Kurti mund të sigurojë votat, por jo bashkëqeverisjen

Albin Kurti rrezikon të mbetet vetëm në qeverisjen e vendit. Aktorët politikë në Prishtinë po deklarojnë gatishmërinë për ta votuar atë si kryeministër, por jo që të marrin pjesë në bashkëqeverisje me të. Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka shkruar në Facebook se “LDK është për krijimin e institucioneve, por kjo nuk do të thotë detyrimisht se ajo do të marrë pjesë në qeveri”.
Votat për krijimin e qeverisë i ka ofruar edhe Ramush Haradinaj, oferta këto që e çmobilizojnë energjinë pozitive dhe vetëpromovuese të Kurtit. I cili deri më sot nuk po arrin të imponojë ndonjë vend të veçantë për veten në kuadër të negociatave paszgjedhore.
Kurti ndodhet në një një pozitë të vështirë dhe të lehtë nëse e krahasojmë p.sh me kryeministrin aktual të Shqipërisë në vitin 2013. Kurti po bën aleancë pas zgjedhjeve dhe kjo diktohet nga vota formalisht. Rama deklaroi koalicion parazgjedhor me LSI-në në prill të vitit 2013 duke i dalë kundër të gjithë politikës së tij të deriatëhershme.
Por Kurti ka vetëm një mandat më shumë nga LDK-ja, ndërkohë që partia e z. Rama nuk vuan për vota. Ky i fundit e bëri qeverinë dhe po qeveris me idenë fikse në kokë të interesit personal.
Po Kurti si do të qeverisë në një kontekst ku ka marrë një sasi të shtrënguar votash dhe kur duhet të tregojë se di dhe është gati për të drejtuar dhe jo për të provokuar kureshtjen?
Të shohim, mbase mund të bëjë edhe mrekullinë, por përvoja politike shqiptare mëson vetëm një rrugë: të bëhesh gati për të marrë përsipër shumë kosto që vijnë nga detyrimi për të qenë pragmatist dhe për të ngushtuar hapësirën e prioriteteve programore me nevojat praktike që dikton bashkëqeverisja me të kundërtit. Kjo është të qeverisësh pa humbur kontrollin dhe fokusin. Ditët ikin dhe Kosova ka përheë e më pak nevojë për idealet e një grupi të rinjsh përpara se të ketë nevojë për zgjidhjet immediate të problemeve konkrete të cilat fitojnë terren dhe do të japin vlerë politike atij që i adreson.
Add new comment