Turbo-vettingu i ligjit special dhe pasuria e paligjshme që nuk cenohet
Një kronikë e djeshme e TvT-së jep një pasqyrë të qartë të lodrave që bëhen me të ashtuquajturën reformë në drejtësi dhe armën kryesore të saj, vettingun. Një pyetje që shtrohet prej kohësh nga shumëkush është: të gjithë ata prokurorë apo gjyqtarë që dalin nga sistemi për pasuri të pajustifikuar do ta hedhin vetëm me kaq? Pyetja ka të bëjë me faktin se pasuria e pajustifikuar është e palogjshme dhe në abuzim të detyrës dhe më tej, me faktin tjetër se askush nuk po kujtohet që të çojë në ndjekje penale këta persona.
Në kronikë sillen dy përgjigje të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për këtë çështje, dhënë në dy kohë të ndryshme:
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka për detyrë të kryejë hetim administrativ dhe në përfundim të marrë masën për shkarkim ose konfirmim në detyrë, apo edhe masë disiplinore.Vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk është i formës së prerë, ai mund të ankimohet nga Komisioneri Publik ose subjekti i rivlerësimit.Është Kolegji i Posaçëm i Apelimit ai që vendos përfundimisht për një subjekt i cili i është nënshtruar procesit të rivlerësimit. Pasi të shprehet me vendim Kolegji i Posaçëm i Apelimit për subjektet që është bërë ankimim, atëherë Komisioni, në bazë të ligjeve në fuqi, do të referojë në organin kompetent të gjitha rastet ku ka evidentuar elementë të veprës penale
Përgjigja e dytë vjen pas pyetjes së bërë për faktin se tanimë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit janë verifikuar vendime të KPK-së. Pra kushti i kallëzimit në organet kompetente është plotësuar.
Për ato vendime që kanë marrë formë të prerë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe që ka dyshime për elementë të veprës penale, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në bashkëpunim me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit rast pas rasti do t’i adresojë ato në organet kompetente
Kjo është përgjigja e dytë.
Por çfarë pret KPK-ja që të bëjë adresimin e subjekteve të rivlerësuara? Dhe më tej akoma: në kuptim të ligjit pse nuk bëjnë kallëzime p.sh edhe subjekte të tjera që e kanë këtë të drejtë? Është e kuptueshme se vettingu po amputohet në forcën e tij kryesore: premisën për ndjekje penale dhe dënim të formës së prerë për njerëz që kanë bërë biznes me drejtësinë. Dhe këtu pëgjegjësi të madhe ka shumica në pushtet të cilës i intereson vetëm zëvendësimi I organeve të drejtësisë me njerëzit e saj.
Kjo situatë ndodh ndërkohë që kryeministri paralajmëron ligj special për ata gjyqtarë apo prokurorë që sipas tij janë të lidhur me krimin dhe vazhdojnë ushtrojnë detryën. Mesa duket z. Rama ka menduar t’i vendosë turbo vettingut aktual për të pastruar shtëpinë ku do njerëz të vetët. Të cilët vështirë në mos e pamundur se do të dënohen dhe më e rëndësishmja, DO TË DËNOJNË.
Ne pamë të gjithë se me sa vështirësi prokuroria nisi procedurën për prokurorin Arjan Ndoja. Dhe e bëri këtë vetëm pasi dikush pëshpëriti në media se në makinën e tij u gjendën dosje të humbura dhe marra nga arkiva e Prokurorisë së Durrësit. Është e vërtetë se ka një mbrojtje të organizuar ndaj vettingut, I cili përtej çdo konsiderate kushtetuese dhe ligjore është në veprim, por ka edhe një vullnet politik që të mos e shfryëzojë mundësinë ligjore të tij për të ndëshkuar deri në fund.
Shikoni sesi KPK-ja fshihet pas gishtit në përgjigjet e veta, ndërkohë që lënia të lirë e njerëzve të tillë, me burime financiare të mëdha dhe njohuri për funksionimin e sistemit ka për ta dhënë efektin e parë në media të reja që mund të dalin dhe mandej në një luftë proceduriale nervash me të rinjtë e sistemit duke mos përjashtur krijimin e impaseve serioze në sistem. Është joserioze dhe e rrezikshme që pasuri të paligjshme të mbeten në duart e atyre që kanë shkelur ligjin.
Add new comment