Spot i dedikuar për heroin e vetëshpallur

Postuar në 15 Dhjetor, 2019 20:17

Në një kronikë të Al Jazeera para disa ditësh paraqitej edhe presidenti i Republikës, Ilir Meta në Durrës, në inspektim në zonat e goditura nga tërmeti. Në atë kronikë Ilir Metës i liheshin pak sekonda përmes të cilave thoshte se për këtë situatë do të ketë hetim. Pjesa tjetër i takonte qytetarëve. 
Ky raport ka kuptim për shkak se protagonistë të ngjarjes janë qytetarët. Media shqiptare bën të kundërtën. Në rrënoja, natën dhe ditën, mikrofoni është për politikën. Kryeministrin, kryebashkiakun etj.. 

Në një dalje për “E dielë shqiptare”, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në me stë një skene të ekzagjeruar dritash dhe me natyrë festive, bashkë me drejtuesin Gjebrea. Që është aty vetëm si ndërmjetës i spektaklit dedikuar kryetarit të Bashkisë, i cili ndër të tjera thotë: 

Tirana u kthye në një qendër të ndihmave edhe për zonat e prekura nga tërmeti për disa arsye. Së pari sepse Tirana akomodoi në kohë rekord qytetarët e saj. Janë rreth 5 mijë banorë. Patëm një diskutim mes nesh, thamë të lëvizim shpejt, t’i vendosim njerëzit në shtëpi me qira, kryesisht në lagjen e tyre. Në varfërinë e viteve të kaluara, njerëzit kanë bërë dëmtime pa vlerësuar dijen e nevojshme.
 

Nëse shikojmë fshatrat që janë dëmtuar, vëmë re se janë dëmtuar ato shtëpi që janë më të vjetra, dhe jo dy shtëpi rreth saj. Disa dukuri natyrore si përmbytjet janë demokratike, katet e para i përmbyten të gjithëve. Ndërsa tërmetet nuk i dëmtojnë të gjithë njësoj. Ai që është hallka e dobët e shoqërisë, ai e vuan edhe më shumë. Ndaj e them që ky është oportunitet për t’u bërë më të mirë, për të ndihmuar, për të ndërtuar nga e para lagjet në Kombinat dhe Kinostudio. Ndaj them ky është një moment reflektimi, dhe për të bërë pak paqe me natyrën
I njëjti njeri vazhdon të flasë për kinezëritë e tij në kopshte dhe shkolla duke suvatuar imazhin e Tiranës solidare që ka në krye rojtarin e virtyteve

Kush ka nevojë ta dëgjojë këtë njeri sot që një media kombëtare e ul në mes të skenës dhe i bën qokën e radhës? 

Askush veç atij. Në të mirë e në të keq, në kriza dhe në protesta, sapo kalon hutimi fillestar, heronjtë janë po këta, që dalin nga skutat me ndihmën e mikrofonëve me logo kombëtare që vijojnë prej kohësh këtë flirtim.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.