Greqia na rikujtoi se jetojmë në demokraci patatinash
Në 24 orë në Greqi u votua, u numërua, u zyrtarizua rezultati i zgjedhjeve dhe kryeministrat shkëmbyen urimet.
Kjo në Greqi, një vend që po të lexosh mediat shqiptare konsiderohet si shovinist, shkelës i të drejtave, e të tjera pallavra llafazanësh të mbivlerësuar.
Po në Shqipëri? Në Shqipëri zgjedhjet janë një lloj mundjeje juridiko – politike që zgjat me muaj. Përveç 2013-ës kur rrokada u bë për tri ditë. 2019-a e gjen Shqipërinë në prag të çeljes së negociatave, por po të jetë fjala për zgjedhjet këtu rekordi është përmbysur. Pati vetëm votime me një parti reale dhe disa emra paketash sa për të metaforizuar me një urtësi urbane të kohëve të fundit.
Pati edhe një Komision Qendror të Zgjedhjeve që nuk di mirë sa kanë marrë pjesë në votime, që merr të dhëna me telefon, që argumenton mbi nevojat gjimnastikore “profesionale” të kryetarit de facto, Bibës socialist që është propozuar aty nga republikanët, se përkundrejt pasaktësisë dhe nevojës për informim, zgjedh të dytën, një komision që nuk i korrespondojnë fletët me votuesit. Livadhisjet e Denar Bibës në kopshtin pa gardh të Kodit Zgjedhor tolerohen nga ca osëbëera dhe odira që flasin qesim dhe janë shndërruar në kryeqytet virtual për politikën.
Europa, të paktën ajo që mendojmë se është, përfundon në kufijtë e Shqipërisë dhe nuk hyn dot brenda. Nuk ka raport dhe paçavure ta pohojë të kundërtën sepse ne jemi dëshmitarë të dy standardeve me zgjedhjet që vijnë nga dy botë.
Add new comment