Lufta e fiseve
1. Prej dje të gjithë në qytet po e kuptojnë se ka zgjedhje”, më tha një mik me jo pak përvojë në zhvillimet e njëzet vjetëve të kaluar në Kosovë. Në fakt , “të gjithë” e kishin gabim. Ajo çka ndodhi të hënën në Prishtinë nuk ishte hapja zyrtare e fushatës zgjedhore – vendi atë ditë ende kishte një Kuvend kushtimisht funksional (kushtimisht, ngase nuk u shqua me ndonjë aktivitet të madh, por ende ishte formalisht në punë). Ajo çka ndodhi ishte fillimi i një gare që duhet t’i bëjë formalitete dy zhvillime të muajit shtator/tetor: fushatën zgjedhore dhe vetë ditën e zgjedhjeve. Të hënën AAK dhe PSD nënshkruan marrëveshjen për koalicion parazgjedhor, me ç’gjë filloi gara e koalicioneve, e cila mund të përcaktojë në javët në vijim fituesin e zgjedhjeve ende pa u mbajtur fushata, e lëre më pa u dhënë vota.
Për dallim prej shteteve të tjera, Kosova, me një interpretim të çuditshëm të Gjykatës së vet Kushtetuese, është vendi ku mandati për formimin e Qeverisë i jepet jo partisë, partive apo koalicionit të partive që pas zgjedhjeve dhe me konstituimin e Parlamentit mund të dëshmojnë arritjen e shumicës qeverisëse, por partive apo koalicioneve parazgjedhore që arrijnë numrin më të madh relativ të votave.
Pra, prej të hënës “të gjithë në qytet” nuk po kuptojnë që ka zgjedhje, por se ka përpjekje për krijimin e aleancave (koalicioneve, listave të përbashkëta - sido që të quhen) politike që duhet ta bindin elektoratin se kanë fuqi mbizotëruese. Pra, se numrat kumulativë (përmbledhës) që mund të krijojë koalicioni i tyre janë më të mëdhenj se numrat kumulativë të partive të tjera dhe rrjedhimisht garantues për marrjen e mandatit.
Dhe marrja e mandatit, për dallim prej sistemeve demokratike ku duhet bërë përpjekje për krijimin e një shumice qeverisëse, në sistemin kosovar nënkupton marrjen e imponuar të shumicës. Kjo për faktin se Kushtetuta e vendit obligon që Qeveria të ketë detyrimisht ministra serbë dhe pjesëtarë të minoriteteve të tjera, rrjedhimisht, obligon minoritetet dhe “fituesin” e zgjedhjeve që të formojnë Qeverinë.
2. Në momentin kur AAK dhe PSD nënshkruan koalicionin parazgjedhor, bënë atë që i karakterizon qeniet sociale që nga evoluimi i tyre paranjerëzor: u tubuan për luftë ekzistenciale. Pra, ashtu sikurse shtazët (përfshirë shtazën më të mençur, njeriun) krijojnë grupe dhe identitete (llava, fise, kombe) si instrumente vetëmbrojtjeje, pra ekzistence, ashtu këto dy parti politike nënshkruan marrëveshjen që të jenë një “fis” dhe që në luftën e ardhshme me “fiset” e tjera të tregojnë se kanë epërsi force.
Ky është reagim parësor instinktiv dhe është i kuptueshëm pa u thelluar shumë, por vetëm duke i parë sondazhet e fundit. Ato tregojnë se katër parti shqiptare (VV, LDK, AAK dhe PDK) janë tubuar, dikush pak më lart e dikush pak më poshtë, por me dallim që gjithnjë është në margjina të gabimit, tek numri prej 20 për qind të përkrahjes. Në momentin kur cilado prej këtyre partive nënshkruan marrëveshje koalicioni, krijon avantazh ndaj partive të tjera. Loja është e thjeshtë dhe njihet prej kohës kur njeriu ynë filloi të zbresë nga bjeshkët në rrafsh: tokën e rrafshit e zë ai që ka më së shumti burra, apo siç njihet në fjalorin e sotëm politik “meshqi”. Dhe anasjelltas, ai që nuk krijon epërsi numerike (që mbetet me më pak “meshqi”) është i hendikepuar që në fillim.
Porosia e parë, që nga e hëna, është se partitë politike që garojnë vetëm e kanë të garantuar qëndrimin në opozitë. Kush do pushtet duhet të hyjë në koalicion. Pushtetin do ta fitojë koalicioni që krijohet me më së shumti numra (“meshqi”) , matur me disponimin e sondazheve të fundit.
3. Porosia e dytë është se, meqë me rëndësi janë numrat (sa “meshqi” ke), nuk është edhe gjithaq me rëndësi se çfarë flet “fisi” politik. AAK dhe PSD nuk nënshkruan një program parimesh të argumentuara politike; nënshkruan një marrëveshje me të cilën i thanë njëri-tjetrit se si do të shpërndahen “meshqit” nëpër pozicione. Nënshkruan marrëveshjen se si do të bëhet shpërndarja e të dy palëve në listën zgjedhore, rrjedhimisht edhe në pushtet po të fitohet (dhe këtu termi “meshqit” është vetëm për kolorit, sepse në listat zgjedhore janë detyrimisht edhe femrat).
Në momentin e nënshkrimit nuk treguan se çka i lidh, pos lufta ekzistenciale për pushtet. Nuk patën rrëfim identitar; nuk treguan pse mu ky partner është i duhuri për të zgjeruar “fisin”, aq më tepër kur njëri partner deri dje e konsideronte tjetrin si formacion krimi, diçka që do të ishte krejt e papranueshme për identitetin e njërës palë.
4. Dhe, porosia e tretë është se fushata zgjedhore nuk është me aq rëndësi. Në dhjetë ditë të fushatës zgjedhore, koalicionet dhe partitë nuk do të kenë shumë hapësirë për të ndryshuar mendimet e votuesve. Me sistemin që ka Kosova, gjëja më me rëndësi në fushatën zgjedhore është dëshmia se ke “meshqi” të mjaftueshëm, dhe përforcimi i kësaj dëshmie. Koalicioni për të cilin numrat kumulativë të sondazheve tregojnë se prin natën e dorëzimit të listave zgjedhore në KQZ, ka avantazhin jo vetëm të numrave, por edhe të percepsionit se do të jetë fitues, një magnet për votuesin e papërcaktuar.
Rrjedhimisht, zgjedhjet do të përcaktohen në masë të madhe me mesazhe të thjeshta para se të fillojë fushata zgjedhore. Sipas modelit të AAK-PSD-së, mesazhi i thjeshtë është ky:
“Ne i kemi numrat dhe do të qeverisim pastër, sepse me ne nuk është PDK”. Ky mesazh mund të gjeneralizohet fare thjeshtë, për të gjitha koalicionet:
“Ne i kemi numrat dhe do të qeverisim pastër, sepse me ne nuk është fisi tjetër”.
5. Këtu vjen edhe porosia e katërt, dallimi mes Qeverisë së re dhe qeverisjes së re.
Përjashtimi i një fisi (për shembull në këtë rast PDK) është ndihmesë e madhe në luftë për pastërti në pushtet, por nuk do të thotë ndryshim qeverisjeje. AAK ka dëshmuar kapacitet impresiv për keqpërdorim të parasë publike dhe ndarje feudale të kulaçit korruptues e nepotist, saqë as përjashtimi i një organizate si PDK, që merret edhe me aktivitete të një partie politike, nuk do të thotë garanci ndryshimi në thelbin e qeverisjes. E thelbi i qeverisjes në Kosovë është ai që në shkenca politike quhet ekstraktiv: pra në pushtet janë “fiset” politike të cilat nxjerrin përfitime për veten. Për të bërë ndryshim duhet një qeverisje e re, që në shkenca politike quhet inkluzive, pra që trajton interesat e të gjithë qytetarëve, jashtë fisit - qoftë familjar, regjional apo politik.
Dhe, kjo porosi rri mjaft rëndë mbi supet e LDK-së dhe të VV-së. Gjatë një periudhe disamujore nga këto dy subjekte politike janë dhënë sinjale përafrimi për aq sa edhe të flitet për mundësinë e një liste zgjedhore. Që nga e hëna, po të aplikohen katër mësimet e dhëna nga AAK-PSD, e kanë edhe më të qartë pozicionin e tyre. Që të dy subjektet tanimë e kanë të qartë mësimin e parë se nëse dalin të vetme do të mbesin në opozitë. Që të dy subjektet po ashtu duhet të kenë tanimë të qartë se nuk është se do ta bindin ndokënd gjatë fushatës zgjedhore me analiza të thelluara sociale apo ekonomike. Në fakt, do ta bindin, paradoksalisht, me mësimin e dytë, e ai është se më shumë se rrëfimi që i përbashkon këto dy subjekte është fakti se ato po bashkohen për veprim për një qëllim, pra, se janë një “fis”.
Këtu hyn sfida e njëkohësisht përparësia e këtyre dy subjekteve. Në që të dyja zhvillohet një debat intelektual (doktrinar, politik apo tjetër fare, por debat) mbi qeverisjen në Kosovë. Rrjedhimisht, sfida qëndron në faktin se mes tyre nuk mund të ketë bashkim të natyrës AAK-PSD (“bëjmë listë të përbashkët, pastaj shpjegojmë si do të qeverisim). Dhe, këtu është edhe përparësia: duke pasur narracion intelektual mbi natyrën e qeverisjes, ndoshta mund ta gjejnë narracionin e përbashkët, atë për ndryshimin e natyrës së qeverisjes në Kosovë dhe për instrumentet politike e ligjore që janë të nevojshme për këtë. Atëherë ndoshta mund të dëshmojnë se e kanë me gjithë mend për ndryshime.
Koha Ditore
Add new comment