Rrënjët e populizmit të djathtë në Europën Qendrore dhe Lindore

Postuar në 14 Nëntor, 2019 15:40
Elżbieta Korolczuk*

 

Në artikullin e fundit në “The Guardian”, bazuar në librin e ardhshëm “Drita që dështoi: Llogaritja”, Ivan Krastev dhe Steven Holmes pretendojnë se reagimi i tanishëm joliberal në vende si Polonia dhe Hungaria shpjegohet më së miri nga lodhja post-transformuese që i ka rrënjët në dështimin për të imituar Perëndimin pas vitit 1989. Ndërsa kësaj tendence "i është dhënë një shumëllojshmëri emrash - amerikanizimi, evropianizimi, demokratizimi, liberalizimi, zgjerimi, integrimi, harmonizimi, globalizimi e kështu me radhë - ... e gjithë kjo ka pasur gjithmonë kuptimin e modernizimit me imitim dhe integrimit me asimilim” duke rezultuar në pakënaqësi, zemërim dhe rezistencë që është shfrytëzuar kryesisht nga populistët e krahut të djathtë. Ata shprehen se "perëndia e liberalizmit" vdiq në Evropën Lindore, kryesisht për shkak të premtimeve të paplotësuara të liberalizmit perëndimor për të shndërruar vendet pas komunizmit duke i ndihmuar ato të hyjnë në rrugën e Perëndimit. Ky shpjegim përshtatet mirë me narrativat e demokracisë së brishtë në vendet post-komuniste, por a është i vërtetë? Liderët e sotëm populistë në rajon me siguri janë të etur për ta paraqitur demokratizimin si një formë të kolonizimit kulturor, dhe bëjnë thirrje për rigjenerimin e sovranitetit - në politikë, ekonomi dhe kulturë - në mënyrë që të mobilizojnë elektoratin. Por a është ky çelësi për sukseset e tyre elektorale?

Është e qartë se tensionet mes asaj që u premtua në vitin 1989 dhe asaj që u arrit dy dekada më pas ishin një nga faktorët që lehtësuan fitoret e partive të djathta populiste në rajon, por lidhja mes të dyjave nuk është as e hapur dhe as zhgënjyese me demokracinë unike në kontekstin postkomunist. Unë nuk jam dakord me vizionin e paraqitur nga Krastev dhe Holmes në tre nivele. Problemi i parë është se ata ndjekin në mënyrë kritike populistët në shembjen e diferencave mes demokracisë liberale dhe neoliberalizmit. Së dyti, ata injorojnë rolin e rrjeteve ultrakonservative transnacionale dhe diskurset në shpalljen e një vizioni të Perëndimit që ka nevojë të shpëtohet nga Lindja. Së treti, ata i shikojnë tendencat ilirale në fuqi si një veçanti e Evropës Lindore, më shumë sesa një prirje transnacionale, e pranishme edhe në shumicën e vendeve perëndimore.

Autorët priren të vënë në përballje liberalizmin si ideologji dhe praktikë e bazuar në lirinë dhe barazinë para ligjit, me neoliberalizmin si regjim ekonomik dhe sistem vlerash që promovon individualizëm të shfrenuar, shtet të vogël dhe prishjen e qytetarisë sociale. Ndërsa përkufizimi i liberalizmit është mjaft i diskutueshëm, mund të supozojmë me siguri se ajo që shpresuan shumica e polakëve në 1989 ishte një sistem i ngjashëm me shtetin social suedez në vitet ‘70, i cili ndërthurte liritë individuale me mundësitë ekonomike. Sidoqoftë, ajo që ata morën ishte më afër modelit amerikan të viteve '80, i karakterizuar nga një prirje për të ushqyer pabarazitë dhe shpalljen me krenari se, tani e tutje "çdo njeri për veten e tij". Për analogji me Janos Kis, i cili ka thënë se "Ajo që ne donim ishte shoqëria civile, dhe ajo që arritëm ishin organizatat joqeveritare", mund të konkludojmë se ajo që donin evropianët lindorë ishte demokracia liberale dhe ajo që ata morën është qeverisja neoliberale.

Kjo ndodh kryesisht sepse evropian-lindorët hynë në një Perëndim që ishte transformuar thellësisht nga populistët që kishte rritur vetë, siç është Margaret Thatcher, e cili promovoi ideologjinë TINA, me besim fetar dhe me shumë sukses. Edhe në vende të tilla si Suedia, shteti social ishte thërrmuar: fundi i viteve ‘80 dhe fillimi i viteve ‘90 në vend u shënjua nga zbatimi i reformave të reja të menaxhimit publik, të cilat çuan në privatizimin e banesave stok, shkurtime në sistemin e mbështetjes sociale dhe prezantimin e logjikës së tregut në marrëdhëniet shtet-qytetar. Me fjalë të tjera, ajo nga e cila shumë evropiano-lindorë janë të lodhur me të vërtetë nuk është liberalizmi, por përkundrazi binjaku i tij i keq - neoliberalizmi - i cili solli kushte të pasigurta të punës dhe jetesës, shkatërroi rrjetat e sigurimit të mbështetur nga shteti dhe e bëri produktivitetin Perëndinë e re. Polakët nuk e përçmojnë Perëndimin masivisht, në fakt nën qeverisjen e partisë Ligj dhe Drejtësi, mbështetja për anëtarësimin në BE është deri tani më e forta në mesin e vendeve evropiane: 97% në mars 2019.

Ky lloj euro-skepticizmi antikolonial që shprehet hapur nga shumë politikanë të krahut të djathtë nuk përhapet lehtë. Përkundrazi, polakët besojnë në projektin e integrimit evropian më fuqishëm se fqinjët e tyre gjermanë, për të mos përmendur britanikët. Ata gjithashtu janë më të kënaqur me demokracinë sesa mesatarja e BE-së: një sondazh i institutit Peë i realizuar në pranverë 2019 tregon se 66% e polakëve janë të kënaqur me mënyrën se si po funksionon demokracia në vendin e tyre, ndërsa mesatarja e BE-së është vetëm 39%. Këto të dhëna janë në përputhje me hulumtimet që tregojnë se mbështetësit e rinj të partisë Ligj dhe Drejtësi (ata që e votuan për herë të parë në 2015 duke i siguruar fitoren) tërhiqen kryesisht nga premtimi për përfitime ekonomike, siç janë transferimi i parave për familjet me fëmijë, nën Programin 500+. Ndërsa kanë tendencë të jenë më konservatorë se mesatarja e polakëve, ata nuk po shprehin asnjë “pakënaqësi ndaj statusit kanonik të demokracisë liberale” dhe nuk duket se janë zemëruar nga “politika e imitimit”. Ata thjesht dëshirojnë pará dhe dinjitet.

Për më tepër, Krastev dhe Holmes duket se nuk janë të vetëdijshëm për faktin se vizioni i Polonisë ose Hungarisë si model për Perëndimin nuk e ka origjinën domosdoshmërisht në Varshavë apo Budapest, por është gjithashtu shumë i pranishëm në mendjet e intelektualëve dhe aktivistëve ultrakonservatorë perëndimorë, të cilët eksportuan pikëpamjen e tyre për Perëndimin si i korruptuar nga revolucioni seksual dhe liberalizmi global. Ashtu si "promovuesit e demokracisë", të cilët pompuan ide dhe para në shoqërinë e brishtë civile të rajonit, kundërshtarët globalë të barazisë gjinore, të drejtave të pakicave dhe "elitave të korruptuara liberale", krijuan shtigje në vende të tilla si Rusia, Polonia ose Ukraina, duke shpresuar për më shumë mundësi politike në kontekstet pas tranzicionit. Sipas Gabriele Kuby, sociolog gjerman dhe ekspert ultrakonservator:

Një totalitarizëm i ri po zhvillohet nën petkun e lirisë (…) tani vendet e Evropës Lindore po ndërgjegjësohen për këtë prirje dhe libri im duket se po ndihmon në zgjimin e njerëzve. Shkatërrimi nuk ka shkuar aq larg këtu dhe njerëzit janë të motivuar t'i rezistojnë. Shpresa ime e madhe është që këto vende të Evropës Lindore do të bëhen një kështjellë rezistence në Bashkimin Evropian.

Korniza antikoloniale e përdorur nga Orbán ose Kaczyński nuk është as e re, as specifike për Evropën Lindore pas transformimit. Përkundrazi, është një krijim retorik që përdoret lehtësisht nga populistët e krahut të djathtë dhe ultrakonservatorët në kontekste të ndryshme për të kundërshtuar OKB, BE, OBSH dhe individë të tillë si George Soros dhe Bill Gates, që shihen si kolonizatorët e rinj. Siç kemi shpjeguar bashkë me Agnieszka Graff, kjo kornizë lehtëson lidhjen midis populistëve të krahut të djathtë dhe nacionalistëve në vende të ndryshme, sepse ajo i jep rëndësi vendit, autentikes dhe sovranit, pavarësisht shtetit apo kontinentit - janë gjithmonë kultura lokale, tradita dhe familja që gjenden të kërcënuara dhe kanë nevojë për mbrojtje: "Anti-kolonializmi është një meta-diskurs populist që trondit specifikat lokale dhe konfliktet gjeopolitike; ai paraqitet si një përpjekje për të mbrojtur njerëzit e thjeshtë, të varfërit, të pafuqishmit, të abuzuarit nga një rrjet elitash të korruptuara globale. "Kështu, emergjenca e diskutimeve antikoloniale në vende si Polonia ose Hungaria duhet të shihet jo vetëm si reagim ndaj një narrative të detyruar e të kapur, por si sinteza e një përpjekjeje prej disa dekadave të aktorëve ultrakonservatorë për t’i paraqitur barazinë, liritë individuale dhe të drejtat e minoriteteve si imponim dhe dhunë liberale.

Kjo na sjell te problemi i tretë dhe i fundit me konkluzionet e Krastev dhe Holmes: ata marrin rrugën e rrahur shpesh të nxjerrjes në pah të specifikave të kontekstit postkomunist, ndërsa margjinalizojnë rëndësinë e tendencave dhe lidhjeve transnacionale. Në një kohë kur populistët e djathtë jo vetëm që janë në rritje në Evropën Perëndimore, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Suedinë, por janë presidentë të vendeve-fuqi globale, si SHBA-të dhe Brazili, hedhja poshtë e lidhjeve dhe tendencave transnacionale nuk është asgjë tjetër veçse iluzion. Për të kuptuar suksesin e partisë Ligj dhe Drejtësi në Poloni ose Fidesz në Hungari duhet të marrim në konsideratë kundërshtimin në rritje të regjimeve neoliberale dhe zhgënjimin me mënyrat se si u vendos në praktikë liberalizmi në Perëndim, si dhe mobilizimin e shoqërisë civile iliberale në të gjithë botën. Shembulli më i mirë se sa thellë është ngulitur në politikë ky mobilizim iliberal është Kongresi Botëror i Familjes i organizuar në "qytetin e dashurisë" - Verona - në mars 2019. Ndërsa organizatori kryesor është shtetasi amerikan Brian Brown, në mesin e mbështetësve italianë të WCF ishin edhe zv.kryeministri i atëhershëm, Matteo Salvini, i shoqëruar nga disa ministra që përfaqësonin Legën, përfaqësuesit e OJQ-ve ultrakonservatore nga vende të ndryshme (përfshirë spanjollin Antonio Arsuaga, themeluesin e CitizenGo, një platformë transnacionale me mbi 10 000 000 përdorues dhe HazteOir, i cili është i lidhur ngushtë me partinë ultra-nacionaliste Vox), si dhe zyrtarë shtetërorë që përfaqësojnë Hungarinë dhe Brazilin, së bashku me peshkopin katolik të Veronës, Giuseppe Zenti, përfaqësuesin e Kishës Ortodokse Ruse, kryepeshkopi Antoni (Kryepeshkopi i atëhershëm i Vjenës dhe Budapestit), dhe Jim Garlow, një udhëheqës i njohur i ungjillorëve amerikanë.

Qëllimi zyrtar i takimit ishte të "mbrojë familjen dhe fëmijët", por degëzimet politike ishin të dukshme, veçanërisht pasi takimet e mëparshme janë zhvilluar në Budapest (2017) dhe Chisinau (2018). Të dy, Viktor Orbán dhe Igor Dodon, vizituan Kongresin dhe u dhanë “bekimin e tyre” përpjekjeve të organizatorëve për të globalizuar axhendën ultrakonservatore. WTC është vetëm një shembull i mënyrave në të cilat një luftë kulturore globale kryqëzohet me rritjen e tendencave iliberale dhe partive populiste të krahut të djathtë. Nëse beson se kjo prirje është vetëm një veçori rajonale e nxitur nga lodhja pas transformimit dhe dështimet e demokratizimit të sponsorizuar nga Perëndimi në vendet ku demokracia ka qenë gjithnjë e brishtë dhe "e huaja" është garantuese, kjo pikëpamje na verbon në perceptimin e realitetit: mënyrat në të cilat skepticizmi drejt liberalizmit ndikoi politikën kryesore në Hungari ose Poloni mund të jetë më shumë paradigmatik sesa provincial. 

Përktheu: Gazmira Sokoli

*Elżbieta Korolczuk është sociologe dhe punon në Universitetin Södertörn në Stokholm dhe Qendrën e Studimeve Amerikane, Universiteti i Varshavës.

Hulumtimi i saj përqendrohet në lëvizjet shoqërore, shoqërinë civile dhe gjininë. Ky artikull u botua fillimisht nga Euro Crisis në blogun Press.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.