Projektligji/Ekzekutimi i vendimeve të Arbitrazhit ndërkombëtar, pas vendimit të Apelit

Postuar në 30 Dhjetor, 2019 13:42

Qeveria ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për Arbitrazhin në Republikën e Shqipërisë” që parashikon një kuadër juridik për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes palëve. Ligji ofron mundësinë e zgjidhjes së këtyre mosmarrëveshjeve edhe në arbitrazh vendas duke rregulluar këtu, apo synuar të rregullojë edhe raportin me paditë në gjykata. Në nenin 11 thuhet:

Gjykata, para së cilës është ngritur një padi lidhur me një çështje, e cila i nënshtrohet arbitrazhit, deklaron mungesën e juridiksionit dhe pushon gjykimin,  nëse një palë e kërkon këtë jo më vonë se sa kur dorëzon prapësimet me shkrim mbi themelin e çështjes, , përveç rastit kur gjykata çmon se marrëveshja e arbitrazhit nuk ekziston, është e pavlefshme, apo ka pushuar së qeni e vlefshme, në përputhje me parashikimet e legjislacionit procedural civil.

Gjykata, pavarësisht parashikimeve të pikës 1, të këtij neni, me kërkesën e palëve në marrëveshjen e arbitrazhit mund të vendosë marrjen e masave për sigurimin e padisë, përpara ose gjatë procedurës së arbitrazhit, në përputhje me parashikimet e legjislacionit procedural civil. Kjo dispozitë është e zbatueshme edhe përpara ose gjatë procedurave të arbitrazhit ndërkombëtar.

Në nenin 12 rregullohet përbërja e Gjykatës së Arbitrazhit me arbitra të zgjedhur nga palët, ose në pamundësi, nga Gjykata. Lidhur me juridiksionin e Gjykatës së Arbitrazhit ligji përcakton se:

Gjykata e arbitrazhit mund të marrë në shqyrtim dhe të vendosë nëse çështja objekt gjykimi është në juridiksionin e saj si dhe për çdo pretendim për pavlefshmërinë e marrëveshjes së arbitrazhit. Klauzola e marrëveshjes së arbitrazhit, kur është pjesë e një kontrate, trajtohet si një marrëveshje e posaçme dhe e pavarur nga kushtet e tjera të kontratës. Vendim i gjykatës së arbitrazhit që deklaron pavlefshmërinë e kontratës nuk passjell ipso jure pavlefshmërinë e marrëveshjes së arbitrazhit.

Pretendimet për mungesën e juridiksionit të gjykatës së arbitrazhit paraqiten nga palët jo më vonë se në datën e dorëzimit të deklaratës së mbrojtjes. Palët kanë të drejtë të paraqesin këtë pretendim edhe nëse kanë emëruar, ose kanë marrë pjesë në emërimin e një arbitri.

Gjykata e arbitrazhit mund të vendosë mbi kërkesat ose pretendimet e përcaktuara në pikën 2, të këtij neni, me vendim të ndërmjetëm ose me vendim përfundimtar. Nëse gjykata e arbitrazhit vendos me vendim të ndërmjetëm se ka juridiksion për të shqyrtuar mosmarrëveshjen, çdo palë mund t’i kërkojë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e marrjes së njoftimit për këtë vendim,  gjykatës  të përcaktuar në nenin 8 të këtij ligji, të vendosë mbi çështjet e mungesës së juridiksionit.

Shqyrtimi i kërkesës nga gjykata nuk pezullon vazhdimin e  procedurave të  arbitrazhit dhe marrjen e vendimit.

Për sa i përket njohjes dhe zbatimit të vendimeve të Gjykatës së Arbitrazhit, Gjykata e Rrethit Tiranë ka kompetencën të vendosë për mungesën e juridiksionit dhe sigurimin e padisë apo edhe urdhërin e ekzekutimit të vendimit të arbitrazhit. Gjykata e Apelit nga ana e vet ka kompetencën që të urdhërojë zbatimin e vendimit të Arbitrazhit të dhënë nga një gjykatë e huaj ose nga një gjykatë e arbitrazhit ndërkombëtar.

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.