Karikatura, shkëlqim dhe venitje në dy kohë politike
Karikatura si nëndegë e artit viziv njihet ndryshe si portreti i ekzagjeruar. Vetë fjala ka kuptimin e paraqitjes groteske ose qesharake nëpërmjet ekzagjerimit të një tipari karakteristik, ndërsa ruhet ngjashmëria e përgjithshme.
Si një zhanër që njohu zhvillim në shekujt e 16 dhe 17, karikatura u përdor nga satiristët e kohës për të vënë në lojë figura publike dhe politikanë. Megjithatë, disa e lidhin origjinën e karikaturës me Leonardo Da Vincin dhe vizatimet e tij në vitet e fundit të shekullit XV.
E lidhur ngushtë me median përgjatë gjithë historisë së saj, karikatura mbetet një formë e fuqishme e artit satirik, me të cilën vihen në lojë politikanë e njerëz të famshëm apo edhe fenomene të ndryshme të shoqërisë.
Nga element i fuqishëm i medias, shpesh karikatura është kthyer në mjetin kryesor të përcjelljes së mesazhit te publiku. Charlie Hebdo në Francë, një e përjavshme satirike e themeluar në vitin 1960, është parë për dekada të tëra si simbol i lirisë së shprehjes. Me tonet antikonformiste dhe një prirje herë-herë anarkiste, me karikaturat e saj, ajo ka provokuar shpesh, madje duke çuar edhe në tragjedi si sulmi terrorist i 7 janarit 2015.
Karikatura është keqkuptuar dhe keqinterpretuar shpesh. Në fillim të qershorit 2019, “Neë York Times” njoftoi se do të mbyllte rubrikën e karikaturave politike, pas reagimeve që pasuan një karikaturë të presidentit Donald Trump dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu.
Por cila është historia e karikaturës në mediat shqiptare? Fillesat e karikaturës shqiptare janë në shekullin e 19. Studiuesi Ben Andoni, autor i librit “Historia e Shqipërisë përmes karikaturës”, e lidh fillesën e karikaturës shqiptare me emrin e Murat Toptanit dhe lidhjen e saj me median në gazetën “Dielli” të Faik Konicës.
Pas Luftës së Dytë Botërore, karikatura në Shqipëri njohu një zhvillim të vrullshëm. Ndër më të njohurat në treg, revista “Hosteni” u bë vitrina ku pasqyronin punët e tyre karikaturistët shqiptarë.
Edhe pse nën regjimin komunist, karikatura arriti të bëhej njëfarë opozite. Në qendër të satirës viheshin fenomene negative të kohës, por edhe individë apo drejtues deri në një nivel të caktuar drejtues.
Pas viteve ’90, karikatura njohu një tjetër kthesë. Revista “Hosteni” arriti të mbijetonte për pak kohë në treg, por ndërkohë karikaturistët gjetën hapësirë për punët e tyre në një shtyp që nisi të zhvillohej.
Si një degë e artit pamor, karikatura përcjell mesazhe të forta, që shpesh kërkojnë një nivel të caktuar audience. Sa e vështirë është të bësh një karikaturë të goditur dhe të përcjellësh siç duhet mesazhin te shikuesi?
Studiuesi Agim Janina thekson forcën që ka karikatura, e cila shpesh e kalon atë të editorialeve. Për të, një karikaturist, përtej pasionit për artin, duhet të ketë një përgatitje të gjerë.
Aktualisht, në vendin tonë ka një numër të vogël karikaturistësh. Shumë prej tyre kanë zgjedhur të emigrojnë, duke gjetur hapësirë jashtë vendit.
Pavarësisht se përgjatë historisë së saj, marrëdhënia e karikaturës me median ka qenë e pandarë, vitet e fundit shumë pak gazeta lënë hapësirë për këtë zhanër të artit pamor që ka forcën e fjalës. Mungesa e financimeve ka sjellë tkurrjen e hapësirës për karikaturën në një treg mediash që paradoksalisht, për shkak të teknologjisë dhe rrjeteve sociale, është zgjeruar vrullshëm.
Karikatura shqiptare aktualisht nuk promovohet. Në treg nuk ka botime specifike satirike, ndërkohë që në vendet fqinje është një zhanër i kultivuar gjerësisht.
Megjithatë, interesi i të rinjve për karikaturën nuk mungon. Endri Beqaj është një i ri i pasionuar pas karikaturës. Por përtej rrjeteve sociale apo klientëve të rastësishëm që shfaqin interes për punët e tij, ai nuk gjen hapësirë në media.
Përgjatë rrugës së saj në shekuj, një tjetër element që ka ndryshuar te karikatura janë mjetet që përdor një karikaturist. Nga skicat me laps, vitet e fundit është kaluar te përdorimi i programeve grafike si Adobe Illustrator apo Corel Painter. Por ndonëse një metodë e lehtë dhe e shpejtë, ajo nuk mund të zëvendësojë forcën me të cilën flet një karikaturë e punuar me dorë.
Burimi: TemaTv
Add new comment