Ose kryetar opozite, ose zar i ambasadave
Lulzim Basha është sërish në qendër të vëmendjes. Ndaj tij po lobohet për një pakt të dytë me pushtetin që drejton tashmë një anije të mbingarkuar në një det që sa vjen e trazohet. Zotit Basha po i thonë të bëhet balanca e kësaj anijeje në këmbim të dhuratave të ngjashme me vitin 2017.
Për këtë arsye dhe për shkak të trashëgimisë së atij viti, zoti Basha është i detyruar të dalë thuajse përditë në deklarata siguruese se ai është opozitar safi.
Qëndrimi ynë është i pandryshueshëm, 30 qershori vetëm na motivon më shumë në vendosmërinë tonë: largimi i Edi Ramës, ndëshkim të politikanëve që vodhën zgjedhjet në bashkëpunim me krimin dhe të gjithë atyre që organizuan dhe zbatuan farsën e 30 qershorit, qeveri tranzitore, zgjedhje të lira e të ndershme, parlamentare dhe lokale. Edi Rama me kukuvajkat dhe mercenarët e tij dështuan në planin tashmë të zbardhur për ta përcarë PD dhe opozitën. PD dhe opozita dolën më të fortë dhe më të bashkuar nga 30 qershori. Ata nuk meritojnë asnjë vëmendje apo harxhim kohe. Injorojoni, përbuzini, e gjithë energjia në aksionin politik kundër padronit dhe financuesit të tyre, Edi Ramës
është shprehur sot Basha.
Vetë fakti që i duhet të japë sigurime të kësaj natyre dëshmon se mosbesimi ndaj tij qëndron. Zoti Basha megjithatë duhet të ndajë mendjen përfundimisht nëse është me opozitën, me atë pjesë të qytetarëve që mendon se largimi i Edi Ramës është domosdoshmëri, apo të bëhet një zgjidhje e halleve të PS-së dhe ambasadave në Tiranë që duan të inskenojnë Shqipërinë demokratike që mandej të blejnë hapjen e negociatave në tetor. Pra të blejnë një farsë me një farsë.
Vetëm një gjë duhet të mbajë zoti Basha parasysh pavarësisht miklimeve që I bëjnë lart e poshtë, apo edhe shantazheve me rusë e sovjetikë: sido që të sillet ai, asnjë votë më shumë nuk merr, asnjë votë socialisti jo e jo. Zotëria duhet të ketë parasysh se në vitin 2003, apo edhe në vitin 2007 Edi Ramën e votuan në bashki edhe një përqindje demokratësh që mendonin se ai kishte bërë disa punë, por e anasjellta nuk ka ndodhur dhe as ka për të ndodhur. Është mirë që të mos e keqlexojë këtë kapital njerëzor dhe politik që është emancipues për të majtën, por edhe problematik për të djathtën në raste të caktuara. Sot më shumë se kurrë vendi ka nevojë për OPOZITË, jo për marrëveshje. As për pakte. Zoti Rama është mandatuar të qeverisë i vetëm. Ndaj Marrëveshjet nuk kanë asnjë kuptim, madje janë dënim për opozitarizmin.
Sa për të huajt që e kanë në zemër Shqipërinë, zoti Basha mundet t’u japë sigurime sa të dojë dhe këtë e ka të thjeshtë: për nga vetë struktura e opozitës, Shqipëria e nesërme nuk ka asnjë shans të jetë më pak demokratike sesa kjo që është sot. Kuptohet nëse këta të huaj kanë merak demokracinë.
Add new comment