"Heronjtë" janë vetëm të Partisë Socialiste. Edhe konstantet erionike
Siç mund edhe të pritej për fotografitë e “200 petritëve në Bulevard” ka folur edhe deputeti socialist Spartak Braho. Ka folur në gazetën “Dita” dhe për ata që kanë ndjekur “debatin” gego- katoliko-komunist për këtë çështje mund të lexojnë që në përgjigjen e parë të intervistës këtë shkretëtirë verbale:
Është një gjest normal dhe i mirëpritur nga shumica e shqiptarëve. Na futi realisht në atmosferën e festës së çlirimit, një nga ngjarjet më të shënuara të popullit shqiptar. Një gjest i tillë meriton veçse të përshëndetet. Kush e bëri? Unë them unë se e bëri Erion Veliaj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili ka mbajtur një qëndrim të qartë pro luftës antifashiste. Por ai ka bashkëpunuar edhe me qeverinë e madhe, më saktë me Erion Braçen, zëvendëskryeministrin që është njëherësh dhe kryetar i komisionit qeveritar për 75-vjetorin e çlirimit. Pra është vepër e dy Erionëve. A ka vërejtje dhe a mund të ishte bërë më mirë? Natyrisht. E mira nuk ka fund. Unë kam kritikuar qëndrimin qeveritar për një sërë ngjarjesh historike që u përkujtuan gjatë këtij viti, si mospjesëmarrje të zyrtarëve të lartë të shtetit në festat e çlirimit të qyteteve, në përvjetorin e brigadave partizane apo në atë të Kongresit të Përmetit. Nuk mundet që mazhoranca e majtë qeverisëse të përfaqësohet në të tilla aktivitete të rëndësishme vetëm me Erionët dhe Gramoz Ruçin. Po të tjerët? Po Kryeministri Edi Rama pse nuk ka shkuar në asnjë nga kremtime përkujtimore që i bëjnë nder historisë sonë? Le të shpresojmë se kjo është një mungesë vëmendjeje e përkohshme dhe ta ndreqë në ditët që vijnë. A do t’i nderojë Edi Rama dëshmorët me grushtin lart më 29 nëntor? Le të presim. Do ndreqë një biografi të dyshimtë të tij. Por kjo nuk më pengon të them fjalë të mira për këtë gjest me vendosjen e portreteve të 100 Heronjve të Popullit dhe të dëshmorëve të atdheut në Bulevardin e madh që mban emrin e tyre. Duhet të themi se antifashizmi na bën nder ne shqiptarëve. Ky nuk është thjesht në slogan, është një realitet dhe një vlerë kombëtare, por edhe paneuropiane
Si mund të bashkëjetosh politikisht me këtë kategori që flet në emër të shumicës? Që mbron uzurpimin e hapësirës publike me gjithfarë lapërdhish politike? Që i thur lavde konstanteve erionike të këtij vendi që janë aty përherë për të na kujtuar se budallallëku dhe ligësia janë pasuria kryesore e patundshme e këtij vendi?
Me kë do festojë shumica e shqiptarëve këtë gëzim kaq të madh për çlirimin e atdheut që është pushtuar nga krimi? Me zotin Spartak, me erionët, taulantin? Apo me bukëvalen e këtij nëntori, Edin me grushtin lart? Por zoti Braho e di mirë këtë. Ai flet elektoralisht, duhet të gënjejë edhe për ca ata që ka gënjyer përherë partia e tij.
Një parti qorre si kjo që është në pushtet nuk po do të shohë se ata që ka nxjerrë në bulevard nuk përfaqësojnë shumicën, por vetëm atë si parti që ka uzurpuar përvjetorët e atyre që I quan fitore historike. Por që janë fatkeqësi kombëtare që kanë kompromentuar dhe njollosur edhe aktet e atyre që sot përkëdhelen si heronj. Është kjo verbëri dhe shtirje që në fund ka bërë atë që duhej me kohë: ka ndarë shoqërinë më dysh për ngjarje kaq të rëndësishme. Ndaj le të festojnë socialistët, ata që varin dekorata nga gusha në brez e që mburren siç kanë bërë këto 50 vjet. Le të festojnë edhe socialistët e rinj, të cilëve u rëndon shumë portofoli e që thellë thellë ndjejnë kompleks nga shumë prej atyre dëshmorëve që varen në bulevard pse u kujton një origjinë të cilën duan ta fshijnë me milionat që i kanë vjedhur këtij vendi. Edhe pse tiparet janë të skalitura thellë në mimikën e një grupi që sado ta stukojë veten me miliona e tradhëtojnë sytë dhe shikimi i kriminelit.
Add new comment