S’paska qenë Edi Rama problemi!
Lulzim Basha do mbahet mend si politikani që ajo që ka ditur të bëjë më mirë është të gënjejë. Hoqi dorë nga mandatet, filloi sulmet me molotov, nuk u fut në zgjedhje dhe deklaroi fundin e Edi Ramës, por në fakt asnjë përmbysje nuk ndodhi.
Zyrat e kryebashkiakëve po lirohen pa zhurmë, ndërsa qershia mbi tortë është kërkesa e sotme e partive të opozitës për t’u regjistruar në zgjedhjet e 13 tetorit, ndonëse Basha kishte vënë si kusht panegociueshëm largimin e Edi Ramës dhe vënien para drejtësisë së kriminelëve të zgjedhjeve.
Kështu Partia Republikane, Partia Agrare Ambientaliste dhe LSI, i kanë kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të nisë procedurat për zgjedhjet. Duke e konsideruar të paligjshëm 30 qershorin, ato theksojnë se data e e re e caktuar me dekret për zhvillimin e vendoreve është 13 tetori, ndaj në bazë të kodit elektoral Komisioni duhet të fillojë përgatitjet për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit.
Kërkesa e depozituar tashmë në KQZ ishte edhe mbrëmjen e së enjtes në qendër të takimit që Lulzim Basha zhvilloi në orët e vona me aleatët e tij në selinë blu. Basha është shprehur se KQZ e ka detyrim të pashmangshëm ligjor të përgatisë zgjedhjet e 13 Tetorit, pasi i vetmi akt me fuqi kushtetuese në lidhje me zgjedhjet është dekreti i Presidentit.
Add new comment