Sa naiv zoti Rama!
U desh publikimi i dokumentave për dënimin në Itali të Valdrin Pjetrit që kryeministri Edi Rama të reagonte lidhur me këtë rast. Në 3 postime rrjesht në tuiter zoti Rama lë të kuptohet se nuk ka patur dijeni për të shkuarën e Valdrin Pjetrit dhe se për figurën e tij i ka besuar opinionit në Shkodër. Ai shkon më tej duke thënë se përgjegjësia është individuale dhe jo politike.
Postimi 1
I edukuar,i zoti,i respektuar familjarisht në Shkodër e kudo ka punuar,po kjo s’mjafton më!Kurrë s’kam menduar se Valdrini mund të fshehë të vërtetën në raport me ligjin,po deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht.
Postimi 2
Jo Valdrini,po vëllai im të jetë,s’ka shans të hedhë asnjë hije dyshimi mbi PS dhe mbi mua,në raport me ligjin e me besnikërinë ndaj popullit! Përgjegjësia për çdo akt individual të padenjë është individuale.Përgjegjësia jonë është si reagojmë ndaj një akti të padenjë individual!
Pyetja është pse reagoi sot zoti Rama, kur opozita flet prej kohësh për dënimin në Itali të Pjetrit. Heshtja që ai ka mbajtur lë të kuptohet se ai ka qenë në dijeni, por me gjasë ka vazhduar t’i besojë zotit Pjetri, duke injoruar akuzat e PD-së. Ajo që mbettet në pikëpyetje është e ardhja në bashkinë e Shkodrës. PS kuptohet e quan të fituar këtë bashki dhe ndoshta do përparojë me konstituimin e Këshillit Bashkiak. Një nga zgjidhjet është që ky Këshill të emërojë një kryetar të ri nga trupa e zgjedhur e këshilltarëve dhe më pas me kryetarin e ri të shpallë zgjedhje të reja për bashkinë e Shkodrës, të cilat mund të mbahen edhe në 13 tetor meqë Presidenti e ka dekretuar si datë dhe opozita është e gatshme të hyjë në garë. Në të kundërt zoti Rama mund të emërojë kryebashkiaken aktuale Voltana Ademi deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Add new comment