Ta shohim propozimin e Francës për atë që është

Postuar në 19 Nëntor, 2019 16:08
Skerdilajd Zaimi

 

Ka një zhurmë të madhe në mediat europiane sot për të ashtuquajturin propozim francez për reformimin e zgjerimit të Bashkimit Europian. Sipas informacioneve paraprake presidenca finlandeze nuk e ka pranuar, ndërkohë që zëra kritikë ka edhe nga Berlini. Sipas palës gjermane i lihet dorë të lirë vetos së një vendi në një proces që duhet të konsiderojë edhe aspektet gjeopolitike.

Është mirë që Qeveria Franceze po bën propozime konstruktive për procesin  e zgjerimit të BE-së, por nuk mund të ketë një reformë të procesit të zgjerimit, në të cilën të gjitha hapat e zgjerimit do të kundërshtohen me veto, derisa të ketë një dakordësim, siç e ka bërë Macron në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

shprehet nënkryetarja e grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun Gjerman, Katja Leikert.

"Kjo duket më pak si një reformë e proceseve të brendshme sesa një përpjekje për të penguar zgjerimin", ka shtuar ajo.

Vetë ekzistenca e këtij debate ka krijuar tashmë alibitë e nevojshme për qeveritë e Ballkanit Perëndimor që do dalin e do thonë se integrimi dështoi për shkak të problemeve brenda vetë Europës. Mirëpo kjo është një pjesë e së vërtetës, pasi perspektiva e analizës ndryshon. Për Francën është më e rëndësishme p.sh të shpëtohet Europa për atë që përfaqëson, jo të zgjerohet ajo në rajone që sjellin me vete sëmundje të patrajtueshme. Anëtarësimet mbi bazë konsideratash gjeopolitike kanë ndodhur edhe më parë. Greqia, Portugalia p.sh janë futur mbi këtë bazë, por ato janë vende ku kriza godet vazhdimisht dhe ku niveli i funksionimit të çdo standardi është përherë poshtë asaj që kërkohet.

Itali është një tjetër vend që ka probleme serioze, por që ka rëndësi për Europën në të gjitha drejtimet dhe pa të BE-ja vështirë se do të kuptohej si ndonjë gjë serioze në botë.

Mirëpo në kufijtë e tanishëm dhe me problemet serioze të emigracionit në Mesdhe, BE-ja dëshmoi paaftësi relative për të koordinuar politika efektive dhe të harmonizuara pa u cenuar rendi i brendshëm politik në disa prej vendeve anëtare. Destabilizimi që paralajmërohet në mënyrë ciklike e bën fare të pavlerë deklaratën se “Europa nuk mund të kuptohet pa Ballkanin Perëndimor”, kur kuptohet fare mirë se zemra e saj rreh në një rajon të njohur dhe të zhvilluar.

Europa si e tillë ka arritur një sukses relativ që të ushqejë me energji dhe aspiratë idetë e demokratizimit në Ballkanin Perëndimor, por kjo tashmë është shndërruar në fasadë për liderë të korruptuar në këtë rajon. Vendet tona kanë sy të veçantë për ta parë Europën. Zaevi tundi Marrëveshjen e Prespës kur i thanë "Jo" në 18 tetor, pa shtuar asgjë për standardet për të cilat vendi i tij ishte angazhuar zyrtarisht. Shqipëria po ashtu u rrotullua nëpër argumente se “në Europë po bëhet një sherr i madh”, ndërkohë që Gjermania shtoi 9 kushte specifike. Të gjitha këto flasin për shndërrimin e procesit në një raport gjeopolitik dhe jo në një përafrim standardesh.

Për këtë arsye propozimet e Francës duhen parë edhe me një sy të ftohtë, objektiv edhe nga këndvështrimi ynë si shqiptarë.

Është fakt i provuar se ne e shohim Europën jo si aspiratë politike, por si mundësi tregu pune dhe mjedis shkollimi dhe hapësirë për një jetë më të mirë. Në këtë kuadër lëvizja e lirë është padyshim arritja më e madhe për shqiptarët që janë tradhëtuar nga klasa e tyre politike që parziton mbi një proces integrimi të pakuptueshëm për shumicën.

Çfarë ka propozuar Franca?

Thuhet se janë shtatë pika-kushte që materializojnë atë që quhet anëtarësim i përshkallëzuar dhe me kushte.

Kushti i parë: Sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore. Që këtej nis projekti europian. A e plotëson Shqipëria këtë kusht?

Kurrë. Mjafton të shohim se çfarë ndodh me të drejtën e pronës dhe me depërtimin në Parlament të krimit. Sesi vendimmarrja është kaluar në duart hibride të politikës dhe krimit të organizuar.

Kalimi i këtij kushti, që është themeli një Shqipërie Europiane të çon te kushti i dytë: Arsimi dhe kërkimi.

E plotëson vendi ynë këtë kusht? Kurrë. Nëse ka një gjë që është alarmante është arsimi në këtë vend që është komercializuar skajshëm dhe është shdnërruar në një Pazar që ushqen korrupsionin dhe vret çdo investim për një administratë publike të denjë për këtë shekull.

Kushti i tretë: Punësimi dhe çështjet sociale.

Shqiptarët po ikin duke parë nga vendi i tyre fasadat e vilave të politikanëve dhe miqve të tyre. Çështjet sociale? Lexoni se çfarë thotë ministrja e Financave për një çështje minore si shpërblimi për pensionistët…Lexoni se ccfarw shkruhet pwr borxhin e sigurimeve shoqwrore. Dhe ne jemi ndër vendet qw këto vite kemi patur moshën më të re në kontinent!!!

Mund të vazhdohet gjatë me kushtet e Francës, por ajo që ka vlerë këtu është se propozimi i saj vendos provime reale dhe konkrete për vende si Shqipëria që duan të hyjnë në BE. Dhe duke qenë të tilla ato bashkësjellin edhe përgjegjësi reale nga qeveritë që premtojnë integrimin. Nga kjo pikëpamje, propozimi i Francës, nëse miratohet, duhet kapur dhe kuptuar për më të mirën e vet që është goditja e një klase politike që e ka çuar këtë vend në një pikë rënieje të paprecedentë. Që ka përmbysur çdo hierarki, që ka normalizuar të keqen dhe krimin, që ka standardizuar pabarazinë dhe që i ikën çdo përgjegjësie me demagogji banale. Që bën çmos të eliminojë apo mos lejojë krijimin e tregut për ta mbajtur nën kontroll ekonomik me gjithfarë marifetesh të gjithë ekonominë dhe burimet me vlerë.

Ne nuk jemi pjesë shpirtërore apo kulturore e përpjekjes europiane për unifikim. Është mirë të jemi të vërtetë. Ne jetojmë në brigjet e një shprese minimale për të emigruar, përfituar dhe pleqëruar në vendin tonë që e ripërkufizojmë ngaherë sipas modeleve që na paraqiten nga jashtë. Ne duam të jemi pjesë e një ndarjeje pasurie ku marrim thërrimet ndonëse i shesim njëri-tjetrit përrallën e europianit më të lashtë.

Duke kuptuar modestinë e Shqipërisë do të pranojmë edhe realitetin e një procesi që është shumë pragmatist për ne. Dhe duke kuptuar e pranuar këto do të duhet ta shohim më pozitivisht propozimin francez që vë në bankën e provës klasën tonë politike e cila nuk do t’I lejojë vetes që të flasë më për nevojën e një “Europe strategjike”, kur vendin e vet e ka katandisur në një vrimë të zezë në çdo drejtim.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.