Çlirohu nga komplekset z. Kryeministër! Merkel nuk të kërkoi ndjesë për gazetën "Bild"
Kryeministri Edi Rama ka folur sot pas mbylljes së votimeve në një konferencë me entuziazëm të parapërgatitur në selinë e partisë që drejton. Duke parë termat që zoti Rama kishte zgjedhur, binte në sy përdorimi i shpeshtë i fjalës Popull, Komb, duke sinjalizuar se kryeministri i Shqipërisë ka hyrë në një fazë delirimi që përcakton padyshim fundin politik të afërt. Zoti Rama ka tagër përfaqësimi të qartë politik dhe ekzekutiv dhe askush nuk e ka nominuar atë si baba të kombit – nëse ka diçka të tillë – që të flasë në emër të ndjesive të të gjithëve. Por jo vetëm kaq. Në një bashkim të çuditshëm të delirit me kompleksin e inferioritetit ndaj të huajve, të cilëve u detyron karrigen, zoti Rama ka pështyrë mbi vetë Republikën Demokratike që pretendon se e ka rilindur. Ndër të tjera ai tha:
Jo vetëm faleminderit po edhe ndjesë, shumë ndjesë, kujtdo ndër miqtë e huaj, që u bënë objekt i sulmeve të turpshme personale, – poshtë shtëpisë, apo nga frëngjitë e kullave online e nga dritaret e ngrehinave televizive, – të halldupëve që me ato sulme, na turpëruan të gjithëve si vend, si popull, si njerëz
Ky është një shembull i qartë sesi dikush tinëzarinë retorike e përdor për të blerë dashamirësinë e të huajve, duke injoruar besueshmërinë e sistemit që pretendon se ka krijuar.
Zoti Rama nuk ka asnjë tagër të flasë në emër të medias shqiptare, as e përfaqëson atë dhe as e orienton dot. Media shqiptare përfaqëson atë që përfaqëson, me të mirat dhe të këqijat e veta, por në një sistem demokratik ajo funksionon e ndarë nga ekzekutivi. Zoti Rama na ka thënë shpesh se Shqipëria ka rilindur, ai vetë madje i është drejtuar gjykatave me padi kundër mediave. Kështu e ka demokracia. Kështu le të veprojnë edhe miqtë e huaj. Të mos harrojmë se është ky kryeministër i cili deklaroi me zulmë se do padiste gazetën “Bild” për shpifjet që sipas tij bëri ajo dhe gazetari Tiede, por asgjëkundi nuk dëgjuam që kancelarja Merkel të kërkonte ndjesë ndaj Kryeministrit tonë për shkrimet e kësaj medieje.
Kush mendon dhe kërkon arritje stilistikore në hartime të turpshme dhe djallëzore si fjala e sot e Edi Ramës, ka detyrim ndaj vetes dhe logjikës më minimale të ndalet te përmbajtja e saj, për të kërkuar dhe gjetur pa mundim komplekset e një njeriu politik që i rekomandon vetes arrogancë ndaj shqiptarëve dhe përulje poshtëruese ndaj të huajve. Bizantini i fundit i Shqipërisë politike mëton të përfaqësojë më të mirën dhe të na çojë drejt të ardhmes, i lejon vetes profka të tilla të cilat nuk ia kërkon kush. Është sjellja e atij që nuk e kafshon dorën që i jep bukë duke e shitur këtë filozofi si atu të shqiptarit modern dhe europian.
Falemnderit shumë për përpjekjen shkëlqesi, por mbaji për vete Sorekat, Borcardët, Hahnët dhe Mogerinët sepse xixëllimi koreografik i politikës Suaj “mondane” nuk impresionon kënd. Ai ble miqësitë personale, por jo mbështetjen reale për vendin.
Meqë jemi të falja dhe ndjesa, të gjithë ne kemi të drejtë të kërkojmë dëmshpërblim nga këta përfaqësues të huaj për spektaklin falas që u kemi ofruar me dhe pa dashje, me një kryeministër si ky që jep shfaqjet personale me atlete dhe pantallona të shkurtra, poture dhe bluza gjithfarëshe, aty ku duhet të fliste për vendin. Pasi vetëm Shqipëria e thinjur me gagarelë zararmëdhenj si ky mund të jetë kaq bujare me Europën sa ta shtyjë fatin e vet në kohë, për të argëtuar veten dhe dynjanë me pirgun më të madh të dënglave të kota të një artisti të dehur me veten. Por ndoshta ky është një kat’harsis historik i domosdoshëm…
Sa për median në emër të të cilës sot kërkon falje, kurse deri dje përbetohej me ligje kufizuese, zotëria duhet të kuptojë dhe e di fare mirë, se ajo ka vetëm një gabim: nuk e ka bërë mirë punën e vet. Nuk i ka thënë të gjitha për qeverinë e z. Rama dhe zullumet e saj. Nuk ka publikuar çdo gjë që disponon, nuk ka kërkuar sa dhe si duhet dhe për fat të keq vuan nga simptoma shqiptare e kompromisit moral. Kur ajo ta bëjë punën si duhet atëherë le të shohim nëse ky zotëri do të kërkojë falje, apo favore si dikur.
Re.Pu
Add new comment