Armiku i brendshëm/Nga Traktati i Varshavës dhe Dostojevski tek OSBE dhe Kadare
Shumëkush e mban mend periudhën e para viteve ’90 kur e haje edhe pse ankoheshe se nuk ka patate. Shaka ose jo, klima ishte e tillë. Dhe klikën e bën ambiguiteti I ligjit bashkuar me ushtrimin e pushtetit real nga flamurtarët e çdo karrigeje.
Vëzhgimi për pakënaqësinë kishte forma nga më të ndryshmet. Në media kanë dalë raportime të ndryshme, procesverbale, apo dokumente autentike sesi një person apo tjetër raportohej nga bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit se preferonte Dostojevksin, apo se lexonte literaturë amerikane. Pa folur për gabime serioze të lajmeve nga bota…
Në përgjithësi ata që denoncojnë sjelljen e dikujt në raport me kulturën bashkojë në vetvete padijen, intuitën djallëzore të atij që aderon në korin e shumicës me – në rastin më të keq – interesa të caktuara.
Kjo formë denoncimi e ka të brendashkruar logjikën se shumica është përherë me qasjen zyrtare. Në këtë kuptim mbrojtja apo venerimi I Kadaresë është njëra gjë, por kalimi në shfrerje apo hazdisje e pakontrolluar ndaj atyre që nuk është se ngazëllehen pse shkrimtari merr çmime, apo bën ndonjë deklafatë, është krejt tjetër gjë.
Ka shumë njerëz, madje mes tyre njohës shumë të mirë të veprës së shkrimtarit që mendojnë se përveç nderimit absurd që I bëhet në Shqipëri atij, të ecet edhe drejt një trajtimi objektiv të figurës së tij, apo edhe veprës. Jo. Kjo është e papranueshme. Kjo madje nuk është as shprehi e mendimit personal, lirisë për të menduar xhanëm. Jo ore jo, Kjo është të mos kuptosh interesin kombëtar, vlerat e kombit, apo edhe të jesh ndonjë I paguar nga ndonjë ambasadë.
Këta që lehin pafundësisht me këtë gjuhë, janë si puna e Banelicës në filmin “Kohë e Largët”, “igumen I kësaj bazilike dhe shërbëtor I Kishës”. Të aftë për të kapur dhe riprodhuar herezitë dhe për t’I shpallur ato si nevojë e së vërtetës. Ka një kundërkulturë nga pas kësaj sjelljeje, është e kotë ta kërkosh atë të lidhur me persona të caktuar apo deformacione të posaçme. Është kundërkultura e dogmatikut që pretendon se mbron Ungjillin, kur në fakt po bën hosana priftit në mungesë të korit.
Ka edhe një kategori tjetër denoncimi. Më pak intime. Krejt komik për llojin e vet në një vend dhe një shoqëri të çinteresuar për çfarë ndodh përtej astarit të xhepit. I kujtoni ato barsaletat që thonë se dikush u fut në burg se tha në miting se Hrushovi është tullac dhe doli pasi u prishën marrëdhëniet? Apo më qesharake akoma, denoncime për iksin apo ypsilonin që ishte kundër daljes së Shqipërisë nga Traktati I Vrshëavës. Qen bir qeni. Të paguajnë rusët?
Pse të çuditemi? Kjo vazhdon sot. Po qe se mendon se fakti se në krye të OSBE-së vjen Edi Rama e diskrediton këtë organizatë, kjo nuk shihet si mendim apo gjykim personal. Jo mor jo. Ti nuk e do këtë vend. Ti e urren atë. Në një farë mënyre ky kor që konstituohet vetiu me frymën dhe mëkimin e të gjitha pushteteve të këtij vendi vetëpërkufizohet si një lloj deportimi virtual nga jeta publike I çdo mendimi alternativ. Shikoni me kujdes zëdhënësit e kësaj fryme dhe kuptohet se nga buron nekroza intelektuale në këtë vend.
E keqja nuk është as kjo në fakt. E keqja është se ata që deklamohen si tribunët e të mirës në fakt përqeshin nga ligësia çdo gjë ndryshe sepse duan me çdo kusht ta ruajnë mjedisin e kësaj Shqipërie mbytëse për të konfirmuar se në këtë pehash ligësie dhe padijeje, ata janë rruga, drita dhe jeta.
Add new comment