Akuza: Turqia ka shfrytëzuar marrëveshjet e sigurisë për të ndjekur kritikët jashtë vendit
Nordic Monitor, një media kritike ndaj regjimit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan raporton për luftën e Ankarasë zyrtare kundër kritikëve dhe gazetarëve turq jashtë vendit. Sipas medias në fjalë Turqia zyrtare e ka bërë të mundur një gjë të tillë përmes nënshkrimit të Traktateve të Bashkëpunimit në fushën e sigurisë mbi të cilat ajo abuzon.
NM shkruan se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga Turqia pas protestave të sheshit Gezi kanë të përfshirë luftën kundër terrorizmit me të cilën Turqia nënkupton fillimisht organizatën guleniste dhe kanë identikisht të njëjtin tekst. Mes vendeve që kanë rënë dakord me Turqinë në këtë pikë është edhe Shqipëria e cila ka nënshkruar marrëveshjen në vitin 2015. Nordic Monitor e veçon këtë marrëveshje sepse sipas saj në tekstin e saj mediat dhe rrjetet sociale karakterizohen si aktivitete terroriste krahas mediave vizuale dhe shkrimeve të autorizuara nga organizatat që Ankaraja i quan terroriste.
Në Shqipëri nuk është konstatuar në media ndonjë rast kur në zbatim të detyrimeve të marrëveshjes në fjalë të mbahen njerëz apo të ekstradohen ata drejt Turqisë. Por në Shqipëri është verifikuar absurdja: është ngritur një memorial përkujtimor për viktimat e grushtetit të shtetit në Turqi. Duke u pozicionuar fare hapur pro versionit të Erdogan për atë që ndodhi disa vite më parë.
Në cilat rrethana firmosen dokumente të tilla dhe vendoset ngritja e monumenteve si këto? Nën peshën e arsyes shtetërore të cilën nuk e kuptuam njëherë dhe nuk u tha ndonjëherë hapur?
Deri më tani qeveria e Erdogan ka arritur të marrë nën kontroll 217 shkolla në 17 vende – Guine, Somali, Sudan, Kamerun, Kongo, Kongo Demokratike, Mali, Mauritani, Niger, Tunizi, çad, Gabon, Bregu i Fildishtë, Gunieja Ekuatoriale, Afganistani, Venezuela dhe Pakistani, shumica e të cilëve kanë marrëveshje të bashkëpunimit në fushën e sigurisë me Turqinë. Shtuar presionit politik, shantazhit, premtimit për investime dhe marrëveshje tregëtare nga Turqia, marrëveshjet janë shndërruar në bazë për këto kapje të paligjshme të shkollave
shkruan ndër të tjera NM.
Tingëllon diçka e njohur kjo gjë? Në Shqipëri shkollat guleniste kanë ndërruar duart e menaxhimit nën konsensusin e shtetit shqiptar që nuk dihet se nga çfarë udhëhiqet në veprimet e tij. Është i njëjti shtet që strehon muxhahedinët iranianë, një opozitë radikale deri para pak vitesh terroriste kundër regjimit iranian, por i ngre përmendore viktimave të një konflikti civil në një shtet si Turqia.
Vend që është nën sanksione nga SHBA dhe mbi të cilin po ngrihet pyetja nëse duhet përjashtuar nga NATO. Është një vend mbi të cilin ka përherë pretendime për zbatimin e disa standardeve. E njëjta media ka publikuar dokumente sipas të cilave në vitin 2016 shërbimi turk, MIT, ka rrëmbyer dhe torturuar një colonel të ushtrisë turke, ish-komandant i garnizonit turk të disloluar në Katar, i cili ka shërbyer edhe në NATO. Ersoy Öz u piketua pikërisht për shkak të arsimimit në Perëndim, por këtu çështja shtrohet te tortura.
Çfarë e kushtëzon qeverinë në këtë sjellje? Sa i shërben ajo interesit të vendit tonë? Si duhet zgjidhur paradoksi i strehimit të një opozite ushtarake si ajo e MEK me izolimin e një opozite politike dhe ideologjike siç është FETO e Gulenit? Si të pajtohen këto qëdrime? Pyetje që marrin kuptim me rezolutën kundër ndikimeve të huaja në zgjedhje. Ja një temë për një komision hetimor. Kuptohet kur në Shqipëri të ketë opozitë.
Add new comment