Pollo shumëzon me zero betejën e dekriminalizimit: Jam për lista të mbyllura
Genc Pollo është bërë sot i gjallë me një intervistë në gazetën “Panorama”. Ndër të tjera, z. Pollo ka folur edhe për reformën zgjedhore duke shprehur mendimin se ideja e listave të hapura nuk përshtatet me realitetin shqiptar.
Unë e kam propozuar e përkrahur proporcionalin rajonal para afro 20 vjetësh, sepse kishte shenja se të fortët me mjetet e tyre mund të kapnin zona zgjedhore një emërore (në sistemin maxhoritar). Të fortët e atëhershëm, të dalë nga 97-ta, ishin prapë një karikaturë e Niçes, Rumit e Lalës që sot emërojnë kandidatët e partisë së Kryeministrit. Një arsye tjetër ishte që 30% vota të majta në Shkodër e 40% të djathta në Vlorë të gjenin përfaqësim parlamentar, që maxhoritari nuk e mundësonte. Kurse me listat e hapura, kam përvojën direkte të Partisë Demokrate të Re në vitin 2001 e 2005 dhe që atëherë nuk kam ndonjë entuziazëm për këtë formulë. Kam lexuar se është aplikuar gjetiu herë me e herë pa sukses. Por ku themi “ta vendosë populli”, debati bëhet shpesh populist e madje folklorik.
Popullin e projektojmë si spektatorët e një konkursi bukurie që përmes smartphone-t zgjedhin Miss-in. Mbase është rasti të kujtoj se partitë janë organizata me propozime politike e me njerëzit që do t’i realizojnë ato propozime; elektoratit i jepet mundësia të besojë me votë njërin nga garuesit.
Problemi i zgjedhjeve është që të mos shtrembërohet vota. Nëse flasim për sistemin zgjedhor, lipset ta shohim në këtë sfond. Fatkeqësisht shoh që kjo temë po përdoret për të lënë jashtë vëmendjes problemin e madh real
thotë Pollo.
Përtej këtij opinioni është një fakt i pranuar se cilësia e Parlamentit ka ardhur vazhdimisht në rënie dhe një shkak duhet kërkuar edhe te listat e mbyllura. Zoti Pollo mohon këtu luftën e PD-së me dekriminalizimin që u ndërtua mbi akuzën se njerëzit me rekorde kriminale në Parlament i futi z. Rama që e ka këtë pushtet pikërisht përmes mekanizmit të listave të mbyllura. Është një temë që patjetër kërkon debat profesional, por nuk mund të mohohet rënia e cilësisë së përfaqësimit e relatuar me listat e partive që ka çuar edhe kthimin e partive politike në klube personale kryetarësh.
Add new comment