Kosovës i intereson ndërmjetësimi i Gjermanisë, jo i BE-së dhe Mogherinit*
Kur Kosova kishte shpallur Pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, kryesimin e radhës së BE-së e kishte Sllovenia. Këtij shteti të ri në atë kohë të BE-së, me një përvojë prej më pak se katër vjet si anëtare e BE-së, i ra mbi supe një detyrë jo e lehtë. U desh që Sllovenia të mundohej të ndërtojë një konsensus brenda BE-së për shtetësinë e Kosovës. Sa i përket qëndrimit individual nuk kishte dyshim: Sllovenët ishin shprehur në favor të pavarësisë madje duke thënë se Kosova po e përdorte të njëjtën të drejtë që në vitin1991 e kishin përdorur sllovenët. Dhe ishte disi sikur një koincidencë historike që shteti i parë që e shpalli pavarësinë në nisjen e shpërbërjes së -ish Jugosllavisë, së bashku me Kroacinë, tash kishte kryesimin e radhës kur në territorin e ish-Jugosllavisë krijohej shteti i fundit, i shtatë me radhë, në kufijtë që i kishte si njësi federative e shtetit që tashmë kishte vdekur.
Por BE-ja mbeti e ndarë sa i përket statusit të Kosovës. Spanja, përmes ministrit të Jashtëm, Moratinos, u nxitua që të kritikonte pavarësinë e Kosovës, ta quante “shkelje të së drejtës ndërkombëtare”. Edhe katër shtete të tjera të BE-së u shprehën kundër: Qiproja, Sllovakia, Greqia dhe Rumania. Shtetet e tjera, të koordinuara mes vete dhe në përputhje me procedurat e brendshme, shumë shpejt e bënë njohjen e Kosovës si shtet të pavarur. Dhe këtu nisi dështimi i BE-së në rastin e Kosovës që të flasë me një zë. Në kohën kur BE-ja tentonte që të bëhej një fuqi politike edhe në skenën globale, dëshmia se nuk është në gjendje të flasë me një zë as për një çështje evropiane siç ishte Kosova, ndikoi që të mos merrej seriozisht as në disa çështje të tjera.
Disa diplomatë thoshin se po të ishte në krye të BE-së një shtet më i fuqishëm sesa Sllovenia, ndoshta do të kishte më shumë sukses në bindjen e shteteve të tjera që BE-ja të dalë me një qëndrim të përbashkët.
Si pasoja e mungesës së qëndrimit të përbashkët BE-ja doli me një deklaratë të përbashkët shumë të paqartë. Nuk iu referua fare shpalljes së Pavarësisë dhe nevojës që Kosova të njihet si shtet. U tha në të se vetëm “merret në dijeni” votimi i Kuvendit të Kosovës dhe u pasua me pasuset ku bëhet ftesë për respektimin e pakicave dhe multietnicitetit të Kosovës. Në tentime për të fshehur mungesën e unitetit BE-ja bazohej në miratimin e misionit të EULEX-it dhe hapjes së Zyrës së BE-së në Kosovë. Ndërsa për njohjen e pavarësisë thuhej se “kjo nuk i takon BE-së, por shteteve anëtare”.
Vërtet se njohja e një shteti është kompetencë e secilit shtet individualisht, por BE-ja mund të shprehej në favor të njohjes së Kosovës nga vendet e saja anëtare. Për shembull, kur Mali i Zi shpalli pavarësinë, BE-ja u bëri ftesë shteteve anëtare që të vendosnin me Malin e Zi raporte si me një shtet sovran. Në rastin e Kosovës kjo mungoi. Dhe prej atëherë BE-ja ka një qëndrim neutral ndaj statusit” që mundohet ta paraqesë si kinse neutralitet në raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo nuk qëndron, sepse Serbia për BE-në është shtet, ndërsa Kosova nuk është. Në praktikë “status neutral” është qëndrim “status negativ”.
Kjo qasje i pamundësoi Kosovës që të jetë pjesë e procesit të integrimeve në BE. Ani pse ka Ministri të Integrimeve Evropiane, thuhet se “ka perspektive evropiane” se për të bëhen edhe “raportet e progresit” dhe ka edhe “Marrëveshjen e stabilizim-asocimit” Kosova për BE-në nuk është shtet dhe nuk ka bërë ende as hapin e parë të integrimit në BE. Kosova nuk ka kërkuar anëtarësim në BE me çka formalisht edhe nis procesi i integrimeve evropiane.
Në vend që të punojë për të kaluar ndasitë rreth Kosovës dhe të jetë në gjendje të flasë me një zë për Kosovën, në BE, sidomos në Shërbimin e veprimit të jashtëm, i cili edhe luan rolin e lehtësuesit, filluan të jenë të kënaqur me këtë qasje, madje duke thënë se “ndasitë rreth statusit të Kosovës janë përparësi e BE-së e jo pengesë”. “Në këtë mënyrë ne mund t’u themi kosovarëve se shumica e vendeve tona anëtare na ka njohur dhe kjo është çështje e kryer, ndërsa serbëve u themi se përderisa ka vende që nuk e kanë njohur Kosovën ne jemi neutralë ndaj statusit, sepse vendimet merren me konsensus” thoshte në fillim të dialogut një zyrtar shumë i lartë i BE-së, që ishte edhe njëri prej arkitektëve të dialogu që po vazhdon pa fryt tash e tetë vjet. As mendimi i qartë i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se me shpalljen e pavarësisë nuk është shkelur e drejta ndërkombëtare e as Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, edhe pse hodhi poshtë argumentet që përmendën 5 shtetet për mosnjohje, nuk solli ndryshim të qëndrimit të BE-së ndaj statusit të Kosovës.
Me qasje të tillë, duke lënë përshtypjen se statusi i Kosovës nuk është “çështje e kryer” dhe duke i dhënë argumente Serbisë që të veprojë kundër Pavarësisë së Kosovës, BE-ja më shumë e pengon zgjidhjen sesa që e ndihmon. Prandaj Serbia edhe kërkon që sa herë që në ndonjë takim të thirren shtetet që e kanë njohur Kosovën, të thirren edhe ato që nuk e kanë njohur. Prandaj edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u shpreh i pakënaqur pse ishin ftuar Kroacia e Sllovenia në Samitin e Berlinit, e jo për shembull Greqia e Rumania, që nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës.
Është e kuptueshme pse Serbia preferon që të jenë Mogherini dhe BE-ja ndërmjetëse në dialog e jo dy shtetet më të forta anëtare, Gjermania e Franca. Por nuk është e kuptueshme që presidenti i Kosovës të qortojë kancelaren Merkel për “përgatitje jo të mirë të samitit” dhe të shprehë mirëkuptim për “durimin e Federika Mogherinit”. Vërtet shumë pjesëmarrës të Samitit të Berlinit kanë konfirmuar se takimi nuk ishte përgatitur si duhet. Por të njëjtit thonë se i tërë takimi shkoi në “trajtimin e ndasive mes dy personave”. Këta dy persona ishin kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Në vend që këta të dy të shkonin të bashkuar në Berlin, atje bëhej tentim për të bashkuar këta të dy. Pos Thaçit dhe Haradinajt, thonë privatisht disa pjesëmarrës të takimit, të tjerët ishin më shumë statistë të asaj shfaqjeje, prandaj presin që takimi në Paris të jetë ndryshe, që me Haradinajn e Thaçin të punohet para takimit e jo në takim. Pra, nëse flitet për dështimin e kancelares Merkel, ajo kishte dështuar në gjykimin ndaj karakterit dhe qëndrimeve të dy liderëve të Kosovës.
Përfshirja e Gjermanisë dhe e Francës në kërkimin e zgjidhjes për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi mund të sjellë sukses më shumë sesa tentimet e BE-së me sjelljen “neutral ndaj statusit”. Qasja e deritashme vetëm ka inkurajuar Serbinë që të mos e njohë Pavarësinë e Kosovës në vend që procesi të shkojë në drejtimin e kundërt. Fuqia e Gjermanisë dhe e Francës është shumë më e madhe sesa e institucioneve të BE-së, edhe pse marrëveshja, nëse arrihet dhe kur të arrihet, do të formalizohej përmes Bashkimit Evropian. Presidenti i Serbisë nuk refuzon të marrë pjesë në takime ku është edhe flamuri shtetëror i Kosovës kur organizatorë janë Gjermania e Franca. Por kur këtë e bëjnë Shqipëria, Kroacia dhe Sllovenia, atëherë nuk vendosen flamuj fare. Me sa pamë në media gjatë fotografive të pjesëmarrësve, flamuri i Kosovës nuk u pa në Tiranë, por u pa në Berlin. Sepse Serbia nuk ka pasoja nëse u thotë jo Kroacisë, Sllovenisë e Shqipërisë. Nuk ka pasoja edhe nëse refuzon të marrë pjesë në takime në Shkup apo edhe në Bruksel, nëse Kosova ftohet si shtet. Por nuk i ka thënë jo as Berlinit e as Parisit, dhe në këto dy kryeqytete nuk u ka penguar flamuri shtetëror i Kosovës.
Koha Ditore
*Titulli origjinal:
Add new comment