Çiçikovi i Ballkanit

Postuar në 05 Gusht, 2019 21:16

Ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar pretendon se do të vendosë në vijë marrëdhënien ndërshtetërore mes Serbisë dhe Kosovës, hapja e problemeve gjyqësore për ish-kryeministrin Ramush Haradinaj ka krijuar një parantezë përmes së cilës Beogradi zyrtar ka rikonfirmuar politikën e tij të vjetër. Shqiptarët janë kriminelë, ana e ligjshmërisë dhe drejtësisë qëndron nga Serbia. 

Në një intervistë televizive, kreu i Këshillit për Kosovën dhe Metohinë, Milovan Drecun, ka listuar shifra dhe të dhëna që sipas tij dëshmojnë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte thjesht një etapë krimesh që shqiptarët kryen ndaj serbëve.

Janë identifikuar thuajse 160 kampe burgu ilegal të terroristëve të UÇK-së…Ka deklarime të viktimave dhe dëshmi të krimeve të UÇK-së, harta, fotografi, audioregjistrime të aktiviteteve të saj.  Krimet janë kategorizuar sipas zonave operacionale, territoreve, bashkive dhe akteve kriminale…Ne do të shohim se cilat raste do të procedojnë dhe pastaj do të dorëzojmë dokumentet…Ekipi i Gjykatës së Hagës ka zhvarrosur 4019 trupa në periudhën 1999-2000 nga të cilët 50% u identifikuan, ndërkohë që vetëm një ishte serb. U vlerësua se janë edhe të paktën 1150 trupa në 80 vendndodhje që mungojnë. Si mundet të mos ketë gjurmë të tyre. Mund të ketë viktima serbe

citohet Drecun. 

Ai i mvesh Haradinajt përgjegjësinë për 33 burgje, sa për të tjerat për ato e ka fajin Thaçi dhe miqtë e tij. 

Pretendimet e një zyrtari që nuk e ka problem të shpërdorojë imazhin e vet duke spekulluar në këtë formë përvijojnë një kornizë groteske marrëdhëniesh. Është kjo Serbi që ishte e gatshme të ulej me Haradinajn në dialog, mjafton që ai të hiqte taksën. Është po kjo Serbi që pak muaj më parë ra në sy të mediave të huaja sepse përfshiu në ceremonitë e ditës së vet kombëtare njerëz të gjykuar ndërkombëtarisht si kriminelë lufte dhe është po kjo Serbi që ngre zërin kundër kroatëve për krime të kryera prej tyre. 

Në Kroaci dhe në Bosnje, Serbia, nën emblemën e Jugosllavisë u përball me trupa të rregullta dhe ka sens të kërkosh krime lufte përkundrejt një trupe të rregullt. Por vetë Serbia nuk pranon asnjë gjë, përveçse kur është nën presion të madh siç është rasti i Srebrenicës. Ajo po negocion me të huajt emra personash dhe kauza të veçanta, por nuk po rinegocion raportin e vet me historinë. Kosovës i kërkohet sot që të firmosë se lufta e saj e vitit 1999 ishte asgjë më shumë sesa një krim, përderisa UÇK-ja trajtohet si organizatë terroriste. 

Mirëpo Serbia nuk ka as fuqinë ushtarake, ekonomike dhe politike, por as moralin të pretendojë gjëra të kësaj natyre. Si një vend që ka patur pushtet në Ballkan dhe ka qenë përherë në qendër të lojrave gjeopolitike, ajo ka përgjegjësi të mëdha edhe për keqkuptimin e madh mes popujve të Jugosllavisë dhe nuk ka asnjë shans që ajo të vetëshpallet trashëgimtare e virtyteve historike që rrjedhin nga modeli i bashkëjetesës jugosllave, sepse ajo është shtama kryesore e sëmundjeve të atij modeli. Do të ishte më e pranueshme kjo sjellje nëse Beogradi do t’i përmbahej një politike parimore në raport me Kosovën, por ai thjesht po bën tregëti. Tregëti politike, territoriale dhe historike. 
Si mundet që ky lloj vendi të konsiderohet normal sipas standardeve të logjikës me zyrtarë si ky Drecun që thotë se mes të humburve mund të ketë viktima serbe? 

Serbia ka autorizuar materiale dokumentare për luftën e Kosovës. Në këtë këtu p.sh https://m.youtube.com/watch?v=UtjXfop64d8, shikohet sesi ushtarë të trupave të rregullta serbe flasin për viktimat e luftës dhe identifikimin e tyre në momentin e vdekjes, tërheqjen e trupave, apo edhe humbjen e tyre. Pra thuajse çdo gjë është e dokumentuar. Si vallë për krimet ngrihen hipoteza? Nuk është çudi që pas zbulimit të ndonjë krimi dhe disa viktimave të pasojë kërkesa për memoriale, njësoj si ato që Serbia kërkon në Maqedoni për heroizma të cilat i përlavdëron vetëm ajo. 

Sigurisht që kjo është politikë shtetërore, jo politikë pajtimi siç na thuhet në Tiranë nga miqtë shqiptarë të serbo-jugosllavizmës. Dhe nëse kjo politikë shtetërore do të provonte me fakte se Haradinaj apo Thaçi ka bërë krime, ajo do ndihmonte së pari shqiptarët e Kosovës për të parë ftohtë të shkuarën e tyre, por edhe të ardhmen. Në fund të fundit serbët kanë se çfarë të mësojnë: pas vitit 1999 zgjedhjet në Kosovë i fitoi linja pacifiste e Rugovës, jo heronjtë e luftës, ndërkohë që në Serbi edhe presidenti i tanishëm është një ish-zëdhënës i një politike ultrashoviniste të provuar. Serbia mundet edhe të fitojë me një Europë që ka konvertuar historinë në kapital turistik dhe jo etik e moral, por ajo vetë moral nuk bën dot. 

Beogradi është i bukur. Po. Kaq mund të thuhet me realizëm për Serbinë, edhe kjo për të qenë të vërtetë me veten. Asgjë më shumë. 

Re.Pu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.