Karnevalet e Nëntorit

Postuar në 02 Nëntor, 2019 15:55

Bulevardi kryesor i Tiranës është dekoruar sot me fotografitë e disa personave që në historiografinë shqiptare celebrohen si dëshmorë, apo heronj të popullit. Janë ata njerëz, të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, mbi të cilët regjimi i Enver Hoxhës glorifikoi veten dhe në një farë mase edhe e legjitmoi atë. Dora që ka dekoruar në këtë nëntor bulevardin ngjan të jetë nga Kryeministria, edhe pse ushtari i devotshëm që mban gavetën në çdo rast të tillë është Erion Veliaj i Bashkisë së Tiranës.

Pompoziteti katundaresk i kësaj gjetjeje vjen pas debateve për varrosjen me ceremoni shtetërore të Mit’had Frashërit ku mbajti një fjalë të rasti i përtejmi i të majtës dhe të djathtës, Edi Rama dhe pas diskutimeve për një konferencë të Akademisë së Shkencave për 75 vjetorin e të ashtuquajturit Çlirim të vendit. Mund të imagjinojmë paradën e tipit sovjetik të veteranëve me dekorata, mes të cilëve shfaqet kryeministri që këtë nëntor ka vendosur të jetë afër idealeve të luftës.

Monopolizimi i kësaj feste politike me figura të ish-Partisë Komuniste jep vetëm një mesazh: Në pushtet janë bijtë e atyre që masakruan një vend të tërë. Dhe ata po duan të rehabilitojnë marrëdhëniet me një pjesë të elektoratit. Nga pikëpamja historike karnevali në fjalë nuk ka asnjë farë rëndësie. Pasi në fund të fundit në një vend si Shqipëria nuk ka patur ndonjë betejë ideologjike, por luftë për pushtet.

Është kjo një arsye e mjaftueshme që kushdo që do jetë virtuozi i fjalimeve nuk ka nevojë të vërë ndonjë maskë me rastin e karnevaleve të nëntorit, sepse mjafton surrati i vet për të deshifruar çdo qëllim dhe rikujtuar semantikën e vetme të pushtetit: Do vjedhim sa të mundemi.

Përndryshe mund të pyesim duke u hequr si naivë e duke besuar se të gjithë këta që sot stolisin bulevardin me shikime nagantësh janë idealistë: ku rron ideali i tyre sot? Ku mishërohet?

Re.Pu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.