Agresioni ndaj traditës - rasti i Jeruzalemit*
Në pamje të parë, qyteti i vjetër i Jeruzalemit dhe rrethinat duken pak a shumë siç mund të kenë qenë shekuj më parë. Muret e verdha të qytetit të vjetër shfaqen ende si siluetë përballë peizazhit të kodrave dhe luginave që ka mbetur i njëjti. Drejt qiellit ngrihen ende faltoret e mëdha myslimane dhe të krishtera të qytetit: ari, shkëlqimi i Kubesë së Shkëmbit (xhamia) dhe Kisha e Varrit të Shenjtë, ku thuhet se është varrosur Jezusi. Por kjo do të ndryshojë. Autoritetet izraelite kanë miratuar një plan për të ndërtuar deri në vitin 2021 një teleferik në Murin Perëndimor, një nga vendet më të shenjta në botën hebraike.
Është faza e parë e asaj që parashikohet se do të jetë një flotë teleferikësh që do të kalojnë mbi vendet e shenjta, të njohura ndryshe si Pellgu i Shenjtë.
I trumpetuar nga liderët izraelitë të krahut të djathtë si zgjidhje e gjelbër miqësore me mjedisin për sfidat e rritjes së turizmit dhe trafikut brenda dhe rreth Qytetit të Vjetër, plani ka provokuar protesta në radhët e ambientalistëve, planifikuesve, arkitektëve dhe historianëve izraelitë, por edhe individëve të tjerë që parashohin kthimin e një vendi të trashëgimisë botërore në një farë Lunaparku hebre, me mijëra pasagjerë në orë që enden nëpër “gondolat” mbi qytet.
"Një barbari kundër një qyteti të brishtë", thotë arkitekti me origjinë izraelite, Moshe Safdie. "Një fyerje estetike dhe arkitekturore."
Të martën, kryeministri Benjamin Netanyahu, në përpjekje për t’u rizgjedhur, u zotua se, nëse do të kthehej në detyrë, ai do të aneksonte gati një të tretën e Bregut Perëndimor të pushtuar, duke e tkurrur çdo shtet të ardhshëm palestinez në një enklavë të rrethuar nga të gjitha anët. Kritikët e hodhën poshtë njoftimin si një dredhi elektorale të minutës së fundit, por kjo është në përputhje me politikat e mbajtjes së tokës, me të cilat Izraeli, për gjysmë shekulli, ka hartuar një arkitekturë të hollësishme të pushtimit.
Projekti i teleferikut është një shembull, që ilustron se si Izraeli synon që përmes arkitekturës dhe planifikimit urban të shtrijë autoritetin e tij në territoret e okupuara. Cilatdo qofshin vlerat e këtij teleferiku, për të cilat kritikët thonë se janë të papërfillshme, ky projekt kurorëzon një narrativë specifike hebraike të Jeruzalemit, duke i çuar më tej pretendimet izraelite mbi pjesët arabe të qytetit.
Ai tregon gjithashtu se si qeveria aktuale e Izraelit duket se po e sheh ruajtjen e vendeve të tilla ndryshe nga si e shihte më parë – një qasje më e gërryer, për qëllime politike, në lidhje me mbrojtjen e peizazhit dhe trashëgimisë, që e bëjnë këtë qytet një ikonë globale të besimit dhe historisë.
Plani është në thelb ky:
Të mbërthyer në shtylla gjigande, të lidhura përmes stacioneve të ngritura, të mbyllura me xham, kabllot do të kalojnë nga një lagje hebreje në pjesën perëndimore të Jeruzalemit në malin Sion. Ata do t’u rrinë larg, aty ku është e mundur, vendvarrimeve hebraike, në përputhje kjo me atë që në Bibël ndalohet: kalimi mbi varreza.
Nga mali Sion, makinat do të zbresin pranë Murit Perëndimor, në çatinë e asaj që do të jetë një qendër e re për një organizatë të krahut të djathtë të kolonive hebraike të quajtur Fondacioni Qyteti i Davidit, në mes të një prefekture palestineze të Jeruzalemit Lindor të quajtur Siluan. Qyteti i Davidit përmbledh në vetvete gërmimet arkeologjike të përqendruara në zbulimin e mbetjeve biblike hebreje, në përpjekje për të çimentuar një lidhje të lashtë hebreje në një tokë të kontestuar. Izraeli e konsideron Jeruzalemin Lindor të aneksuar, por në bazë të së drejtës ndërkombëtare, ai është një territor i pushtuar.
Për vite të tëra, fondacioni gjithashtu është përpjekur t’i dëbojë palestinezët nga lagjja dhe t’i zhvendosë të ardhurit (kolonët). Arkeologjia aty punon me doreza kur është fjala për të shtypur pretendimet hebraike mbi tokën.
Pasagjerët në teleferikë do të fitohen përmes një versioni hebre të historisë së qytetit. Pasi të zbarkojnë në Qytetin e Davidit, ata mund të udhëtojnë në sitin arkeologjik, pastaj të vazhdojnë në tokë në Murin Perëndimor përmes vendkalimeve herodiane nëpër të cilat kanë kaluar pelegrinët hebrej gjatë epokës së Tempullit të Dytë, tashmë të gërmuara pjesërisht nën shtëpitë e familjeve palestineze në Siluan. Pavarësisht se disa shtëpi arabe mund të prishen për t’i bërë vend këtij projekti, në të vërtetë ai duket sikur nuk e llogarit fare Siluanin arab. Turistët do të fluturojnë sipër tij dhe do të kalojnë në tunelet poshtë shtëpive të banorëve të tij palestinezë, pa qenë nevoja të takohen me ta.
Plani të sjell ndërmend të ashtuquajturat rrugë anashkalimi të Izraelit, të ndërtuara për të shpejtuar kalimin e sigurt të kolonëve hebrenj nga Bregu Perëndimor i pushtuar në Jeruzalem, pa u detyruar të shkelin në qytete palestineze.
"Arabët me sa duket do të përfitojnë nga përdorimi i teleferikut", thotë Javad Sijam, një banor i Siluanit, anëtarët e familjes së të cilit së fundmi u dëbuan nga një pjesë e shtëpive së tyre për të bërë rrugën për kolonët e qytetit të Davidit. "Por teleferiku nuk ka të bëjë me zgjidhjen e problemeve për ne. Ka të bëjë krijimin e problemeve të tjera".
Zoti Sijam pohon se, nëse autoritetet izraelite vërtet dëshirojnë që nga kjo të përfitojnë banorët arabë, ata duhet të riparojnë rrugën e ngushtë e të rrezikshme, shpesh të pakalueshme, që është mënyra e vetme për të dalë nga Siluani për mijëra banorë palestinezë. "Siluan është i madh dhe kodrinor," shton ai. "Shumica prej nesh nuk kanë as një mënyrë të thjeshtë për të arritur te teleferiku."
Ata që mbrojnë teleferikun i hedhin poshtë kritikat. Jeruzalemi është "shumë larg vendeve të tjera për sa i përket transportit publik," argumenton Nir Barkat, ish-kryetari i Jeruzalemit dhe tani anëtar i Likud-it në Parlament. Ky plan përfshin atë që njihet si “të shohësh përtej hundës tënde”.
Ai përshkruan një lloj të ardhmeje të ngjashme me filmin e animuar “Jetsons”, me makinat që lëvizin përmes kabllove që ngjiten në Malin e Ullinjve, poshtë në Kopshtin e Gethsemane-s dhe do të bëjnë një ndalesë të dytë në Siluan, përkrah mbetjeve të gërmuara të asaj që zyrtarët e qytetit të Davidit thonë se është Pishina e Siloamit, ku pelegrinët hebrenj të lashtë u lanë para se të ngjiteshin në Malin e Tempullit. Po, siç pranon edhe zoti Barkat, plani gjithashtu promovon Qytetin e Davidit.
"Ky është elementi sionist i projektit," thotë ai. "Qyteti i Davidit është prova përfundimtare e pronësisë sonë mbi këtë tokë". Të shkosh prej andej në Murin Perëndimor do të thotë të ndjekësh "rrugën nëpër të cilën haxhinjtë hebrenj erdhën për të adhuruar Zotin në qytetin antik, kur nuk kishte të krishterë ose myslimanë", thekson ish-kryetari i komunës.
Ai parashikon që stacionet e teleferikut do të ndërhyjnë më pak në horizont sesa mendojnë kritikët. "Është çështje shije dhe perceptimi," thotë ai. Arkitekti për stacionet, Mendy Rosenfeld, pajtohet. Ai i ka ideuar dizajnet e qelqit në mënyrë të tillë që të duken sa më pak të jetë e mundur. "Nuk ka asnjë mënyrë që të mund të fshehësh një sistem teleferikësh," pranon ai.
Por z. Rosenfeld përmend piramidën e I. M. Pei në Luvër, një ndërlidhës modern prej qelqi në oborrin historik të ish-pallatit mbretëror të Francës. Skeptikët e sulmuan piramidën përpara se ajo të hapej.
"Tani të gjithë e duan", thotë z. Rosenfeld.
Por Jeruzalemi nuk është Paris.
Duke punuar si arkitekt dhe planifikues për projekte në Pellgun e Shenjtë për shumë vite, Gavriel Kertez kujton se si zyrtarët izraelitë dikur ishin "jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj çdo ndërhyrjeje të vogël në këtë vend të shenjtë". Në një qytet të karakterizuar prej kohësh nga ndërtesa të veshura me gurë, autoritetet izraelite tani po miratojnë kullat prej xhami me 40 kate dhe zhvillimin e projekteve me ndërtesa që ngjajnë më shumë sikur janë në Singapor ose Xhakarta sesa në Jeruzalem.
"Me sa duket një pyll me shtylla të mëdha dhe stacione teleferikësh të ngritur në malin Sion është gjithashtu i pranueshëm", thotë z. Kertesz.
Banorëve arabë nuk u ka shpëtuar fakti se qeveria, vitin e kaluar, zgjodhi Ditën e Jeruzalemit për të shpallur një plan buxheti për teleferikun. Dita e Jeruzalemit përkujton pushtimin e Jeruzalemit Lindor nga Izraeli gjatë Luftës Gjashtë Ditore të vitit 1967.
Që nga ajo kohë, Izraeli ka ripërpunuar në mënyrë strategjike kufijtë dhe ka ndërtuar rrugë, mure dhe vendbanime masive hebreje për t’i mbrojtur hebrenjtë, por edhe për të marrë kontrollin, për të përçarë dhe për të kufizuar zgjerimin e lagjeve arabe.
Edhe “veshja” e vendbanimeve të Jeruzalemit Lindor me gurin e Jeruzalemit, uniforma arkitekturore që vesh tradicionalisht ndërtesat në Jeruzalemin Perëndimor Hebre, ndihmon në përhapjen e imazhit të një qyteti të vetëm hebre.
Teleferiku, thonë kritikët, është pjesë e të njëjtës përpjekje për të ngulitur një narrativë hebreje të Jeruzalemit të pushtuar.
"Më shumë se demografi", thotë Ronnie Ellenblum, profesor i sociologjisë dhe gjeograf historik në Universitetin Hebraik, "kjo është beteja e vërtetë për kontrollin e qytetit."
Z. Ellenblum përqendrohet te kontrasti arkitektonik i teleferikut - "direkt, jo fleksibël, indoktrinues" – me labirinthin e Qytetit të Vjetër me lagje të krishtera, hebraike dhe myslimane, duke kërkuar "që të kaloni nëpër të gjitha llojet e vendeve përpara se të arrini destinacionin tuaj, duke u përzier, duke ndier, duke humbur dhe duke e gjetur përfundimisht veten ”.
"Qyteti i Vjetër është hapësirë publike ekumenike, e pakontrollueshme, multikulturore", thotë ai. “Është Jeruzalemi historik. Teleferiku, me kthimin e qytetit në një stil si të Disney-t, është shprehje e dështimit të Izraelit sot për të mbizotëruar këtë sferë publike".
Jeruzalemit modern iu kursye ky diznejfikim (nga Disney), së pari nga kultura e lindur e kolonializmit britanik, me frikën e së kaluarës antike të qytetit, dhe më tej nga “paraliza” jordaneze, e cila e ngriu Qytetin e Vjetër sikur në qelibar.
Më tej, pas vitit 1967, Teddy Kollek, kryetari i bashkisë së Jeruzalemit, promovoi nocionin e një “ene shkrirjeje të përbotshme”, më e madhe se çdo narrativë apo fe.
Qëndrimi i tij kozmopolit reflektoi një qëndrim të besimit të Izraelit, sipas arkitektit Safdie.
Pas vitit 1967, z. Safdie punoi në projekte të ndryshme në Qytetin e Vjetër, përfshirë rreth Murit Perëndimor, të cilin ai tani e shikon nga shtëpia e tij. Muri Perëndimor është "një shkatërrim, i përulur, një vend i lashtë i trishtimit dhe humbjes", thotë ai. “Është zemra e judaizmit. Teleferiku është e kundërta: i ndezur, vulgar dhe agresiv ”.
"Agresioni i tij nuk të bën të mendosh për forcë, por për pasiguri dhe dobësi”, thotë ai.
Shkrimi është botuar në The New York Times
Përktheu: Gazmira Sokoli /TemaTv
*Titulli i ResPublica
Add new comment