Ligji për shtetësinë shqiptare, hiqen kufizimet për qytetarët e Kosovës. Shtetësi edhe për ata që lindin në Shqipëri
Qeveria shqiptare ka propozuar sot një projektligj të ri “Për Shtetësinë”. Në dispozitat e këtij drafti bie në sy mënyra e fitimit të shtetësisë shqiptare që është përmes lindjes, origjinës, lindjes në territorin e Republikës së Shqipërisë, natyralizim dhe birësim.
Bie në sy pika e dytë, pra fitimi i shtetësisë me origjinë që rregullohet në nenin 6:
Ky nen ka rëndësi themelore sepse i hap rrugën fitimit të shtetësisë të të gjithë qytetarëve me kombësi shqiptare, përfshirë ata në Kosovë dhe Maqedoni e më tej. Në të njëjtin draft përcaktohet se ligji në fuqi, ai me nr. 8389, shfuqizohet, sikurse edhe vendimi i Këshillit të Ministrave, me nr. 554 “Për përcaktimin e procedurave për njohjen ose fitimin e shtetësisë shqiptare nga personat me origjinë shqiptare, me përjashtim të shtetasve të Republikës së Kosovës”. Pra kufizimet juridike për shqiptarët e Kosovës tashmë bien dhe ata janë të lirë të aplikojnë për shtetësi shqiptare që e fitojnë duke provuar origjinën shqiptare.
Pika e tretë, fitimi i shtetësisë për shkak të lindjes në territorin e Republikës së Shqipërisë është një tjetër hap i madh për një vend si Shqipëria që përjeton sipas të gjitha parashikimeve rrudhje demografike. Jus Soli, siç njihet i njeh të drejtën e shtetësisë çdo personi që lind në territorin e vendit tonë, pavarësisht origjinës. Ky propozim nuk dihet sesi ka penetruar në ligj, pasi vetëm pak kohë më parë, zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda, deklarohej kundër kësaj të drejte. Ja se çfarë thoshte znj. Voda në një intervistë për TemaTv:
Janë vende me demokraci shekullore dhe ende nuk janë ndier të gatshme për ta përfshirë këtë lloj fitimi shtetësie në kriteret ligjore të fitimit të saj. Kështu që edhe ne menduam që Shqipëria, një vend me demokraci 27-vjeçare mendojmë të mbajmë linjën e përgjithshme të vendeve të BE-së duke mos e përfshirë këtë lloj mënyre fitimi në kriteret ligjore të përfitimit të saj
Çfarë ka ndodhur që qeveria ndryshoi mendim?
Add new comment