Veliaj u premton banorëve të njësisë 10: Do hyjmë në histori!
Punët nuk po ecin keq për qeverinë. Opozita ka rënë rehat dhe po bën sikur është e shqetësuar për reformën zgjedhore. Në këtë situatë në skenë del përherë gastori i politikës, kryetari i Bashkisë së Tiranës. Sot z. Veliaj ka thënë nga një tur pseudodëgjesash për buxhetin e vitit 2020:
Jam sot jo vetëm krenar që Kryeministri, mazhoranca jonë, qeveria jonë i qëndruan atij projekti deri në fund, por jam sot më i vendosur se kurrë që edhe teatrit t’i shkojmë deri në fund, edhe unazës t’i rrijmë deri në fund, edhe kopshtit botanik t’i rrijmë deri në fund. Kur të shkruhet historia e Tiranës nuk do merret njeri me këta hienat që vetëm shajnë, apo vetëm me këta që vënë gjobat.
Një garë mos të fitojnë nga kryetari i bashkisë i plasin gjobat. Nuk do merret njeri me këta, por do thonë a u bë sheshi, u bë stadiumi, u bë parku, u pastrua Tirana, u ndërtuan këto shkollat. Historia nuk ka vend për të gjithë, por ka vend për atë gjeneratë që ka bërë gjëra dhe unë ju premtoj që ne do jemi gjenerata që do hyjmë në histori që bëjmë gjëra konkrete për Tiranën
Të gjitha veprat për të cilat flet ky zotëri bëhen ose me koncesion, ose me paratë e buxhetit të shtetit. Por duke qenë se z. Veliaj e urren të zhgënjejë i përmbahet rolit të vet prej Zhvejku duke folur pa dëgjuar. Premton historinë për njerëz që në fakt teorikisht janë aty të dëgjojnë se çfarë do të bëhet me punët në lagjen e tyre. Zoti Veliaj tregëton në mediat e pushtetit lajme për historinë me shpresën se profilizon veten si lider që e shpall qytetin pronë të PS-së.
Add new comment