron Kushtetuta.
Situata e krijuar buron sa nga disponimi malinj i klasës politike, mpleksja e interesave aq edhe nga pritmëritë maksimaliste moralo-politike që Kurti ka krijuar për veten.
Mirëpo pas fitores incidenciale në zgjedhje, atij i duhet ta shndërrojë në fitore politike reale dhe kjo ndodh vetëm duke dëshmuar guxim dhe përgjegjësi për detyrën që po kërkon. Kurtit të drejtën e mandatit për kryeministër ia ka dhënë vota, ai sot po e kushtëzon atë me humorin e LDK-së. Oferta e tij qeverisëse do të duhet të ishte publike dhe të përcillej si interes publik. Kjo do ta kushtëzonte spektrin politik. Por edhe sikur të ishte ndryshe, nuk mund të fshihesh pas gishtit duke luajtur kinezëri me mandatimin. Shumëkush në skenën politike shqiptare dhe atë mediatike e sikterisi ish-kryeministrin maqedonas Nikoll Gruevski, të cilin e shpallën autokrat.
Mirëpo Gruevski pas dëgjoi për muaj me radhë bombat e Zaevit, që ishin përgjime të shërbyera nga miqtë e përjetshëm të demokracisë në Perëndim, hyri në zgjedhje, doli parti e parë dhe nisi negociatat. Dështoi sepse specie të pazakonta si Ali Ahmeti shpallën se u mërzitën duke qeverisur me të dhe mezi prisnin të bënin koalicion me Zaevin. Gruevski iku dhe mbylli lojën sipas rregullave.
Në botën shqiptare kemi precedent të ri; kemi dikë që kërcënon me Vetëvendosje dhe nuk merr dot vendimin që të thotë se unë jam kryeministër.
Comments
Gjithkush, këtej e andej e ka
Gjithkush, këtej e andej e ka marrë vesh që Kurti është kandidat për kryeministër, vetëm ju s paskeni dëgjuar gjë.
Edhe Thaci. Ka lene 48 ore.
Edhe Thaci. Ka lene 48 ore.
Add new comment