Futbolli thotë atë që fsheh "elita"
Ndeshja e djeshme Tirana-Partizani është paraprirë nga akte dhune të cilat nuk çudisin njeri. Në fund të fundit futbolli është kthyer ngado në arenë dhune, pse të mos ndodhë një gjë e tillë edhe në një shoqëri që dhunën e ka pjesë të kulturës së përditshme. Mirëpo një banderolë si kjo ngjitur është me të vërtetë një akt i ekzagjeruar që nuk dihet si ta lexosh. Urrejtje? Nxitje e urrejtjes?
Duket se derbi si këto të Tiranës kanë amalgamuar një lloj ndarjeje dhe urrejtje që jo vetëm nuk ka të bëjë me futbollin, por që në një mënyrë shumë emotive dhe virulente parathotë diçka që sot ndoshta nuk e perceptojmë. Tifozët po dënojnë me vdekje virtuale njëri-tjetrin duke e zhvendosur vëmendjen dhe ushqyer instinktet te simbolet e regjimit komunist.
Dy vjet më parë kapiteni i Tiranës, Gentian Muça, u pezullua me një vit për shkak të thirrjeve të ngjashme në stadium, kur e asocioi Partizanin me Beogradin dhe komunizmin. Riprodhohet një ndarje e nënkulturës së kryeqytetit që pak ka të bëjë realisht me të djeshmen dhe më shumë duket si një përpjekje për të gjetur një arsye për përplasje fizike dhe përleshje në një vend ku në fakt nuk ndodh asgjë dhe ku çdo gjë është Pazar.
Të mos harrojmë se edhe nga radhët e Partizantit ka patur provokime të ngashme me një banderolë të Petrit Dumes, që as evokon historinë e klubit dhe sukseseve, por vetëm kërkon të irritojë palën tjetër të cilës I kujtohet se ka qenë përherë në pozita inferioriteti.
Add new comment