Kosova, e paprekur nga infeksionet e një shteti të dështuar si Shqipëria. Mbahen zgjedhje dhe njihen rezultatet
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë kanë prodhuar tashmë rotacionin politik. Drejtuesi politik i Partisë Demokratike, Kadri Veseli citohet nga mediat të ketë pranuar humbjen dhe kalimin në opozitë. Sipas rezultateve të deritanishme të përcjella zyrtarisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës, në krye qëndron koalicioni i Lëvizjes Demokratike të Kosovës me Lëvizjen e Vetëvendosjes, respektivisht me 24.97% dhe 26.05% të votave, regjistruar në zgjedhje si parti më vete, por që aktualisht janë opsioni më i mundshëm për qeverisje.
Lista Serbe ka marrë 6.11% të votave, kurse parti si Nisma e Fatmir Limajt në koalicion me Aleancën Kosova e Re kanë arritur vetëm në 5%. Ardhmëria për Kosovën që garon në koalicionin ka marrë 11%, kurse PDK-ja e Thaçit, 21.07%.
Në media të ndryshme është vënë në dukje se kanë humbur ato parti që kanë derivuar nga krahu i luftës, ndërkohë që në krye me diferencë minimale drejton një parti e cilësuar si radikale si LVV-ja. Shifrat e ngushta tregojnë qoftë për vullnetin për rotacion në Kosovë, ashtu edhe për faktin se kjo votë ka sfond social-ekonomik dhe nuk mund të relatohet me programet populiste nacionaliste të një partie si LVV.
Në çdo rast, Kosova kaloi një test si zgjedhjet, duke dhënë sinjale të qarta edhe për politikën e jashtme. Me LVV-në si element thelbësor politik, Tirana zyrtare humbet jo pak, qoftë edhe shansin për të bërë teatrin e protagonistit, të cilin presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e toleroi për nevoja të brendshme.
Por Tirana zyrtare humbet me gjasë edhe diçka nga të qenët pikë referimi i shqiptarëve në rajon, sepse Kosova dëshmoi aftësi për ndryshim dhe për të sfiduar shumëçka nga komuniteti ndërkombëtar. Konkretisht çdo përpjekje e të huajve për heqjen e taksës dhe vazhdimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës nën klimën e deritanishme, ngjan e vështirë për t’u realizuar. Të paktën nisur nga ajo që kanë premtuar drejtuesit.
Ndaj ekuacioni ndërlikohet shumë. Ironia e zgjedhjeve qëndron në faktin se ato u provokuan nga kryeministri Haradinaj që duhet të paraqitet në Hagë, por që luajti me idenë se politika e tij kundër taksës do të kapitalizonte vota më shumë. Kjo nuk ndodhi. Një mësim i mirë ky për të gjithë.
Në fund në një proces zgjedhor ku morën pjesë 43% e 1 937 868 votuesve, fitorja më e madhe është mbarëvajtja.
Bota mbarë mund të shohë se në botë ekzistojnë shqiptarë që organizohen në një shtet dhe bëjnë zgjedhje. Që njohin rezultatin dhe që nuk fshihen pas gishtit. E pamundura në Shqipëri, nuk ka pse të interpretohet si e pamundur për shqiptarët. Në fund të fundit, Shqipëria është një histori dështimi politik dhe shoqëror që nuk ka pse të penalizojë mbarë shqiptarët.
Add new comment