Italia nuk është Ajo që rrëfen z. Bollino

Postuar në 17 Qershor, 2019 14:18

Carlo Bollino sjell në një shkrim të sotshëm shembullin e Italisë për funksionimin e demokracisë në standardet europiane. Në Bari është hapur një hetim për shitblerjen e votave në zgjedhjet vendore të 27 majit. Sipas Bollinos në këtë rast çdo gjë po tregon funksionimin e demokracisë pasi ndër të tjera sipas tij:

1) Asnjë media dhe asnjë politikan nuk ka guxuar të vejë në diskutim legjitimitetin e kryetarit të Bashkisë dhe këshilltarëve të zgjedhur më 27 maj, pavarësisht nga dyshimet e ngritura nga hetimet e prokurorisë

2) Asnjërës nga mediat nuk i është dhënë në dispozicion nga Prokuroria dhe asnjera nuk ka guxuar të publikojë asnjë akt hetimor, përveç informacioneve të përgjithshme, që nuk shkelin sekretin hetimor dhe nuk prekin vazhdimesinë e verifikimeve

3) Të gjitha partitë politike janë mbledhur duke nënshkruar një marrëveshje, me të cilën angazhohen “në përfundim të hetimeve” të distancohen dhe të heqin nga këshilli bashkiak i Barit cilindo eksponent politik, i cili “sipas autoriteteve gjyqësore” rezulton efektivisht i përfshirë në skandal.

4) Të gjitha partitë politike kanë vendosur të organizojnë një komitet monitorimi të perhershëm për të vigjiluar mbi kontakte mes politikës dhe krimit të organizuar, duke u angazhuar që të denoncojnë publikisht dhe të marrin masa në rast se vërtetohen raste konkrete dhe përgjegjësi individuale të eksponentëve politikë.

5) Të gjithë politikanët kanë pranuar se nuk është mundur të nxjerrësh fajtorë vetëm mbi bazën e dyshimeve dhe se duhet të pritet përfundimi i hetimeve të Prokurorisë

Zoti Bollino kërkon të manipulojë. Kush e njeh Italinë dhe jeton aty e di shumë mirë se çfarë gatuhet në atë vend në emër të demokracisë dhe procedurës. Sesi kjo politikë e llojit “bëni si them unë e mos bëni si bëj unë”, ka krijuar një klimë gati depresioni në atë vend. Thjesht z. Bollino shkëput një pasazh për t’ia kundërvënë atë krizës në Shqipëri si model shembullor, kur vetë italianët nuk e shohin Italinë si model. Sigurisht që Italia është shumë përpara Shqipërisë, shumë. Por kriza e atyshme është e thëllë dhe kompensohet nga faktorë të tjerë.

Por pika e dytë ka interes.

Asnjërës nga mediat nuk i është dhënë në dispozicion nga Prokuroria dhe asnjera nuk ka guxuar të publikojë asnjë akt hetimor, përveç informacioneve të përgjithshme, që nuk shkelin sekretin hetimor dhe nuk prekin vazhdimesinë e verifikimeve

Noshta është kështu, por manipulimi i votave në Bari rikthen Italinë në një dukuri të para 30 vjetëve, ndonëse tani shteti në Itali ka tjetër fuqi.

Ky pohim i z. Bollino nuk i përgjigjet të gjithë të vërtetës. Saverio Lodato p.sh është një ndër gazetarët më të njohur që shkruan dhe flet kundër lidhjeve të mafies me politikën. Në vitin 1988 ai bashkë me nje koleg të vetin u arrestuan për nxjerrje të sekretit hetimor, pasi publikuan dëshminë e të penduarit të Cosa Nostras, Antonio Calderone, akuza të cilat ranë në vitin 1991. Pra media ka qenë përherë në një front me akuzën.

Tjetër rast i famshëm ka të bëjë me hetimet VIP të magjistratit Woodcock. Disa çështje të famshme që ai ka hetuar kanë patur rrjedhje informacioni dhe vetë ai si magjistrat është shprehur disa herë kundër këtij fenomeni. Gjithashtu ai është hetuar, madje në vitin 2017 ai dyshonte për numrin 2 të Xhandarmërisë si "spiun" i mundshëm.

Por mediat nuk kanë qene kurrë pa faj dhe në rastin e Italisë ato janë përballur dhe me këtë aspekt të skandaleve. I tillë është rasti i ish- shefit të kabinetit të kryeministrit Prodi, Sircana, i cili u shantazhua për disa muaj rresht për disa foto që e kishin zënë ngushtë në marrëdhënie homoseksuale me pagesë. Kjo çështje ndikoi deri në përcaktimin e Drejtorit të Përgjithshëm të RAI-t si dhe në një luftë mes dy grupeve mediatike, RAI dhe Mediaset, përsa i përket transparencës. Fotografitë në fjalë ishin blerë nga Drejtori i asaj kohe i RAI-t dhe nuk u shfaqën kurrë, derisa ai u riemërua në detyrë. Më vonë u blenë nga e bija e Berlusconit, në detyrën e saj në krye të grupit Mediaset dhe Berlusconi njoftoi Prodi-n dhe më vonë shtypin, për ekzistencën e fotove. Sircana dha dorëheqjen...

Zoti Bollino thotë shpesh se ai ka qenë si gazetar në ballë të luftës kundër Mafies në Pulia, mirëpo për aq sa dihet Pulia nuk ka patur atë forcë të shfaqjes së fenomenit mafioz si Siçilia, apo Kampanja dhe Kalabria. Pa dashur të nënvlerësojmë, mund të pyesim z. Bollino që ka nxjerrë shpesh në mediat e tij materiale të hetimeve, a do të publikonte ai pjesë të dosjes “Avdylaj” nëse në pushtet do të ishte z. Berisha?

Ka qenë z. Bollino që pak kohë më parë publikoi një opinion në të cilin ankohej se prokurorë të caktuar po I përdornin mediat e veta duke përhapur lajme të pavërteta. Ky mundet të jetë një gabim profesional që pranohet. Por ama na provon se Prokuroria ka bashkëpunëtorë në media, të vjetër madje.
Nuk vlen ky lloj morali në një vend ku krimi ka shtetin e vet. Situata është emergjente jo pse ashtu bërtet opozita. Por sepse krimi dhe korrupsioni qeverisin.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.