Heronjtë po i nxjerrin nga kazani
Tri ditë zgjat çudia. Edhe kur vjen nga natyra. Tërmeti po na mëson me pafuqinë tonë, po zbulon paaftësinë tonë në vendosjen e rregullit dhe përgjegjshmërisë, si dhe po dikton lëvizjet njerëzore të solidaritetit.
Për disa të tjerë tërmeti ka prodhuar heronj. E nisi kryeministri që sevdalliset me veten në Facebook kur pyeste në mënyrë konkluduese: kjo mund të ishte foto e ditës. Ose kur shpallte: heroi i sotshëm është një zjarrfikës nga Vlora.
Vazhdon pastaj litania me shpjegimet e gjithësecilit për tërmetin dhe godinat. Vjen dita e dytë dhe kryeministri kapet me mediat. Jo televizionet që i paguan rregullisht me lekët tona, me portalet që ia prishin imazhin e ikonës që ka për veten.
Në garë për heronj ka hyrë edhe media. Ose më saktë – që mos t'I biem në qafë pronarëve – gazetarët.
Lutfi Dervishi shpallte sot si heronj gazetarët e televizioneve, reporterët. Sipas tij ata kanë raportuar pa ndalim atë që kanë parë dhe jo atë që kanë dëgjuar. Pastaj paragrafi deçiziv:
Po kujt I duhet përfshirja emocionale e gazetarëve? Nuk ndahet mirë profesionalizmi në këtë rast, edhe pse një rezervë këtu e mbajmë. Zoti Dervishi njihet si gazetar që shfaqet me skica humoristike. Mos vallë po ironizon duke u bërë sindikalisti më i fundit?
Pak rëndësi ka kjo në vetvete. E çuditshme është sesi vuajmë kaq shumë nga ky deliri i heroit, i veçanësisë, i viktimizimit, apo të qenit unikë.
Ata që janë aty po bëjnë punën, sepse detyra është diçka më e lartë. Do të mjaftonte dhe tepronte që të bënin punën të gjithë. Ta lëmë heroizmin pak mënjanë, e të mos e rishpikim në meditimet e kafeneve.
Sot gazetarisë i është hapur mundësia të zbulojë përgjegjësitë për këtë që ka ndodhur me objektet. Me firmat dhe lejet, emrat etj.. Xhanëm ka analistë të çquar që i dinë këto, dinë edhe të tjera e nuk bëzajnë. Për ta kuptuar psenë do parë pasuria e tyre, me vila dhe makina të shtrenjta, përpara se të dëgjojmë dërdëllitjet moralizuese.
Ka edhe reporterë që parashikojnë planet 6 mujore të vrasjeve, por siç e ka kuptuar shumëkush të flasësh është tjetër nga të llomotisësh. Këta për një pjesë të reporterëve janë heronj, bash siç na i shpall Lutfi Dervishi.
Dhe që këtu kupton se ku thërret qameti në këtë vend.
Re.Pu
Add new comment