Letrat e Frojdit, një analizë e babait të psikanalizës përmes shkrimit epistolar
Në moshën 17-vjeçare, Zigmund Frojd i shkruante një shoku: "Deri tani ndoshta nuk e ke ditur se ke shkëmbyer letra me një stilist gjerman. Dhe tani unë të këshilloj si mik, jo si palë e interesuar, t'i ruash ato. Kujdesu për to, kurrë nuk i dihet”.
Frojdi i ri ishte premtues. Përkushtimi i tij ndaj shkrimit të letrave ishte i jashtëzakonshëm, madje në një periudhë të jetës, ai e kultivoi korrespondencën personale si art. Ai mendohet të ketë shkruar 30 000 letra gjatë 83 viteve të jetës së tij. Pasuria e tij përmban shkrime të egra dhe me shumë humor në rininë e tij, letra dashurie pasionante për të fejuarën e tij dhe korrespondencën jo më pak pasionante - me mikun e tij në Berlin, Wilhelm Fliess. Krahas këtyre është korrespondenca që dokumenton kapitullin e "vetë-analizës" së jetës së tij, kulmi i të cilës është zbulimi i kompleksit të Edipit dhe zgjidhja e enigmës së ëndrrës. Deri në moshën 30-vjeçare, ishte e qartë se shkrimi i letrave për Frojdin zuri vend jo vetëm në marrëdhëniet e tij ndërpersonale, por edhe në zbulimet e tij, në shfaqjen e psikoanalizës si lëvizje shkencore botërore dhe në mbajtjen e krijimtarisë së tij të palëkundur.
Korrespondentët e Frojdit mund të merrnin parasysh tensionin ndërmjet aspiratave të tij pozitive si dijetar dhe mjek dhe elementëve poetikë dhe lirikë të personalitetit të tij; të njihen me bashkëveprimin e revolucionizmit dhe konservatorizmit në idetë e tij; dhe të “gostiten” me mendimet e tij për feminitetin, seksualitetin, prindërimin, paranë, pirjen e duhanit, kancerin, ekologjinë, arkeologjinë dhe "një ligj çnjerëzor pa ndjeshmëri, që imponon ndjekjen e shtatzënisë edhe për një nënë që nuk e do atë".
Këta korrespondentë, ndryshe nga lexuesit e librave të tij dhe studimeve shkencore, mësuan se si ndihej ai në lidhje me statusin e tij publik, politikën, luftën e viteve 1914-1918, metafizikën dhe kulturën. Ata ishin të bindur për admirimin e tij dhe hapjen sa u përkiste risive që ato sugjeronin, dhe mësuan se si ndryshuan mendimet e tij në lidhje me teknikën psikoanalitike, interpretimin e ëndrrave, vendin e traumave të hershme seksuale në jetën e psikikës dhe në lidhje me homoseksualitetin. Me disa njerëz, ai ndau përshtypjet pas takimit të tij me Albert Ajnshtajn dhe për fantazinë e çuditshme që ai kultivoi në rininë e hershme për të analizuar carin rus dhe për të shmangur kështu një luftë tjetër.
Frojdi kënaqej kur i surprizonte marrësit e letrave me lajme sensacionale dhe lajme personale: për vendimin e tij për të hequr duhanin (i cili zgjati saktësisht deri sa mbaroi së shkruari letrën në të cilën ai e përshkruante vendimin) ose për një episode antisemitizmi, të cilin ai e përjetoi si pacient i shtruar në spital dhe ia përshkruante të fejuarës së tij, Martha Bernays:
"Të dielën, Koller ishte në punë te gazeta, njeriu që e bëri kokainën të famshme dhe me të cilin kohët e fundit jam miqësuar. Ai mendonte ndryshe për disa çështje të vogla teknike me njeriun që punon si kirurg për klinikën e Billroth dhe ky i fundit e quajti papritur Kollerin një "derr hebre". Tani duhet të përpiqesh të përfytyrosh llojin e atmosferës në të cilën jetojmë këtu - shkurtimisht, të gjithë do të reagonim ashtu siç bëri Kolleri: duke i dhënë një grusht në fytyrë. Burri e denoncoi Kollerin te drejtori, i cili, megjithatë, e hodhi atë poshtë dhe mbajti anën e Kollerit. Ky ishte një lehtësim i madh për të gjithë ne. Por për shkak se ata janë të dy oficerë në rezervë, ai është i detyruar të sfidojë Kollerin në një duel dhe në këtë moment ata po luftojnë në kushte mjaft të rënda. Lustgarten dhe Bettelheim (kirurgu i regjimentit) janë zëvendës të Kollerit.
"Unë jam shumë i mërzitur për të shkruar më gjatë tani, por nuk do ta dërgoj këtë letër derisa të mund të të tregoj rezultatin e duelit. Gjithçka është mirë, vogëlushja ime. Miku ynë është i padëmtuar dhe kundërshtari i tij mori dy plagë të thella. Ne të gjithë jemi të kënaqur, një ditë krenare për ne. Ne do t'i japim Kollerit një dhuratë si kujtesë e përhershme e fitores së tij".
Në mënyrë të ngjashme, hebraizmi enigmatik i Freudit, i cili ka preokupuar thellësisht biografët e tij, nuk mund të kuptohet pa lexuar letrat e tij. E njëjta gjë vlen për qëndrimin e tij ndaj socializmit, reagimin e tij ndaj ngritjes së nazistëve në pushtet, qëndrimin e tij ndaj lëvizjes sioniste, Universitetin hebre të Jeruzalemit dhe pranimin e psikoanalizës në kulturën hebraike, mendimet e tij mbi vdekjen, telepatinë dhe arkeologjinë, muzikë dhe qentë. Mbi të gjitha, pa letrat e tij, është e pamundur të kuptohet qëndrimi i tij ndaj së vërtetës - domethënë, lidhja e tij e përditshme me të vërtetën dhe thellësia e angazhimit të tij ndaj saj, një temë që shkon si një fije përmes shkrimit epistolar të Frojdit. Në një letër në vitin 1882, ai i shkruante Bernays-it:
"Për Marty-n tim të dashur,
"Po e filloj këtë letër pa pritur përgjigjen tënde, vajza time, në mënyrë që të të tregoj më shumë për veten dhe aktivitetet e mia sesa do të mund të mësoje përmes kontaktit tonë personal. Unë do të jem shumë i sinqertë dhe do të të hap zemrën, siç është e drejtë për dy njerëz që janë bashkuar përjetë në dashuri dhe miqësi. Nuk dua të vazhdoj të shkruaj pa marrë përgjigje, do të ndaloj në momentin e parë që ti nuk reagon. Monologët e vazhdueshëm të brendshëm për një person të dashur që nuk korrigjohen apo rifreskohen nga ai person, çojnë në mendime të rreme për marrëdhënien e ndërsjellë dhe madje edhe në largim kur ritakohesh dhe kupton se gjërat janë ndryshe nga sa i kishe menduar. As unë nuk do të jem gjithmonë shumë i dashur, ndonjëherë do të jem serioz dhe t’i them gjërat troç, siç është e drejtë mes miqve dhe siç e kërkon miqësia. Por duke vepruar kështu, unë shpresoj se ti nuk do të ndihesh e privuar nga asgjë dhe do të duhet të zgjedhësh midis atij që të vlerëson në bazë të vlerës dhe meritës, dhe shumë që përpiqen të të përdorin duke të të trajtuar si një lodër të bukur".
Një letër e Frojdit në vitin 1897 nga Wilhelm Fliess, ku përmendet për herë të parë kompleksi i Edipit, identifikon më nga afër se çdo koncept tjetër mendimin e Frojdit.
Interesi publik për letrat e Frojdit nisi me një pako letrash të nbërritura në Paris, që në vitin 1937 i ranë në dorë psikoanalistes franceze Marie Bonaparte. Kur e njoftoi Frojdin se i kishte blerë letrat e tij për Fliessi-n nga një librashitës gjerman, ai iu përgjigj se do të donte që ajo të bënte me to atë që bën një hebre kur gatuan një pallua: Ai e gatuan, e fut në dhe për një javë dhe pastaj e merr prej andej dhe e hedh në plehra. Bonaparte këmbënguli se do t’i mbante letrat, dhe gjatë pushtimit nazist i transferoi ato në Londër. "Vetëm imagjinoni", i shkruante ajo Freudit, "sikur të kishim bisedat e Goethe-s me Eckermann, apo dialogjet me Platonin".
Ashtu si ujqërit që përpiqen të gllabërojnë prenë e tyre, historianët e psikoanalizës e hodhën vështrimin mbi raftin e madh prej druri që qëndronte pranë dhomës së gjumit të Anna Freud në Londër, ku kishte ruajtur letrat e babait të saj.
Kurt Eissler, një psikoanalist njujorkez, themeloi Arkivin e Freud-it në vitet 1950 dhe nisi t’i mblidhte në mënyrë sistematike letrat e tij nga e gjithë bota. Ai ishte i pari që u lejua të hapte dollapin dhe të lexonte letrat drejtuar Fliess-it, të cilat konsiderohen si djepi i psikoanalizës. Ai ndjeu se mbante në duar fatin e një shkence të tërë. Fshehur mes letrave, a ka edhe dëshmi për shfrytëzimin seksual të pacientëve nga prindërit e tyre, për të cilat Freud kishte dijeni dhe nuk tregoi? A mbështetet revolucioni frojdian në një mëkat fillestar të refuzimit të psikanalizës dhe gjithë mendimit të tij nga Frojdi deri në ditët tona? Këto pyetje do të vazhdojnë t’i bëjnë të mendojnë për dekada të tëra ata që studiojnë Frojdin. Por interesi për letrat e tij drejtuar Fliess-it nxiti një dëshirë për t'u njohur me tërësinë e shkrimeve epistolare të Frojdit. Konturet e tij u zbuluan gradualisht si një kontinent i madh i letrash. Dhe ato, nga ana e tyre, vërtetuan pohimin e Thomas Mann, një nga korrespondentët e Frojdit, se kontributi i tij në letërsinë gjermane është po aq i madh sa kontributi i tij në shkencë.
Vetëvrojtimi i detyrueshëm
"Një ide e vetme me vlerë të përgjithshme më ka lindur. Unë kam zbuluar, edhe te vetja ime, fenomenin e të qenit i dashuruar me nënën time dhe xheloz për babanë dhe tani e konsideroj këtë një fenomen universal të fëmijërisë së hershme, edhe pse jo aq herët sa në fëmijët që janë bërë histerikë. Nëse është kështu, ne mund ta kuptojmë fuqinë e egër të kompleksit të Edipit, pavarësisht nga të gjitha kundërshtimet që arsyeja ngre kundër presupozimit të fatit; dhe ne mund ta kuptojmë pse e mëvonshmja “dramë e fatit” është e destinuar të dështojë keq. Legjenda greke mbështetet mbi një komplusion, të cilin të gjithë e njohin sepse e ndiejnë ekzistencën e tij brenda vetes. Gjithkush nga ne ka qenë dikur një Edip në fantazitë e veta dhe secili zmbrapset në tmerr nga përmbushja e ëndrrës, që bëhet realitet me sasinë e plotë të shtypjes që ndan gjendjen fëminore nga ajo e tanishmja”.
Në këtë letër të vitit 1897 për Wilhelm Fliess përmendet për herë të parë kompleksi i Edipit, i cili është studiuar më nga afër se çdo koncept tjetër i mendimin frojdian. Por një përmbledhje e letrave të tij (të ruajtura në Bibliotekën e Kongresit në Uashington, që është kujdestari i Arkivit të Sigmund Freud, u drejtohen 600 marrësve të ndryshëm) tregon se detyrimi i vëzhgimit vetjak - një ideal, i cili bëri që miliona evropianë të arsimuar që nga fillimi i shekullit të XVIII, të mbanin ditarë, në të cilët ata dokumentonin veten - arriti lartësi të reja në shkrimet epistolare të Frojdit. Shkrimi i një letre - dhe në këtë rast, zhanri epistolar, i cili sipas përkufizimit përfshin komunikimin me një individ tjetër, tejkalon kufijtë e "idealit të vetvetes" të adresuar në një ditar të lodhshëm - nënkupton një rrezik të caktuar.
Kur i shkruan dikujt tjetër, pothuajse gjithmonë del në dritë diçka që autori nuk ka qëllim t’ia thotë bashkëbiseduesit ose vetes. Unë e kuptoj shkrimin epistolar të Frojdit si vijimin e analizës që ai i bënte vetes një njeri i bindur se të pandërgjegjshmes i duhet dikush tjetër për t’i treguar historinë e subjektit. Ja se çfarë shkruante Frojdi në një letër për të fejuarën e tij, ndërkohë që studionte me Jean-Martin Charcot në Paris në vitin 1886:
"E konsideroj një fatkeqësi të madhe faktin se natyra nuk më ka dhënë mua atë gjënë e papërcaktuar që i tërheq njerëzit. Unë besoj se kjo është mungesa më e madhe që më ka bërë mua të jem i privuar nga një ekzistencë rozë. Më është dashur shumë kohë të bëj miq, më është dashur të luftoj fort për vajzën që dua dhe sa herë takoj dikë të ri për mua, unë e kuptoj se një impuls, i cili sfidon analizën, e bën atë person të më nënvlerësojë. Kjo mund të jetë çështje shprehjeje ose temperamentesh, ose ndonjë sekreti tjetër të natyrës, por çdo gjëje që mund të jetë, ajo e ndikon tjetrin thellësisht. Ajo që më kompenson për të gjithë këtë është përkushtimi që më është treguar nga të gjithë ata që janë bërë miqtë e mi - por çfarë po them kështu?"
"Por çfarë po them kështu?", pyet njeriu, i cili brenda një kohe të shkurtër do të thyente kufijtë e rrëfimit fetar dhe rrëfimit letrar dhe t'u mësonte pacientëve të tij përparësitë e një forme të re rrëfimi psikologjik: psikoanalizës. Tani e tutje, mund të thuash çdo gjë që të kalon nëpër mend. Kur një pacient që i nënshtrohet psikanalizës, pyet: "Çfarë po them kështu?", kjo është një shenjë se analiza po funksionon dhe se pacienti është në mes të një monologu të ri me veten.
Me sa duket, në një fazë fort të hershme, Frojdi mendonte se shkrimi i lirë (me përdorimin e një doze të moderuar kokaine) ishte për të një kusht për mendimin shkencor fillestar; se ai duhet të shfrytëzonte artistin brenda vetvetes për të mirën e shkencëtarit që ai dëshironte të bëhej. Dhe le të mos harrojmë se në letrat e tij, shumë më tepër se në shkrimin teorik, Frojdi ndau me korrespondentët e tij procesin e krijimit. "Unë isha në depresion gjatë gjithë kohës dhe i bëja anestezi vetes duke shkruar pa fund”, i shkruante ai analistit hungarez, Sandor Ferenczi. Për autorin pacifist Romain Rolland, i cili dëshironte t’i ndizte interesin për thesaret e kulturës indiane, ai do të shkruante: "Në perceptimin tonë, madje edhe të menduarit është një proces regresiv" (kjo në sensin psikologjik).
Frojdi i ri ishte një shkencëtar i zellshëm. Lindja e psikoanalizës duhet t'i atribuohet një bashkimi të suksesshëm të ambicies, kureshtjes e këmbënguljes, imagjinatës krijuese dhe aftësive të jashtëzakonshme verbale me të cilat ishte pajisur Frojdi. Me fjalë të tjera, mund të flitet për një lidhje midis zbulimeve të tij shkencore dhe përgjigjes së tij ndaj nevojës për të shkruar, për të mbajtur shënime, për të kapur veten në fjalë dhe për të ndarë me të tjerët gjithçka që i kalonte në mendje.
"E di se kur shkruaj, duhet ta bëj veten artificialisht të verbër, në mënyrë që ta përqëndroj dritën në një pikë të errët, duke hequr dorë nga kohezioni, harmonia, retorika dhe çdo gjë që ju e quani simbolike, të frikësuar, siç jam nga përvoja se çdo pretendim apo pritje e tillë përfshin rrezikun e shtrembërimit të çështjes nën shqyrti, edhe pse ai mund ta zbukurojë atë. Pastaj i shton atë mungon”, shkruan ai në një letër drejtuar Lou Andreas-Salome, në maj 1916.
Libido e tepërt
"Ajo që unë duhet të them në lidhje me argumentin tuaj nuk do t'ju habisë, pasi ju duket se jeni njohur me qëndrimin tim ndaj filozofisë (metafizika). Të metat e tjera në natyrën time më kanë shqetësuar dhe më kanë bërë të ndihem i përulur; me metafizikën është ndryshe - unë jo vetëm që nuk kam asnjë talent për të, por as respekt. Në fshehtësi – njeriu nuk mund t’i thotë këto gjëra me zë të lartë - besoj se metafizika një ditë do të dënohet si shqetësim, si një keqpërdorim i të menduarit. Unë e di mirë se deri në çfarë mase kjo mënyrë e të menduarit më largon nga jeta kulturore gjermane. Kështu do ta kuptoni me lehtësi se shumica e gjërave që kam lexuar në esenë tuaj kanë mbetur të pavlerësuara nga unë, edhe pse disa herë mendova se eseja përmbante mendime brilante". (Letër drejtuar Werner Achelis).
Kur korrespondenca e Frojdit me një student ose një mik e humbiste shijen e vet, kjo do të thoshte se e gjithë marrëdhënia ishte në dyshim. Frojdi nuk ua fshihte këtë të vërtetë korrespondentëve. "Ju pa dyshim do të mendoni se po ju shkruaj i nxitur nga motive praktike dhe jo nga një nxitje e brendshme pas një pauze kaq të gjatë. Dhe kështu është", i shkruante ai Fliess-it në një nga letrat që i jepte fund një marrëdhënieje të gjatë dhe intensive. Kur u njoh me Carl Jung, Frojdi e pa këtë marrëdhënie nga këndvështrimi epistolar, duke i shkruar: "Nuk ka dyshim se isha në kërkim të një korrespondenti... Unë e kuptova shpejt këtë dhe kjo më fiku epshin e tepërt. Më erdhi keq për këtë, por megjithatë jam i lumtur kur shoh sa shpejt ia dola. Që atëherë, unë jam bërë më pak kërkues dhe njeri që nuk duhet t’ia kenë frikën".
Qëndrimi i pakompromis i Frojdit ndaj së vërtetës bie gjithashtu në sy në letrën me të cilën i kthen përgjigje një nëne amerikane, e cila i kërkonte t’ia shëronte djalin e saj nga homoseksualiteti.
"Nga letrat e tua kuptoj se djali yt është homoseksual. Unë jam më i impresionuar nga fakti, se ju vetë nuk e përmendni këtë term në informacionin që më jepni për të. Mund t'ju pyes se përse e shmangni një gjë të tillë? Homoseksualiteti sigurisht nuk ka përparësi, por nuk është asgjë për t'u turpëruar, nuk është ves, nuk është degradim, nuk mund të klasifikohet si sëmundje; ne e konsiderojmë si një ndryshim të funksionit seksual që ka ardhur si pasojë e ndalimit në një moment të caktuar të zhvillimit seksual. Njerëz shumë të respektuar në kohët e lashta dhe moderne kanë qenë homoseksualë, mes tyre Platoni, Mikelanxhelo, Leonardo da Vinçi etj. Është një padrejtësi e madhe ta persekutosh homoseksualitetin si krim”.
Në fund të çdo dite të pune, Frojdi ia kushtonte një orë korrespondencës. Anna Freud tregon se babai i saj shkruante rreth 10 letra në orë - një detaj tjetër i ngjashëm me gjeni të tjerë si Bah ose Aleksander von Humbolt, të cilët gjithashtu kishin një kapacitet të jashtëzakonshëm pune.
Korpusi epistolar që Frojdi ka lënë pas është një nga më të mëdhenjtë që janë ruajtur në epokën moderne. Sot, 80 vjet pas vdekjes së tij, është e qartë se qytetërimi ecën përpara pa transmetuar dorëshkrime figurash shembullore në historinë njerëzore. Pikërisht për shkak të kësaj, njohja me letrat e Frojdit vë në pah humbjen e shkaktuar nga zhdukja pothuajse e plotë e kësaj forme të komunikimit dhe zhanrit letrar, i cili e pasuroi arkivin e shumë njerëzve që në agimin e historisë. Publikimi i letrave të Frojdit në këtë kohë – duhet përsëritur se ai, që në moshën 17 vjeçeare i shkruante mikut të tij Eduard Silberstein - është një përpjekje "për ta mbushur atë boshllëk".
Përgatiti: Gazmira Sokoli/ TvT
*Autori është bashkëpunëtor i Haaretz
Add new comment