Vallë quhet shtet ky? Ministri i Brendshëm urdhëron kryebashkiakët të zbatojnë...ligjin!!!

Postuar në 20 Korrik, 2019 14:42

Aksioni kundër informalitetit vazhdon të perceptohet si veprim që duhet mbështetur nga një forcë e armatosur si Policia e Shtetit. Ndonëse na thuhet ditë e natë se po bëhet shtet, se po vihet rend dhe se bashkitë kanë në krye ata që duam dhe se reforma administrative territoriale do të sillte ndryshime.

Fjalë pa kuptim. Prej dy ditësh, ministra të qeverisë shqiptare kanë dalë në terren për të bërë realitet…atë që ligji e ka sanksionuar prej kohësh. Në krye ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj:

Që nga e hëna, ekipe të bashkisë me tufat e kontratave në dorë, të shkojnë pranë çdo subjekti, ta vënë përpara zgjedhjes, ose firmën ose ngre plaçkat dhe vazhdo atje ku e ke vendin. Dhe kjo të konsiderohet si një ndihmë e madhe, si një amnisti e madhe që po u bëhet këtyre subjekteve, të cilat duhet t’i kishin bërë kontratat që në muajin mars. Dhe kontratat duhet të bëhen me efekt prapaveprues. Jo nga sot e tutje, por me efektin prapaveprues që nga koha kur ata kanë filluar të ushtrojnë veprimtarinë këtu. Dhe ato taksa që gjenerohen nga kjo veprimtari t’u kthehen këtyre njerëzve që u takon, qytetarëve të këtij vendi. Të kthehen në më shumë shërbime për qytetarë të tjerë, për bashkinë e për kështu me radhë

shkruan ministri Lleshaj në faqen e vet Facebook. Gjatë fjalës së tij në Vlorë ministri i Mjedisit, anonimi Blendi Klosi është kujtuar të thotë ca shifra:  Nga 139, vetëm 11 janë të ligjshme nga këto që keni në vijën bregdetare.

Si mundet të ndodhë një situatë e tillë ku ligji prej vitesh thotë ndryshe, kur reforma territoriale parashikon kompetenca të zgjeruara mbi territorin nga kryebashkiakët? Si mundet të kuptohet një shtet që vepron me aksione demonstrative dhe ku një ministër i Brendshëm urdhëron…zbatimin e ligjit?

Dikush mund të thotë se rëndësi ka që po vihet dorë në një situatë të papranueshme, mirëpo kjo nuk vendos një standard të qëndrueshëm, pasi një gjë të tillë e bën vetëm Ligji. Politikat sjellin zhvillim kur ligji jo vetëm zbatohet, por ai krijon një taban poshtë të cilit nuk duhet lejuar të zbritet. Duhet kuptuar njëherë e mirë se ajo që sot shihet si arroganca e disa subjekteve private që vendosin çadra dhe marrin lekë, është asgjë më shumë sesa dështim i qeverisjes dhe refleks i arrogancës së pushtetit që toleron kur do, atë që do dhe për sa kohë e do. Kështu ndodh jo vetëm me një sektor kaq sezonal si turizmi detar, por edhe me mbjelljen e drogës që njëherë që njëherë e fiton si të drejtë ekskluzive Lazarati, njëherë Tepelena dhe njëherë tjetër zhduket si me magji.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.