Situata e vështirë e buxhetit, pezullohen disa investime publike
Situata e vështirësitë financiare me të cilën po përballet buxheti i shtetit po imponon pezullimin e një pjese të investimeve publike që ishin parashikuar për këtë vit.
Sipas Top-Chhanel, institucionet janë udhëzuar të pezullojnë edhe disa tendera të mëdhenj që janë hapur para datës 15 tetor. Sipas të dhënave të publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimeve Publike, rezulton se janë pezulluar një sërë tenderash me vlerë të madhe, veçanërisht ato të prokuruara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, agjencia e blerjeve të përqendruara si dhe kompanitë publike të sektorit energjetik.
Më konkretisht Fondi Shqiptar i zhvillimit ka pezulluar tenderin për përmirësimin e infrastrukturës në Qerret me vlerë 1 milionë euro dhe atë të ndërtimit të rrugës së re përgjatë lumit Osum në Berat me vlerë 1.3 milionë euro. Të dy këto tendera janë çelur përpara datës 14 tetor, por janë pezulluar.
Ndërkohë agjencia e blerjeve të përqendruara ka pezulluar thuajse të gjitha tenderat e zhvilluara gjatë muajit tetor, kurse operatori i sistemit të transmetimit pezulloi blerjen e transformatorit të ri për nënstacionin Tirana 2 me fond limit rreth 2.5 milionë euro.
Add new comment