OKB: Shqipëria tkurret, në vitin 2100 popullsia më e vogël se Maqedonia dhe Bosnja

Postuar në 18 Qershor, 2019 15:08

Në vitin 2100, Shqipëria do të jetë e parafundit në Ballkan sa i përket numrit të popullsisë. Kjo e fundit do të tkurret në mënyrë të tillë që do ta pozicionojë vendin tonë të parafundit, duke lënë pas vetëm Malin e Zi.

Kjo parashikohet në një raport të fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në bazë të projeksioneve të OKB-së për popullsinë globale, në vitin 2100, popullsia shqiptare do të jetë rreth 1 milion banorë, më pak sesa projektohet të jetë popullsia e Bosnje Hercegovinës, madje edhe ajo e Maqedonisë së Veriut.

Kosova nuk është pjesë e këtyre projeksioneve, pasi nuk është anëtarësuar ende në OKB. Serbia gjithashtu do të përballet me njërënie drastike të popullsisë brenda këtij shekulli. Por nëse popullsia në Serbi është parashikuar të përgjysmohet nga 8 në 4 milionë, popullsia e Shqipërisë do të reduktohet me një ritëm akoma më të madh. Në vitin 2100, Shqipëria parashikohet të ketë 1 088 000 banorë.

Raporti parashikon që në rang global, popullsia të ketë arritur në rreth 11 miliardë në vitin 2100. Në 30 vitet e ardhshme, pra deri në vitin 2050, bota parashikohet ta ketë shtuar me 2 miliardë popullsinë e saj, duke arritur në 9.7 miliardë.

India pritet të jetë vendi me rritjen më të madhe të popullsisë, duke lënë pas Kinën, që aktualisht është vendi me numrin më të madh të banorëve. Me trendin aktual, India parashikohet t’i zërë vendin Kinës në vitin 2027. Ajo së bashku me tetë vende të tjera, në vitin 2050 do të përbëjnë gjysmën e popullsisë së botës. Vendet e tjera me rritjen më të madhe përpos Indisë janë Nigeria, Pakistani, Republika Demokratike e Kongos, Etiopia, Tanzania, Indonezia, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ashtu siç pritet, parashikimet e OKB-së flasin për rritje të numrit të të moshuarve. Në vitin 2050, në rang global, një në gjashtë njerëz do të jetë në moshën mbi 65 vjeç, kur norma aktuale është një në njëmbëdhjetë. Disa vende pritet të kenë dyfishim të numrit të pensionistëve në 30 vitet e ardhshme. Mes tyre janë Afrika e Veriut, Azia dhe Amerika Latine.

Deri në vitin 2050, çereku i popullsisë së Europës dhe Amerikës së Veriut do të jenë mbi 65 vjeç. Kjo do të rrisë presionin financiar mbi qeveritë në dekadat e ardhshme, pasi rriten kostot e shëndeti publik, numri i pensioneve dhe kujdesi social.

Raporti “The World Population Prospects 2019: Highlights” është hartuar nga Departamenti i Çështjeve Sociale dhe Ekonomike (DESA) në OKB. 

TemaTV/Përgatiti: Gazmira Sokoli/

Comments

Submitted by Astrit (not verified) on

Interesante të kujtosh frazat që i afrohen më shumë asaj që mund të quajmë politikë demografike të shtetit e qeverisë tone: "njerëzit janë të lirë, dhe do ta mbushim vendin me imigrantë".
Sami Frashërin, vizionarin vërtetë Rilindas të kombit tonë, nuk po e nxë varri kur dëgjon fjalë të tilla. Rritja dhe përkrahja e natalitetit, përkrahja e familjeve me fëmijë çerdhe falas dhe të tjera gjëra që po diskutohen dhe po bëhen realitet në Europë, janë nocione të huaja për "elitat" tona me diplomë të Institutit të Arteve apo doktoratura të falsifikuara që kujtojnë se bëjnë trendin në Europë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.