Fuqia numerike e Aleancës për Shqipërinë Europiane
Zgjedhjet e 30 qershorit ishin zgjedhje pothuaj me një ngjyrë dhe numrat që prodhuan këto zgjedhje (po të mbyllemi vetëm tek këto numra) japin pak hapësira për konkluzione. Vlen të përmendet që koalicioni Aleanca për Shqipërinë Europiane (ASHE), dominoi në mënyrë ekstreme mbi subjektet e tjera që konkuruan në këto zgjedhje lokale. Me detajisht, në bazë të rezultateve paraprake që gjenden tek faqja zyrtare e KQZ nga 1619 këshillëtarë të këshillave bashkiakë gjithsejt në Shqipëri, Aleanca për Shqipërinë Europiane do marrë rreth 1555 këshillëtarë (Partia Socialiste me rreth 1137 këshillëtarë) , partia Bindja Demokratike 23 këshilltarë, koalicioni Shpresa për Ndryshim 12 këshilltarë, partitë që përfaqësojnë minoritetet 17 këshilltarë, partia Fryma e Re Demokratike 8 këshilltarë dhe Partia Komuniste me kandidatët e pavarur 4 këshilltarë. Sikur të ishin zgjedhje parlamentare numrat e 30 qershorit do prodhonin një fitore absolute me 100% të mandateve për Aleancën për Shqipërinë Europiane. Kështu partia Bindja Demokratike edhe pse me mbështetjen e opozitës parlamentare nuk do merrte asnjë mandat përballë koalicionit të PS-së. Grafiku i mëposhtëm tregon edhe raportin në mbështetje popullore, mes mazhorancës dhe opozitës që respekton institucionet e shtetit.
Siç shihet nga grafiku, pjesa opozitare në parlamentin aktual nuk ka mbështetje popullore as edhe për një mandat parlamentar të vetëm.
Pjesa më interesante e këtyre zgjedhjeve është pjesëmarrja dhe krahasimi i numrave të ASHE me numra nga zgjedhjet e kaluara ashtu që të konkludohet diçka në lidhje me opozitën joinstitucionale e cila fshihet pas pjesës bojkotuese të zgjedhjeve të 30 qershorit.
Në total partitë e koalicionit ASHE në vitin 2017 kishin 786322 vota që përbën 22,78% të zgjedhësve në lista në vitin 2017. Tani ASHE ka 715 820 vota që përbën 20.24% të elektoratit në total. Pra ASHE ka rënie prej rreth 70 mijë votash, ose 2.54% të elektoratit në total që mund të përkthehet me afro 5% të elektoratit aktiv (për arsye emigracioni etj., etj., elektorati aktiv në Shqipëri sillet rreth 45%-53%, 10 vitet e fundit). Për më tepër mjafton të shihet grafiku i mëposhtëm në të cilin paraqitet mbështetja në përqindje (në raport me elektoratin në total), e Aleancës për Shqipërinë Europiane në zgjedhjet e 30 qershorit dhe zgjedhjet e vitit 2017.
Siç mund të shihet nga grafiku rënia dhe rritja e votuesve të koalicionit ASHE nuk ka uniformitet. Kështu në zonat e Shkodrës e Durrësit ASHE ka rënie të fortë, kurse në zonën e Dibrës ka rritje të fortë (që mund të shpjegohet me kalimin e votave “Çame“ të 2017 tek koalicioni ASHE. Në zonën e Tiranës rënia është më e vogël, por e theksuar në bastionet e PD-së, Kamëz e Kavajë. Në Elbasan ASHE ka stabilitet, kurse në Vlorë ka rënie.
Tani në fund do bëj një analizë të pyetjes: Numrat e 30 qershorit, a i garantojnë mazhorancën koalicionit ASHE? Pra, sa mandate mund të merrte koalicioni ASHE sikur të kishim tani zgjedhje parlamentare të parakohshme dhe pjesëmarrja të ishte gjithëpërfshirëse?
Përgjigja komplikohet pak duke patur parasysh që fshehja e opozitës pas afro 78% e atyre që nuk morën pjesë nuk tregon fuqinë reale të bllokut opozitar të 13 partive të cilët braktisën rrugën institucionale të të bërit opozitë. Megjithatë përqindjet e votave të koalicionit ASHE në raport me elektoratin në total tregojnë numrin e mandateve që mund të marrë mazhoranca. Tabela e mëposhtme tregon se sa mandate i garantojnë votat e 30 qershorit koalicionit ASHE në dy situatat sikur pjesëmarrja në votime të ishte si e vitit 2015 dhe si e vitit 2017.
Për ilustrim do të shpjegoj rastin e zonës zgjedhore Elbasan. Zgjedhës tani ka 343 258 kurse pjesëmarrjet në votime kanë qenë 47.69% dhe 48.51% (votat e vlefshme në raport me elektoratin në total në Elbasan) në vitet 2015 dhe 2017 respektivisht. 77 594 votat që ASHE mori me 30 qershor në rastin e pjesëmarrjes të vitit 2015, do garantonin 7 mandate për ASHE pavarësisht konfiguracionit opozitar (në një koalicion të gjitha partitë apo të ndara). Në këtë rast ASHE në Elbasan do kishte 47.4% të votave të vlefshme dhe me një lëvizje prej 0.74% poshtë, garancia për mandatin e shtatë do humbiste. Kështu ai mandat do i kalonte opozitës n.q.s ajo do dilte e gjitha në një koalicion të vetëm. Sikur pjesëmarrja në Elbasan të ishte si në vitin 2017, atëherë ASHE do humbiste garancinë e mandatit të shtatë (megjithëse do ishte shumë afër) dhe ky mandat do varej nga konfiguarcioni opozitar. Kolonat -1M dhe +1M paraqesin se cfarë lëvizjesh në përqindje duhet të ketë koalicioni ASHE ashtu që ky koalicion të dalë nga siguria e mandatit që paraqitet tek tabela.
Pra, pjesëmarrjet e zakonshme në zgjedhjet shqiptare i japin mazhorancës së sotme garanci vetëm për 60 mandate nga 140 gjithsejt, n.q.s bazohemi tek rezultatet e zgjedhjeve të 30 qershorit. {Sa për krahasim numrat e koalicionit ASHE të vitit 2017 i jepnin këtij koalicion 67 mandate të sigurta. 7 mandatet e tjera i mori si pasojë e konfiguracionit të partive të tjera. Për më tepër mund të klikoni tek linku: http://www.respublica.al/2017/06/28/zgjedhjet-e-25-qershorit-elektorati-...} .
Normalisht që dalja e opozitës si një koalicion i vetëm i rrit shanset asaj, që të marrë sa më shumë mandate nga pjesa e mbetur e 80 mandateve të tjera. Dalja e opozitës e ndarë do t’i jepte mazhorancës disa mandate të pasigurta(që nuk varen direkt nga votat e saj). Gjithsesi numrat e mazhorancës janë tregues se opozita momentalisht joinstitucionale mund të jetë faktor deçiziv në të ardhmen politike të vendit.
Add new comment