Saranda e njëmijë e një depozitave. Aty ku shurra konkuron denjësisht presionin e rubinetit
Jemi në rrugën “Abedin Dino” në Sarandë. Për atë që ka jetuar aty e di shumë mirë se çfarë do të thotë ujë me orar. Jo tani, por qysh në kohët kur Saranda propagandohej si vitrina e Shqipërisë sonë të dashur socialiste.
Saranda është nga ato vende ku nuk të bëhet ta hapësh televizorin. Ku Tirana të duket si një vend tjetër, i ndryshëm, i largët, si pas një dogane të cilën e kalon për herë të parë.
Ndaj edhe njeriu, që mundet të jetë shndërruar pas ndonjë blerjeje çfarëdo në një turist, e ka jashtë rutinës së vet interesin për spektaklin qeveritar të Bablokut. Por në kullotjet dixhitale të syrit mbi celular, irisi të kap tituj që të japin shpresë: Goditjet ndaj informalitetit në Sarandë janë të pamëshirshme.
Parada e kuponit tatimor është në pikun e vet. Të duket se je duke dëgjuar edhe në radio zhurmën tipike të makinetës që nxjerr letrën. Po çfarë më duhet mua kjo? Unë nuk kam ujë në shtëpi. Kuponi është halli i shtetit, apo qeverisë. Uji në shtëpi është halli im si qytetar, apo edhe si fshatar që për konvencion e quajnë ngado nëpër fjalime qytetar.
Ujë s’ka. Ncuq. Pikë. Vjen në orën shtatë të mëngjesit, të thotë një komshi i stërvitur me këto marifete. Pallati ka 10 pompa, që janë provë optimiste e faktit se të paktën ky numër është dy herë më i vogël se numri i mendjeve që popullojnë të ashtuquajturën godinë.
Ja se çfarë thotë një tjetër. Kur ishte Nanua, kryebashkiaku i Korfuzit i tha që të bënte lidhjet për Sarandën dhe mandej si kompensim të furnizohej falas ishulli. Desh u bë, por dolën ministrat shqiptarë dhe thanë që “e bëjmë vetë”.
Ja e bënë. E shikon?
Kanë bërë një depo të re, por nuk e kanë lidhur akoma. Se këta bëjnë depon pastaj çojnë tubat. Variant tjetër ky. Ka edhe një më të vjetër, me të dëgjuar prapë. U bë ujësjellësi me Navaricën sepse ziheshin inxhinierët që projekti me Bistricën është më I dobishëm apo ai me Navaricën. Përfundimi? Pa ujë.
Në dimër ka sa të çahen tubat, thotë tjetri. Ndërkohë në rubinet nuk ka asnjë pikë. Ka dy ditë që uji nuk vjen dhe depozita është boshatisur.
Bëhen 40 vjet, qëkur Saranda na u bë Qitet, që shurra konkuron denjësisht çezmat e shtëpive për presionin e vogël dhe të madh. Një tub shtesë atje, një pompë më tutje, depozita pa fund në këtë Qitet të njëmijë e një depozitave, që na qenka edhe turistik pa le.
Sigurisht që në lokale dhe hotele kjo nuk ndihet. Turisti nuk e sheh këtë gjë, por nëse Saranda po ndjek rrugën e profilizimit të turizmit duhet që të nisë të mendojë në funksion të kësaj perspektive. Duke nisur që nga Uji. Për të gjithë banorët, 24 orë në gjithë vitin. Kjo është A-ja e kësaj pune. Për të vazhduar me ndalimin e ndërhyrjeve pa fund që bëhen, me rishikimin e mënyrës sesi arnohet peizazhi urbanistik dhe duke i dhënë zgjidhje të diferencuar parkimit, përpunimit të mbetjeve dhe ujërave të zeza.
Por ta nisin nga Uji. Sepse të dhjerit rehat në mëngjes nuk ka pse të jetë privilegj i turistëve që rrojnë përkohësisht hoteleve, as edhe të larët e syve. Njeriu nuk ka pse të ketë bezdi të hyjë në shtëpi të vet sepse kështu qenka e thënë nga zyrtarët e ujësjellësit. Qytetari kaq mund të ketë për momentin në mendje sepse perlën e Mesdheut ja lë reportazhierëve me nam. Ai ka reportazhin e përditshëm para rubinetit që e sfidon si artifakt kuriozitetin me nevojën e përditshme, të dyja që paguhen rregullisht në fund të muajit.
Comments
Saranda e nje milion e nje
Saranda e nje milion e nje ndertesave te reja e pa urbanistike!
S'ka as ne Tirane o Djalo
E para urime qe ke guximin qe bertet dhe mbase qe ke edhe shprese qe mund te rregullohet. E mire kjo.
E dyta, ke kapur saranden po besoj do jesh aty keto dite, dmth te ka ardhur veza per te dale pa je hedhur perpjete se sarandjotet per ujin spara behen merak. Nje drejtor ujesjellesi atje deklaroi ne TV qe edhe pse e kishte mbyll rubinetin e qytetit per tre dite, nuk i ra telefoni fare. Mesatare kjo.
E treta, ku jeton ti djalo. Hajde shiko blloqet e Tiranes e po gjete pallat pa depozita, po ta rregulloj une ujin ne shtepi per gjithe jeten. Hajde ne Vasil Shanto a Myslym Shyri, hajde te pazari (ky i riu per fare) e mundohu te mbushesh uje nga dreka. Uje ska. As ne Sarande, as ne Tirane. Jo e mire kjo.
Perderisa ky milet nuk hidhet perpjete, (sic u hodhe ti tani) per uje, per drita, per rruge qe ua falin lokaleve, per pallate qe ta kane bere ate saranden si brazili, keta qeveritare te gjate apo te shkurter qofshin, pa uje do te te lene ty dhe mua bashke me ty.
Add new comment