Konventa e Bernës: Të pezullohen projektet për HEC-e mbi Vjosë! Qeveria shqiptare bojkoton takimin
Komiteti i Përhershëm i Konventës në Bern bën thirrje për pezullimin e punës për HEC-et e parashikuara për t’u ndërtuar mbi lumin Vjosë, në Poçem dhe Kalivaç. Gjatë mbledhjes vjetore të Komitetit të Përhershëm në Strasburg (3-6 dhjetor), Komiteti u bëri thirrje edhe një herë autoriteteve shqiptare të pezullojnë të gjitha përgatitjet në lidhje me dy projektet e hidrocentraleve - Kalivaç dhe Poçem – deri në përfundimin e vlerësimit strategjik të ndikimit në mjedis dhe atij social. Vjosa njihet si lumi i fundit i madh natyror në Evropë, duke përjashtuar Rusinë.
Në vitin 2018, kur u hap për herë të parë çështja “Vjosa”, Komiteti kërkoi ndalimin e procedurave të mëtejshme planifikuese, por autoritetet shqiptare e injoruan këtë kërkesë.
Këtë vit, Komiteti ngriti sërish shqetësimin për planet e raportuara për të modifikuar kufijtë e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë, një zonë kandidate për t’u pranuar në listën Emerald (Rrjet ekologjik i përbërë nga zonat me interes të veçantë për ruajtje). Modifikimi që parashikon projekti do të zvogëlonte zonën e mbrojtur.
Autoritetet kombëtare shqiptare nuk u paraqitën në këtë takim, por Olsi Nika nga “EcoAlbania” dhe Ulrich Eichelmann, koordinator i fushatës "Ruaje zemrën e kaltër të Evropës", morën pjesë.
"Është një sinjal pozitiv që mesazhi nga Konventa e Bernës drejt qeverisë shqiptare është zëlartë dhe i qartë: Shqipëria shkel konventën nëse vijohet me këto plane. Sidoqoftë, tani i takon qeverisë shqiptare të ndjekë këshillat e Komitetit të Përhershëm”, thotë Ulrich Eichelmann nga Riverwatch.
Add new comment