Mos ti biem më në qafë kot

Postuar në 17 Korrik, 2019 22:46

Është e mundur të argumentohet përherë çdo humbje.

Kjo kritikë i drejtohej kryeministrit britanik Neville Chamberlain në vitin 1940 në Parlament ku i kërkohej dorëheqja. Për Chamberlain thuhej edhe se “ai luan gjithnjë, por edhe humbet gjithnjë”.

Edhe me standarde të tilla ne jemi larg. Sepse në Shqipërinë e vitit 2019 askush nuk e pranon humbjen për ndonjë gjë, që mandej ta argumentojë atë. Dikush është tre hapa para dikujt tjetër, ca të tjerë luajnë shah në mënyrë të padeshifrueshme, të gjithë janë në Pazar me oferta të njëjta, të tjerë shpallin fitoren e revolucionit. Njerëzia thjesht rri e shikon si spektatore dhe pret çudinë e radhës. Por edhe zullumin që e pason.

Në Shqipëri, Chamberlaini i ditëve tona, në miniaturë kuptohet, por edhe si karikaturë, është Lulzim Basha. Formalisht kryetar i partisë më të madhe opozitare, politikisht një varëse në qafën e nuk dihet se kujt, teknikisht një arrivist të cilit i kemi rënë të gjithë në qafë pa të drejtë. Basha e ka Mynihun e vet në maj të vitit 2017 pas të cilit shpalli luftën kundër sh.p.k të politikës. Ishte një gabim në të cilin e futën të tjerë, por edhe miopia e vet politike, por sidomos autizmi i plotë për të kuptuar se çfarë do të thotë detyra në të cilën e kanë ulur.

Ai rikuperoi për shkak të skandaleve të pandalshme të qeverisë, pakënaqësisë në rritje, kauzave publike dhe mirësisë së një pjese të mediave. Një administrator i mirë menaxhon siç duhet burimet që ka. Një politikbërës i kapitalizon ato për t’u zhvendosur përpara dhe për të bërë ndryshimin. Zoti Basha nuk është përfundimisht në kategorinë e dytë, ai i afrohet disi të parës. Një njeri i status quosë, një dashamirës i rehatisë dhe parasë, zotërisë në fjalë i kanë varur një këmborë që nuk e tund dot: Pushtetin.

Por pushteti është vokacion, prirje, shqisë, ndjesi, instinkt, vullnet, imponim dhe sidomos Besim. Besim te vetja, te kauzat, te disa vlera dhe te forca e njerëzve për t’i ndryshuar gjërat.

Zoti Basha provoi gjerësisht se nuk ka asnjë prej këtyre cilësive. Ai nuk e bindi dot veten që ta dojë Shqipërinë ndryshe edhe gjatë recitalit personal me himnin e flamurit pas çdo proteste, as edhe kur pas tij dhe nën thirrjen e tij rendën me mijëra njerëz që i premtuan vullnetin dhe vendosmërinë për çdo gjë. Bytheci i PD-së u dorëzua para presioneve të amerikanëve siç thonë, e shet këtë si tezë që ngjit në mendjet e njerëzve që gjenden në kryqëzim për të dalë mandej në qëndrime të asryetura dhe konsensuale.

Prej dy ditësh ish-zëvendësi i tij, Arben Ristani, po poston në Facebook refleksione mbi dështimin e politikës së rrugës dhe nevojën e një kthese. Një tjetër vokalist i z. Basha, Dashamir Shehi deklaroi se largimi i Edi Ramës nuk ka pse të jetë kusht, mjaftojnë disa garanci ndërkombëtare. Me këto budallallëqe mund të vazhdohet përditë, a thua këta opozitarë nuk kishin kaq tru sa të bënin kërkesa të tilla edhe më parë. A thua nuk ishin po këta të njëjtët që kishin Ministrinë e Brendshme gjatë vitit 2017 dhe mandej humbën.

Këta që flasin kështu e bëjnë këtë sepse u kanë thënë ndoshta, por edhe sepse padashje duan të fshehin atë që është e vërteta: zoti Basha nuk dështoi, sepse ai nuk humbi ndonjë betejë. Ai thjesht bën atë që di të bëjë më mirë: Braktis Betejën, pasi ka negociuar pazarin e tij. Atë Pazar që është në fakt ekosistemi që e mban gjallë këtë parazit: njëherë ngjan si I Sali Berishës, njëherë si i Edi Ramës, njëherë si i kunatit, njëherë sikur ka dalë jashtë kontrollit dhe është dashuruar me Shqipërinë, por në fund del ai që është: një zyrtar, një njeri me prerjen e drejtorit të prokurimeve që për çudi gjendet në detyrën e drejtimit të opozitës.

Nëse këto janë keqkuptime – sepse keqdashje nuk janë – është detyra e tij t’i zhbëjë. Por zoti Basha nuk e ka ndjesi pushtetin. Kjo duket qartë. Sepse ai që ka vokacion pushtetin dhe beson në disa të vërteta, nuk do të stepej ndaj asnjë presioni nëse do të shihte për 10 javë rresht atë pjesëmarrje njerëzish në protestë.

Tërheqja taktike është tjetër. Marrëveshja për zgjedhjet po ashtu është tjetër. Por ai që është në opozitë di ta bëjë të qartë se edhe kur detyrohet të bëjë pakte e mban të gjallë mesazhin se rotacioni i pushtetit do të sjellë ndryshime, ndëshkim, pranga dhe drejtësi. I shohim këto ne sot te PD-ja? Kurrë. Statuse në Facebook që flasin për vizione, akuza, kritika, denoncime, një media ndër mediat e shumta të këtij vendi.

Zoti Basha përfaqëson një gradë më poshtë në kontekstin e një krize permanente të tranzicionit që I ka detyruar shqiptarët të zgjedhin të keqen më të vogël. Zoti Basha nuk është as e keqe më e vogël, as më e madhe. Ai ka pranuar botërisht se thjesht nuk është alternativë. Ndaj kot ta akuzojmë dhe të humbasim kohë me të.

Re.Pu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.