Çfarë loje po luan?

Postuar në 12 Shtator, 2019 22:16

Partia Demokratike po përqendron shumë energji në denoncimin e koncesionit të rrugës Milot - Balldren. Dhe parimisht me të drejtë. Jo vetëm për kostot e çmendura që nuk justifikohen, por edhe sepse kompanitë të cilat sot kanë në dorë një kontratë të miratuar me një ligj në parlament nuk kanë kapitale të deklaruara për të përmbyllur projektin. 

Mirëpo në një dalje të sotme për mediat, kryetari i PD-së, Lulzim Basha ndër të tjera tha: 

Një letër e ngjashme do t’i dërgohet të gjitha bankave të nivelit të dytë pa përjashtim, për t’i paralajmëruar se çdo financim, kredi apo garanci bankare dhënë këtyre koncensioneve, do t’i bëjë këto banka automatikisht subjekte të ndjekjes antimafia. Do t’i vendosë ato menjëherë në vëmendjen e përditshme të opozitës sot dhe të qeverisjes së nesërme në bashkëpunim me SPAK, BKH dhe institucione të tjera ligjzbatuese të Shqipërisë dhe vendeve partnere

Së pari zoti Basha nuk përcakton dot objektin e punës së SPAK dhe BKH-së. 

Së dyti, bankat veprojnë në përputhje me ligjet dhe kuadrin në fuqi duke marrë rrezikun e investimit. Do të ishte gjëja më e mirë, edhe për një tribun të drejtësisë si z. Basha nëse bankat do të financonin projekte të tilla sepse edhe në kuptim të hetimeve të mundshme nesër, gjurmët do të ishin më të kapshme. 

Sot z. Basha po bën çmos që bankat të rrinë jashtë këtij financimi duke e ditur fare mirë se projektet në fjalë që tashmë janë miratuar do të kërkojnë burime financimi jashtë bankare. Ku? Dhe cila do të jetë origjina e këtyre burimeve? 

Kjo është një e panjohur që z. Basha i leverdis shumë, sepse hap mundësitë e pazareve me shumicën në pushtet. Nuk ka asnjë projekt të denoncuar seriozisht dhe deri në fund nga z. Basha, por vetëm gjysëm denoncimesh, zhurmë dhe mandej mbyllje skandalesh. Informaliteti është mundësia e artë, rruga bankare e bën këtë të pamundur. 

Nëse për rrugën Milot - Balldren, kompania fituese do të arrijë të marrë tri kredi me nga 100 milionë euro për ta përfunduar, ky me të vërtetë që do të ishte lajm jo dhe aq i keq. Si do të kualifikojë si proces mafioz këtë? 

Po nëse p.sh BERZH financon projektin? 

Është një gjë të vlerësosh realitetin bankar që nuk përputhet me kapitalet që kërkojnë projekte të tilla dhe tjetër të kërcënosh bankat në këtë farë feje. Këtu nuk ka budallallëk, por ligësi dhe llogari. Kjo duket fare qartë.

Comments

Submitted by Tahir Gashi (not verified) on

Ngaterresa brenda llojit!
Hajduti therret kapeni hajdutin!
Shqiperia eshte ne gremine, po i heqin tullat e fundit!
Kur dalin keta bandite ne gjithe shtypin shqiptar, mua me kujtohet nje nene mirditore rreth te 80ve qe jetonte e vetme.
Banditet e Tiranes i prene dritat pse nuk kishte paguar energjine.
Keta po groposin nje komb te tere dhe akoma vazhdojne teatrin!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.