Parathënia për Teatrin Kombëtar
Inspektoriati i prishjeve të ndërtimeve të papreferuara të pushtetit ka ndërhyrë që dje në mbrëmje në Unazën e Madhe për të prishur ndërtimet që bllokojnë projektin e këtij aksi. Është një projekt që e nxori qeverinë në dritën e hajdutërisë së shumëpërfolur e që megjithatë nuk është kundërshtuar nga asksush. Banorët kanë kërkuar dëmshpërblim të drejtë dhe për disa mesa duket pas dy vjetësh është dhënë një i tillë. Të tjerët kanë kundërshtuar edhe sot duke u konfliktuar me policinë. Tashmë e dinë të gjithë se banorët që bllokuan rrugën për kaq kohë kërkonin dëmshpërblim pasi ata kanë aplikuar në Agjencinë e Legalizimit pa marrë asnjë përgjigje.
Ky është një shtet që pasi të lë të ndërtosh pa leje, pasi të sugjeron ligjërisht të kërkosh legalizimin, një ditë të prish shtëpinë pa kthyer asnjë përgjigje. Ky është rasti për shumëkënd në zonën e Astirit dhe në zonën e Shkozës dhe këtu problemi është strikt ligjor në raportin shtet-qytetar. Në këtë kuadër pati kuptim protesta e banorëve të Astirit që sot u tradhëtuan edhe nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në një dalje qesharake para mediave, z. Basha premtoi ndëshkim:
Paralajmëroj gjithësecilin nga urdhëruesit, ekzekutorët që do mbajnë përgjegjësi para ligjit dita s’do vonojë e ju jap fjalën që s’do mungojë dita kur ata do përgjigjen para ligjit për këtë dhunë barbare për të mbushur xhepat e tyre
Për çfarë e ka fjalën ky zotëri? E beson kush vallë?
Kjo që ndodh me Astirin është parathënia e asaj që do të ndodhë shumë shpejt me Teatrin Kombëtar për mbrojtjen e të cilit Lulzimi ka nënshkruar edhe një memorandum. E imagjinojmë kollaj qysh tani duke dalë në kamera me rrënojat në sfond që premton se do ndëshkojë oligarkinë. Shija e zakonshme e tradhëtisë që është në martesë me pabesinë e pushtetit.
Add new comment