Në kërkim të një lufte me Iranin
Nga Izraeli në Arabinë Saudite, aktorë të ndryshëm politikë dhe mediatikë po flasin për luftë kundër Iranit. “Qeni” i ndërsyer në këtë përballje ngjan të jetë SHBA që pasi po ngec në skenarin venezuelian, po hidhet në Lindjen e Mesme me alibi identike me ato që janë dëgjuar dekadat e fundit: luftë kundër terrorizmit, frymëzuesve të tij.
Llogaria me Iranin është e vjetër tashmë, ajo zë fill me poshtërimin e perëndimit në vitin 1979, kur në Teheran erdhën në pushtet islamikët shiitë të cilët siç propagandohet në Perëndim adoptuan strategjinë e përdorimit të terrorit si mjet mbijetese. Thuajse çdo vatër krize në Lindjen e Mesme është acaruar dhe ka përshkallëzuar drejt një lufte të vërtetë që nga dalja në skenë e ajatollahëve që kanë mbështetur pa rezerva krahun shiit të Islamit nga Gjiri Persik deri në Mesdhe dhe Afganistan. Kjo situatë detyroi ish-presidentin amerikan Obama të deklaronte në fund të mandatit të tij se ndarja mes shiitëve dhe sunitëve është kriza kryesore sot në botë.
Në këtë kuadër, me ardhjen në krye të SHBA-ve të Donald Trump, gjërat kanë lëvizur me shpejtësi në krah të kundërt të paqes. Së pari Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranin, nënshkruar nga Obama, duke bërë të qartë se çdo akt që lehtëson pozitën e Iranit është i papranueshëm. Kjo ishte një goditje edhe për demokracitë perëndimore që ishin pjesë e marrëveshjes në fjalë.
Së dyti, Trump po synon të zgjidhë me shpejtësi situatën në Palestinë, duke njohur së pari Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe duke imponuar një draft të vetin për paqen që në fakt është asgjë më shumë sesa sigurimi thuajse ekskluziv për interesat izraelite: njohje e vendbanimeve në Bregun Perëndimor si pjesë e territorit integral të Izraelit dhe së fundmi njohjen e Lartësive Golan, deri më tani nën mbikëqyrje ndërkombëtare si territor i Izraelit.
Administrata Trump humbi në Siri betejën e vet, por kjo për shkak të asaj që trashëgoi. Ajo nuk arriti të zgjidhte çështjen kurde, ndonëse i pati kurdët aleatë të vetët. SHBA-të po përjetojnë një marrëdhënie të tensionuar me Turqinë, një vend kyç në Lindjen e Afërme, ndërkohë që në Egjipt qëndron në pushtet dikush që kërkon vetëm të jetë i pavarur.
Në këtë kushte administrata Trump ngjan të ketë arritur një sukses të papritur, ardhur edhe si pasojë e ngjarjeve që pasuan vitin 2011. Ajo ka marrë mesa duket miratimin e vendeve kryesore arabe për njohjen e Jeruzalemit, për zgjidhjen e çështjes izraelito-palestineze në favor të izraelit, në këmbim të zgjidhjes së çështjes iraniane. Teherani zyrtar është vendi që frymëzon Republikën Islamike, të cilën vet e quan Demokraci Fetare, një formë konkuruese për monarkitë arabe që qysh prej viteve ’70 kanë njohur një pasurim të jashtëzakonshëm, por pa toleruar ndonjë gjë në drejtim të të drejtave dhe hapjes. Kjo gjë po ndryshon. Princi i ri saudit, Mohammad bin Salman kërkon ristrukturimin e ekonomisë dhe mbajtjen e rolit rajonal të Arabisë Saudite duke pranuar gjithësesi disa reforma. Por autoriteti saudit është goditur rëndë në Siri, Liban dhe sidomos në Jemen ku Rihadi zyrtar përballet me iranianët dhe milicitë e tyre. Në paqen siriane Teherani ka gjithësesi aksionet e veta qoftë edhe duke mbajtur në pushtet Assadin, ndërkohë që paqja në Liban varet nga Hezbollahu kryesisht filoiranian. Në Jemen, Arabia Saudite thjesht është turpëruar.
Duket se këto probleme mund t’i zgjidhë Amerika e cila në ndryshim nga ndërhyrja në Irak në vitin 2003, kur synoi edhe administrimin mund të mjaftohet vetëm me ndryshimin e regjimit të ajatollahëve. Në një editorial të sotshëm që është qarkulluar gjerësisht, media e afërt me kurorën saudite, Arab News, bën thirrje për goditjen ushtarake ndaj Iranit duke gjetur si alibi nevojën e ndëshkimit.
Është e qartë se sanksionet nuk po dërgojnë mesazhin e duhur. Nëse regjimi iranian nuk do të ishte mësuar t’ia hidhte paq nga krimet e bëra, do të kishte pranuar ofertën e bërë nga presidenti Trump për të kapur telefonin dhe arritur një marrëveshje…Këndëvështrimi ynë është se ajatollahët duhen goditur rëndë. Atyre u duhet treguar se rrethanat e tanishme janë të ndryshme. Ne bëjmë thirrje për një reagim ndëshkues, të vendosur në mënyrë që Irani të kuptojë se çdo lëvizje që ata bëjnë do të ketë pasoja
shkruan Arab News.
SHBA-të duke se janë vetëm në këtë përballje. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas u shpreh para Parlamentit gjerman se SHBA-të po aplikojnë presion maksimal të njëanshëm mbi Iranin duke bërë gabimin e përhershëm që sjell një presion i tillë i cili ushqen pasoja dhe reagime të paparashikuara. Është mënyra sesi Trump po kërkon të imponohet ajo që e bën vetë situatën të paparashikueshme.
Duket se edhe në Izrael janë të shqetësuar për këtë gjë. Në një analizë të fundit, drejtori i Institutit për Studime të Sigurisë Kombëtare në TelAviv, Amos Yadlin vë në dukje se Irani po heq dorë nga doktrina e “durimit strategjik” dhe së bashku me vendosmërinë e SHBA-së për të ushtruar presion maksimal dhe për t’iu përgjigjur çdo përpjekje të Iranit për të dëmtuar interesat iraniane në Lindjen e Mesme bartin potencialin e një përshkallëzimi të paprecedent. Kjo vlen sipas tij edhe për Izraelin që nuk mund t’I lejojë vetes keqllogaritje por duhet të rishikojë politikat e veta në planin afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë.
Strategjia amerikane nuk po kritikohet vetëm nga pikëpamja europiane. Ajo po merr kritika edhe nga media të specializuara që po vënë në dukje se ndoshta SHBA nuk arrin dot të kuptojë se Irani nuk I vë në lëvizje levat e veta në rajon përmes parave. Pra nuk kemi të bëjmë me një shtet që ble mercenarë dhe përhap tensione.
Lidhjet mes Iranit, Irakut dhe Levantit shkojnë pas me breza të tërë. Një tregëti e zhvilluar për një kohë të gjatë dhe rrugët e pelgrinazhit, si dhe një bashkësi e tërë seminaresh fetare, do të thotë se komunitete dhe familje të tëra kanë udhëtuar, jetuar, komunikuar dhe krijuar lidhje kulturore dhe sociale…Ajo çfarë i bashkon këto grupe nuk është një doktrinë si shiizmi…
Kërkimet e fundit tregojnë se ajo çfarë motivoi iranainët të mbështesnin në masë revolucionin ishte dëshira për të hequr qafe imperializmin. Siç ka argumtntuar historian i njohur iranian, Ervand Abrahamian, revolucioni i vitit 1979 duhet parë si kulminacioni i një beteje kombëtare për çlirim që u ndërpre në vitin 1953 nga një grusht shteti I orkestruar nga SHBA
thuhet në një shkrim të datës 15 maj në revistën e njohur “Forign Policy”.
Sipas këtij shkrimi ky është çelësi që shpjegon lidhjen e ngushtë mes Iranit dhe grupeve që mbështeten tek ai në Lindjen e Mesme, qoftë në Liban, qoftë në Irak, apo Palestinë.
Amerikanët mendojnë se ne jemi myslimanë të çmendur në rrugën tonë të martirizimit dhe se irakianët dhe libanezët kanë të njëjtin mentalitet prej të çmenduri. Ata nuk duan të kuptojnë se ne kemi shqetësime të ligjshme politike që kanë të bëjnë me një rajon të lirë nga dominimi imperialist dhe kërkesa për kontroll të burimeve tona
citon revista kreun e Gardës Revolucionare Iraniane.
Është një paralajmërim shumë serioz që po thotë se ajo që në Perëndim trumbetohet si çështje sigurie ndërkomëbare për një program bërthamor ende të paqenë, mund të shndërrohet në rast të një ndërhyrjeje ushtarake në premisën e një revolucioni islamik të ri që do të adoptojë narrativën antiimperialiste dhe me tone iluministe që predikohet nga Teherani për të prodhuar të kundërtën e asaj që pritet. Në fund të fundit Irani është një vend me histori dhe kontribute shumë të mëdha qoftë në lëmin e ideve, ashtu edhe të krijimit të perandorive.
Add new comment